Treg

Nuk ka rimbursime, por kupona për pasagjerët që kanë humbur fluturimet…

12 vende të ndryshme të Bashkimit Europian nxitën trupin ekzekutiv të BE-së të mërkurën për të pezulluar të gjitha rregullat që i detyrojnë linjat ajrore (të cilat aktualisht kanë mungesë likuiditeti) të ofrojnë rimbursim monetar për fluturimet e anulluara në vend të kuponave (në anglisht vouchers, janë kupona të cilat ti i përdor për të marrë një shërbim falas apo me zbritje çmimi nga kompania që t'i ka dhënë ato) për fluturimet e ardhshme si rezultat i pandemisë së covid-19.

Linjat ajrore në Europë, duke përfshirë këtu Lufthansën dhe Air France-KLM kanë kërkuar ndihmë shtetërore për shpëtim pasi flotat e tyre për më shumë se një muaj kanë qëndruar të palëvizura.

Ministrat e transportit të Belgjikës, Bullgarisë, Qipros, Republikës Çeke, Francës, Greqisë, Irlandës, Letonisë, Maltës, Hollandës, Polonisë dhe Portugalisë i kanë kërkuar komisionit europian për një amendament të përkohshëm të rregullave që i shtyn këto kompani t’iu ofrojnë rimbursime pasagjerëve.

Në një deklaratë të përbashkët ministrat e transportit janë shprehur se trupi ekzekutiv i BE-së duhet që ta trajtojë me urgjencë këtë çështje. Klientët duhet t’i pranojnë kuponat (vouchers) në vend të rimbursimeve, por me disa kondita.

Sidoqoftë në këtë takim disa prej vendeve të BE-së ishin kundër këtij ndryshimi të rregullave aktualë. Gjer tani asnjë vendim nuk është marrë.

Drejtuesja për transportin e BE-së znj. Adina Ioana Valean, është shprehur më parë se linjat ajrore duhet që të ofrojnë rimbursim për fluturimet e anulluara dhe se duhet të ofrojnë kuponë nëse pasagjerët janë dakort.

Në deklaratën e tyre të përbashkët ministrat e transportit shprehen se kuponët do të jenë të vlefshëm për një periudhë kohe e në to do të përfshihet e drejta për rimbursim nëse nuk do të përdoren përpara datës së mbarimit të kuponit. Gjithashtu do i’u ofrohet mbrojtje klientëve nëse linja ajrore falimenton.

Kjo zgjidhje sipas ministrave do të ndihmojë linjat ajrore ta përballojnë më mirë situatën me mungesë likuiditeti në të cilën ndodhen.

Ministrat janë takuar me video konferencë të mërkurën së bashku me homologët e tyre nga Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtejni për të diskutuar gjithashtu dhe mënyrën se si do të koordinohet lehtësimi i kufizimeve të transportit teksa vendet po përpiqen të rihapin ekonomitë e tyre.

Ministrat i kanë kërkuar komisionit të prezantojë sa më herët të jetë e mundur rregulloren e re përsa i përket sektorit të transportit dhe shprehen se rregullat e reja të higjenës sanitare përsa i përket mënyrave të ndryshme të transportit duhet të harmonizohen mes vendeve të ndryshme të BE-së.

Komisioni Europian pritet që të prezantojë udhëzimet e reja javën e ardhshme.

Burimi: Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë