Ne rrjet

‘Nuk është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë draftin e Asociacionit’, Kurti replikë me Lajçak: Vitin tjetër do shkruaj vetë një draft modern

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ofruar mundësinë që vitin e ardhshëm ai të shkruajë një draft modern europian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiç). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Miroslav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiç (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti në një status në të cilin ai ka renditur shtatë pika për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se sipas pikëpamjes së Bashkimit Evropian s’është e nevojshme që Serbia të nënshkruajë Statutin e Asociaconit, meqë Drafti është dizajnuar të jetë dokument i brendshëm i Kosovës dhe se me nënshkrimin dhe të Kosovës edhe të Serbisë do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare, gjë që Lajçak thotë se s’është.

Postimi i plotë i Kurtit, 7 pikat:

Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024

1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.

2) Konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiç dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).

4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.

5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiç). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiç (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).

6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.

7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiç që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiçit e Radoiçiçit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiç), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë