Trend

Nuk ka më ‘tullacëri’. Pse po shtohen transplantet e flokëve për meshkujt

Nëpërmjet procedurave kirurgjikale (shpesh të dhimbshme) që kushtojnë deri në 15,000 dollarë, më shumë burra përdorën dhe vazhdojnë të përdorin kohën e izolimit të epokës së Covid për të 'rritur' flokët e tyre.

Shumë meshkuj kanë dashur prej vitesh të bëjnë mbjellje flokësh por për ta ka qenë e pamundur duke qenë se është një procedurë që kërkon kohë.

Gjithçka ndryshoi gjatë pandemisë. Në fillim të vitit 2021, Jamie Connors pa veten e tij në një takim në Zoom dhe kuptoi se flokët po i binin çdo herë e më shumë. Ai vendosi të bëjë mbjellje flokësh duke qenë se për të ishte e thjeshtë të shërohej i shtrirë në divan ndërkohë që edhe punonte.

Ai rezervoi një konsultë me Dr. Benjamin Paul, kirurg flokësh në Manhattan, i cili rekomandoi nxjerrjen e njësisë folikulare (FUE), një procedurë që përfshin heqjen e folikulave individuale nga pjesa e pasme e kokës dhe rimbjelljen e tyre me kujdes në pjesën e përparme. Zgjat nga katër deri në tetë orë dhe kushton 11,000-15,000 dollarë, një procedurë që zgjat disa javë.

Ai është në mesin e shumë meshkujve që përfituan nga pushimet e kohës së Covid-it për të fituar flokë të reja.

"Ne kemi parë një rritje të madhe të meshkujve që kërkojnë transplantim në dy vitet e fundit apo më shumë", thotë Dr. Gary Linkov, kirurg plastik në Nju Jork. Dhe shumë burra, shtoi ai, po udhëtojnë drejt pikave të turizmit mjekësor si Turqia, Portugalia dhe Panamaja për këtë ndërhyrje. Sipas studiuesit të tregut Fortune Business Insights, tregu global i transplantit të flokëve parashikohet të arrijë në 43.13 miliardë dollarë deri në vitin 2026, nga 5.94 miliardë në 2018, një rritje shtatëfish.

Flokët e hollë kanë shkaktuar ankth për shekuj me radhë tek meshkujt. Egjiptianët e lashtë krijonin maska nga hurmat, thundrat e gomarit dhe putrat e qenit në një përpjekje për të nxitur rritjen e flokëve. Në vitet 1990, dolën ilaçe që pretendohej se ndihmonin në parandalimin e rënies.

Megjithëse transplantet janë kryer komercialisht që nga vitet ’50, ato përgjithësisht konsideroheshin shumë ekstreme nga shumica e meshkujve. Faktorë të ndryshëm po e ndryshojnë këtë perceptim.

Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, Covid dhe stresi i lidhur me pandeminë shkaktuan rënien e flokëve te disa njerëz. Dhe çdo rrallim u zmadhua nga rutina e re e Zoom.

“Është më e vështirë të injorosh rënien e flokëve kur shikon veten gjatë gjithë ditës”, tha Paul Jarrod Frank, kirurg në Nju Jork.

Stigma e lidhur me transplantet dhe procedurat e tjera kozmetike për meshkujt po pakësohet gjithashtu. Në vitin 2020, aktori Cheyenne Jackson dokumentoi udhëtimin e tij të transplantimit në Instagram, stilisti Marc Jacobs ka diskutuar gjithashtu për rënien e flokëve vitet e fundit. Por jo të gjithë janë aq mendjehapur kur flitet për këtë temë.

Dr. Frank thotë se shumë persona nuk duan që njerëzit ta dinë se kanë bërë transplantim flokësh, madje as nuk duan fare të flasin për këtë.

Megjithatë, tha ai, meshkujt po frymëzohen nga "rezultatet që po marrin këta të famshëm".

Procedura më e kërkuar, FUE, nuk është e re. Ajo u shpik në vitet '30 dhe u ringjall në fillim të viteve 2000. Ndryshe nga alternativa kryesore, heqja e një pjese flokësh nga pjesa e pasme e kokës dhe rimbjellja në zonat tullac, FUE nuk lë asnjë shenjë.

Megjithatë, flokët e transplantuar mund të zgjasin deri në një vit për t'u dendur dhe trashur plotësisht dhe më e keqja është se meshkujt duhet të rikthehen disa herë për ti rregulluar.

Joe Baccan, 31 vjeç, shitës, bëri një FUE në pjesën e përparme të kokës së tij në vitin 2015. Që atëherë ai është kthyer në klinikë edhe për tre të tjera për të bërë ndërhyrje në pjesën e pasme të kokës dhe kurorës dhe vlerëson se ka shpenzuar rreth 50,000 dollarë në total.

Gjithashtu, kirurgët thonë se njerëzit duhet ta kuptojnë se transplanti nuk ndalon rrallimin e flokëve në të ardhmen.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë