Futboll

“Nuk janë kushtet për të luajtur”, Covid-19 kërcënon edhe Championsin

Lajmi i daljes pozitivë të 14 pjesëtarëve të Xhenoas, 11 lojtarë dhe 3 pjesëtarë të stafit teknik, i ka kujtuar futbollit se beteja me Koronavirusin nuk është fituar. Është rasti i parë i infektimit masiv në një skuadër të Serisë A, por që ka trembur gjithë futbollin europian.

PSG-ja e nisi kampionatin me disa të rinj, për shkak të mungesës së Nejmar, Mbape, Ikardi dhe Di Maria, ndërsa në Brazil shumë skuadra kanë rrezikuar shtyrjen e ndeshjeve për mungesë lojtarësh negativë në testin ndaj tamponit. Situata nuk është e qetë dhe në Europë kanë nisur t’i bëjnë llogaritë me atë që konsiderohet vala e dytë e Covid-19. Po Championsi? Pas ndeshjeve të fundit paraeliminatore, të enjten do të jetë gati skema e skuadrave pjesëmarrëse në fazën në grupe dhe më 1 tetor do të hidhet shorti.

Por, në kushte të tilla, të udhëtosh nëpër Europë është e frikshme. E thotë troç Mikael Zorc, drejtori sportiv i Borusia Dortmund. Dhe nëse nuk ka ndonjë shqetësim të madh për ndeshjet e radhës të kombëtareve, për sfidat e mesjavës në Ligën e Kampionëve në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, frika është shumë e madhe.

Mikael Zorc, drejtori sportiv i Borusia Dortmund. Gazeta Si, 29 shtator 2020

“Nuk besoj se situata në zonat e rrezikshme do të ndryshojë shumë deri në momentin e grumbullimit”, - ka thënë Zorc në konferencë shtypi, duke pranuar se ekziston rreziku i një karantine të shkurtër kur lojtarët të kthehen nga kombëtaret. Atë e shqetëson më së shumti Liga e Kampionëve.

“Besoj se nuk janë absolutisht kushtet ligjore për t’i luajtur këto ndeshje. Nëse luajmë në zona të rrezikshme të mërkurën, - dhe kjo gjë ka shumë mundësi të ndodhë, duke parë numrin e qyteteve të rëndësishme me probleme sa u takon të infektuarve, - duhet ta bëjmë në një mënyrë të tillë që të jemi të qetë në Bundesligë të shtunën”, - ka theksuar Zorc. Sigurisht, kjo nuk është mënyra më e mirë për të përgatitur edicionin e ri të Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë