Lajme

Nuk iu pëlqeu peshku, turistët spanjollë sulmohen nga pronari i lokalit

Një incident i pakëndshëm është regjistruar pasditen e djeshme në një restorant në Sarandë. Një grup turistësh spanjollë janë sulmuar nga pronarët e një restoranti, pasi më herët kishin shfaqur pakënaqësi në lidhje me ushqimin e servirur.

Çdo gjë ka ndodhur në lokalin e shtetasit, Mihal Kokëdhima, ku turistët kishin shkuar për të konsumuar peshk, por pasi porositën, ata kërkuan të shikonin peshkun për freskinë dhe cilësinë e tij. Kamerierët e lokalit ua kanë treguar dhe në atë moment turistët kanë shfaqur pakënaqësitë e para, duke kthyer mbrapsht porosinë që kishin bërë. Ata vendosën të largohen dhe mos ta konsumojnë vaktin në atë restorant.

Ky gjest nuk i ka pëlqyer aspak pronarit të lokalit, i cili bashkë me punonjësit e e tjer, të irrituar iu janë vërsulur pushuesve. Përplasja ka precipituar në përdorimin e armëve të ftohta. 5 turistët spanjollë bashkë me shoqëruesin e tyre shqiptar dhe shoferin nxituan të largohen me një furgon që e kishin marrë me qira.

Por pronarët nuk i kanë lejuar duke goditur me mjete të forta makinën. Xhami i përparmë i furgonit është thyer dhe madje Mihal Kokëdhima bashkë me punonjësit e tij tentuan të sulmojnë fizikisht turistët. Në këtë moment është dashur ndërhyrja e forcave të policisë. Uniformat blu ndërhynë në kohë për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të këtij konflikti.

Policia bën me dije se ka proceduar penalisht pronarin e lokalit, Mihal Kokëdhima, i cili për  momentin ndodhet në spital për shkak të plagëve të marra në momentin kur gjuajti me grushte xhamat e furgonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë