Politike

Nuk janë në koalicion/ Mediu, Duka dhe Shehi, fushatë pro Igli Carës në Durrës

Gazeta Si - Liderët e opozitës u shfaqën të bashkuar në Durrës, në mbështetje të Igli Carës, kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë”. Edhe pse jashtë koalicionit të formuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Dashamir Shehi shprehën mbështetjen e tyre pro kandidaturës së Igli Carës.

“Në Durrës demokratët do të shkojnë të bashkuar në këto zgjedhje. Unë nuk jam shumë entuziast si natyrë, por kam besim në fitoren e zotit Cara. Mesazhin e bashkimit opozitar duhet ta përcjellim kudo”, - tha Agron Duka, kreu i PAA-së.

Agron Duka duke folur ne takim. Gazeta Si, 18 prill 2023

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, e quajti Carën të ardhmen e politikës. “Votoni cilin të doni për partitë, por Igli Carën për Durrësin. Durrësi meriton më shumë, meriton zotin Cara, një qytetar të ndershëm dhe punëtor. Se ky vend mund të bëhet vetëm me ata që punojnë. Ata që bëjnë llafe kemi kohë që i dëgjojmë”, - tha Shehi.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se Shqipëria gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama është varfëruar dhe kapur nga krimi. Sipas tij, vendi ndodhet në një gjendje shoku social-ekonomik dhe duhet shpëtuar me votë më 14 maj.

“Kjo është lufta për t’ua kthyer Durrësin e mbarë Shqipërinë qytetarëve shqiptarë. Iglin e kam njohur si qytetar të Durrësit që e do qytetin, që të gjendet në çdo kohë, edhe kur ka pasur pushtet, edhe kur nuk ka pasur. I qëndron gjykimit të fjalës së tij. Kam bindjen se Igli nuk është vetëm një përfaqësues dinjotoz i Durrësit, por i mbarë Shqipërisë. Paratë e korruspionit janë në shërbim të plotë të Ramës”, - tha Mediu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë