Para

Norma e interesit mund të rritet vitin tjetër

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë në të njëtin nivel normën bazë të interesit në 1%. Guvernatori Gent Sejko tha të hënën pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës së BSH-së, se norma bazë e interesit nuk do të rritet para tremujorit të dytë të vitit 2019.

Sipas tij ,ekonomia është rritur edhe në gjysmën e dytë të 2018-s, por ka qenë ulja e prodhimit të energjisë elektrike që ka ndikuar në ngadalësimin e saj dhe që do të vazhdojë të ndikojë edhe në gjysmën e dytë të vitit.

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të vazhdojë të rritet me ritme më të shpejta në 2020-ën, kur janë edhe parashikimet afatmesme për arritjen e objektivit të inflacionit në 3 %.

Guvernatori Sejko tha se inflacioni prej 1.8% është nën objektivin e Bankës, për shkak të nënçmimit të euros.

Guvernatori theksoi se kursi aktual i këmbimit nuk përbën rrezik për ekonominë, nuk paraqet një situatë të çregullt dhe nuk rrezikon inflacionin, prandaj BSH nuk ka ndërhyrë më në treg për të blerë euro.

“Në një moment u detyruam të ndërhynim, pasi nënçmimi i euros po prekte objektivin e inflacionit”, tha Sejko.

Ai bëri me dije se Banka e Shqipërisë ka blerë në total 400 mln euro gjatë gjysmës së dytë të 2018-ës duke sqaruar se ndërhyrja e jashtëzakonshme dhe e përkohshme në tregjet valutore ka balancuar kërkesën dhe ofertën valutore dhe ka shmangur rreziqet e inflacionit.
Sejko shpjegoi se periudha e fundvitit dhe ajo e verës përherë ka reflektuar një trend rritës të zhvlerësimit të euros në tregun e brendshëm për shkak të eksporteve, remitancave dhe faktorëve të tjerë.

Për momentin, tha Sejko, Banka vlerëson se nënçmimi i euros ka një efekt më të ulët në inflacion, por nëse do të shihet që ndikimi do të jetë i fortë, atëherë mund të marrë në konsideratë sërish ndërhyrjen.

Ai shpjegoi se Banka ndërhyn vetëm në funksion të objektivit të vet të inflacionit dhe jo për të mbrojtur interesat e grupe të veçanta. “Agjentët mund të marrin masa për tu mbrojtur nga kursi i këmbimit, duke e përcaktuar kursin në kontratë, kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur këtë rrezik. Përherë do të ketë një grup të prekur”. Sejko sqaroi se Tregu i Këmbimit Valutor është i lirë dhe kursi nuk parashikohet e Banka e Shqipërisë nuk mund të kontorllojë dot të gjithë sasinë e euros në treg pasi ka edhe treg ilegal.
Sejko tregoi që atualisht Banka po e monitoron situatën dhe po kryen analiza për të përcaktuar shkaqet e vlerësimit të lekut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë