Lajme

S’hapen negociatat, Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen

Pasi Bashkimi Europian dështoi për të tretën herë radhazi të jepte dritën jeshile për negociatat, kryeministri i Maqedonisë së Veriut raportohet të ketë dhënë dorëheqjen.
Agjencia italiane e lajmeve “Ansa” shkruan se kreu i vendit fqinj ka dhënë dorëheqjen pas tre vitesh në detyrë.

“Kjo është ajo që mësohet nga burimet diplomatike evropiane në samitin e BE-së, ku Shtetet Anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shkruan “Ansa”, por mediat maqedonase nuk e konfirmojnë lajmin.

Kryeministri Zoran Zaev kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse liderët e BE-së nuk vendosin të japin dritën jeshile për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Pas ndryshimit të emrit, shpresa e anëtarësimit në BE-së është cilësuar si shtylla që po mban në këmbë qeverinë e tij.

Ai paralajmëroi rrëzimin e qeverisë edhe në qershor, por Brukseli duket se e bindi të priste deri në tetor, nga frika e ardhjes në pushtet së nacionalistëve të VMRO DPMNE-së. Ardhja e tyre në pushtet do të ringjalljes edhe njëherë mankthin e Nikolla Gruevskit.
“Qeveria ime është e vdekur nëse Bashkimi Europian nuk vendos për hapjen e negociatave”, tha Zaev të mërkurën në një intervistë nga Viena.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë