Futboll

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, tri skuadra kampione shqiptare drejt grupeve në Europë

Gazeta Si – Si kurrë më parë në histori, tri skuadra shqiptare do të marrin pjesë ne ‘Play-off’-in e një kompeticioni europian, Ligës së Konferencës. Partizani kampion i Shqipërisë, Ballkani kampion i Kosovës dhe Struga kampione e Maqedonisë së Veriut, janë shumë pranë fazës së grupeve, duhet të kalojnë edhe pengesën e fundit.

Një arritje e madhe kjo për skuadrat shqiptare, por që duhet kompletuar me kalimin e ‘Play-off’, ku janë mësuar edhe emrat e kundërshtarëve. Idealja do të ishte të kualifikohehsin të tria këto skuadra në grupe, por edhe nëse kalojnë dy prej tyre është sërish sukses i madh. Më parë ia ka dalë vetëm Ballkani.

Ballkani feston kualifikimin ne Gjibraltar. Gazeta Si, 18 gusht 2023

Më shumë shanse në letër ka Struga, që përballet me islandezët e Brediablik. Partizani ndeshet me Astanën e Kazakistanit dhe Ballkani me Bate Borisov të Bjellorusisë, ekipin që eliminoi kampionët e Shqipërisë në turin e parë të Championsit.

Interesant është fakti se dy nga këto skuadra drejtohen nga trajnerë shqiptarë. Ilir Daja, i cili ia njeh mirë sekretet Europës, tani është shumë afër grupeve të Ligës së Konferencës për herë të dytë radhazi me Ballkanin, ekipin që e ka shpallur dy herë radhazi kampion të Kosovës. Meritat e tij në këto arritje janë të padiskutueshme.

Struga feston kualifikimin ne Luksemburg. Gazeta Si, 18 gusht 2023

Shpëtim Duro po bën histori në krye të Strugës, që për herë të parë fitoi titullin kampion në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë e sheh veten në ‘Play-off’. Edhe Duro pa dyshim ka meritat e tij në këtë ecuri mbresëlënëse të skuadrës liqenore.

Partizani, që drejtohet nga kroati Zoran Zekiç, ka një shans të mirë për të hyrë në histori me pjesëmarjen për herë të parë në fazën e grupeve të një kompeticioni europian. Do të ishte arritje e madhe sportive, që do të sillet edhe përfitime të mëdha financiare në arkat e klubit të kuq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë