Kosova

Abdixhiku: Pasi pranoi autonominë e serbëve, Kurti propozon që të hartojë draftin për Asociacionin. Shumë vonë!

Nga Gazeta 'Si'-Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas propozimit të kryeministrit Albin Kurti, që Kosova ta shkruajë një statut për formimin e Asociacionit.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se ka dy vjet që partia e tij i ka propozuar kryeministrit Kurti që të përpilojë vetë një statut për Asociacionin, pasi kjo është çështje e brendshme e Kosovës.

“Ka plot dy vjet që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës. Ka dy vjet që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohës të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëj një gjë të tillë”, shkroi Abdixhiku, ndër të tjera.

Sipas tij, pasi e pranoi autonominë e serbëve në Kosovë, Kurtit iu kujtua që kjo është çështje e brendshme dhe se duhet vetë Kosova ta hartojë një statut për Asociacionin.

“ Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’ dhe presidenti i Serbisë”, shkroi Abdixhiku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë