Vazhdon turneu i një prej sukseseve më të mëdha të kantautorit Riccardo Cocciante, duke mbajtur edicionin italian së bashku me Pasquale Panella.
Turneu në Itali fillon sot më 3 dhjetor në “Palapartenope” të Napolit, ndërsa nga 27 dhjetori po përgatitet të kthehet në Romë me debutimin në “Palazzo dello Sport” e do të jetë deri më 6 janar. “Notre Dame de Paris” mblodhi sukseset në Kinë, aty ku u shfaq menjëherë, prodhimi i parë ndërkombëtar në një treg të mbizotëruar deri atëherë nga prodhimet shtetërore.
“Notre Dame” është përkthyer në 9 gjuhë të ndryshme (frëngjisht, italisht, anglisht, spanjisht, rusisht, koreanisht, holandisht, polonisht dhe kinezisht) dhe tashmë është përfaqësuar në 23 vende të botës.
“Është një sukses që arrin pothuajse të mrekullueshmen”, thotë Riccardo Cocciante, “dhe vlen për t’u theksuar se në fillim jo vetëm që ‘Notre Dame’ nuk gjeti një producent të bindur për t'u përballur me tregun, por edhe unë, kur më tha fillimisht për të Luc Plamondon, dyshoja në aftësitë e mia nëse mund ta sillja deri në fund”.
Cocciante kujton se opera “lindi në Francë, pa një producent, isha vetëm unë dhe Luc Plamondon dhe akoma pa idenë e të qenit në gjendje të bënim një version skenik të saj: kjo është arsyeja pse unë e theksoj se është me të vërtetë një vepër arti”. Ishte falë suksesit të jashtëzakonshëm të njërës prej këngëve të publikuara si solo, “Bella”, që producenti Charles Talar ishte i bindur ta sillte atë dhe më 16 shtator 1998 opera doli në skenë në ‘Palais des Congrès’ në Paris, me regji të Gilles Maheu.
“David Zard, producenti i parë italian, e pa atë në ‘Palais’”, - thotë Cocciante, - ai e pëlqeu shumë, por më pyeti, i hutuar: ‘A do të ketë sukses edhe në Itali?’. Për të testuar publikun, ne bëmë një skenë të Operës në frëngjisht në Milano, për katër mbrëmje: megjithëse ishte në frëngjisht, ‘Notre Dame’ pati një sukses të jashtëzakonshëm. David Zard u bind dhe krijoi Teatrin e Madh me mbi pesë mijë vende në Romë posaçërisht për të vënë në skenë Operën tonë popullore. Fatkeqësisht ai teatër i shkëlqyeshëm nuk ekziston më sot”.
Opera moderne popullore, e cila në versionin italian vjen nën përkthimin e Pasquale Panella, tregon historinë e romanit të njohur të Viktor Hygosë.
Kasti është konfirmuar kryesisht, por në vend të Lola Ponce në rolin e Esmeraldës gjejmë këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, tashmë fituese e edicionit të parë të “The voice of Italy” në vitin 2013, pikërisht në ekipin e Riccardo Cocciante.
“Ishte një zgjedhje e mirë: Esmeralda është një personazh shumë i rëndësishëm, personifikimi i të ndryshmëve që luftojnë të pranohen nga shoqëria, dhe pas argjentinases Ponce kemi dashur një këngëtare tjetër, e cila i dha rolit një gjurmë të fortë etnike. Për më tepër, Elhaida arrin në versionin italian pas një përvoje trevjeçare në versionin francez dhe ka mësuar një gjë themelore, të jesh bujare në skenë”. Pranë saj do të jetë Giò Di Tonno në rolin e Kuazimodo dhe Vittorio Matteucci në ato të Frollos.
Gjatë prezantimit, Riccardo Cocciante dhe Elhaida Dani, e cila interpreton Esmeraldën propozuan një nga pjesët më të famshme të Operës: “Të jetosh për të dashur”. Këngëtarja shqiptare dëshironte t’ia kushtonte viktimave të tërmetit të fundit që goditi vendin e saj.
Cocciante është shumë i “etur” për përkufizimin e Operës popullore për ta dalluar atë nga muzikalja, “ku pritet një fund i lumtur dhe këndimi shpesh ia lë vendin fjalës. Për Notre Dame, nga ana tjetër, duhet të flasim për dramë muzikore, pasi me të vërtetë hyjmë thellë në pjesën dramatike, dhe mbi të gjitha në ndryshim nga muzikalja këtu nuk recitojmë. Këtu ka vetëm këndim të pjesëve muzikore.
Është një opera që anon nga modernia edhe sa i përket teknikës: mikrofoni me të cilin është i pajisur çdo interpretues vepron si një instrument i vërtetë, gjithçka është e amplifikuar dhe për këtë arsye modulohet sipas nevojave, saktësisht si në pop dhe rock.
Për më tepër, në krahasim me atë muzikoren tipike, gjithçka është e deklaruar, madje edhe fakti që ju këndohet në bazat muzikore dhe jo në performancën e muzikës nga një grup live. Megjithëse, - përfundon ai me ironi, - në Broadway, ashtu si në Itali, autorët gënjejnë, muzika nuk është realizuar asnjëherë plotësisht drejtpërdrejt, gjithnjë ka një ndihmë të vogël të regjistruar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.