Politike

“Nuk mund të nusërosh tre herë”. Shehi: Rikthimi i Berishës, grotesk i madh. Ku gaboi Basha

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi bën pjesë tek ata politikanë që mendojnë se me apo pa dyshen Berisha- Basha, në Shqipëri do të ketë gjithnjë opozitë. Madje të fortë.

“Me Berishë, pa Berishë apo me Basha e pa Bashë Shqipëria do të ketë një opozitë të fortë. Kemi përballë një qeverisje shumë të keqe prej 8 vitesh dhe kam përshtypjen se edhe 8 vitet e ardhshme do të jenë më keq. Kjo nuk është qeveri por një grumbull miqsh dhe mikeshash...”, thotë Shehi për “Report Tv”

A po humbet kohë opozita me këtë debat?  

“Nuk do të doja ta dramatizoja këtë debat të opozitës. Është mbajtur aty me vite, dhe një ditë do të dilte kjo punë. Më mirë kështu sesa të vazhdonim sikur nuk po ndodh asgjë, dhe të tërhiqej zvarrë. Partia Demokratike ka nevojë për debat të brendshëm. Nuk mund të bëhet nën tavolinë çdo gjë. Kjo është një histori normale politike. Në të gjithë këtë zhurmë unë shikoj anën pozitive që po hapet një debat brenda të djathtës, gjë që nuk është bërë ndonjëherë. Ky debat do të na mësojë se cilët janë rrugët që duhet të ndjekim. Ndaj nuk shoh ndonjë gjë të madhe...”

Shehi i sheh të dy fajtor si Berishën ashtu edhe Bashën në këtë debat.  

“Në këtë lloj historie kanë të dy faj. Nuk e quaj ndonjë dramë të madhe edhe nëse do të tërhiqeshin që të dy. Basha ka 8 vite aty që e di shumë mirë që ka një njeri tjetër aty dhe duhet të kishte vepruar. S'kishte pse priste aleancën me Amerikën. Kjo është një dobësi e Bashës. Ndërsa për Berishën vjen një moment që duhet të kuptojë që është fatlum, ka qeverisur si president, si kryeministër dhe kaq është e mjaftueshme për një cikël politik. Edhe populli thotë 'më bëj nuse edhe një herë...', nuk thotë 'më bëj 3 herë'. Megjithatë e thashë që debate të tilla ndihmojnë. Por nëse debati përfundon që Berisha na udhëheq drejt fitoreve të mëdha kjo do të ishte grotesk i madh. Kush e ushqen idenë se Berisha është shpëtimtari dhe duhet të rikthehet për mua është i gabuar. Aq sa është e gabuar edhe ajo që bëri z. Basha. Duhet të kishte gjetur si burrat një rrugë tjetër”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë