Gazeta Si - Deputeti demokrat Flamur Noka, ka deklaruar se dosja operacionit “Metamorfoza”, sipas tij, “i ka futur në punë të paligjshme, në ekstra time, krimo-hajdutët e qeverisë dhe administratës”.
"Mënyra më e mirë për të fshirë gjurmët është magazina e të dhënave, apo databaza, dhe sistemi TIMS është vetëm një prej sirtarëve në depon e madhe të informacionit. Edi Rama angazhon ata që kanë përvojë në vjedhje dhe tjetërsim të të dhënave publike. Ndër ta Ervin Muçën që, pasi vodhi serverin e tatimeve, targat e makinave, nr e telefonave etj, në vend që të dënohej, u gradua drejtor IT në Policinë e Shtetit. Qëllimi ishte i qartë: fshirja e gjurmëve që do të lidhnin të dhënat e dala nga operacioni “Metamorfoza” në sistemin TIMS dhe databaza të tjera të të dhënave të shtetit. Frika e tyre është me bazë të fortë. Ata e dinë se gjithë qeveria është këmbë e kokë në atë dosje. Për këtë kishte vetëm një rrugë: shkateerrimi i të dhënave, sepse te ato të dhëna është fundi i Qeverisë", tha Noka.
Sipas tij, pati për këtë ndërhyrje të njerëzve që janë të lidhur me pushtetin."Shërbëtori i Edi Ramës dhe bandës së tij, Ervin Muça kaloi nga Tatimet te Policia, edhe pse ai ishte në krye të vjedhjes së të dhënave të 630 mijë shqiptarëve nga database e Sistemit Cats të tatimeve. Dy vartës të tij u dënuan me shërbim prove, ndërsa Muça u gradua sepse e priste një detyrë e re kur të vinte koha. Ervin Muça mbrohet nga Ardi Veliu, kreu i Autoritetit të Mbikqyrjes Policore, famëkeq për përfshirje në të gjitha dekonspirimet e informacioneve të krimit të organizuar. Veliu është ushtari i Ramës që inskenoi bllokimin e Komisariatit nr, 3 ku ndodhen serverat e policisë. Kjo vjedhje e kryqëzuar dhe e organizuar, detyroi me të drejtë, Ambasadën Amerikane të ndërhynte. Por jo Prokurorinë, jo SPAKU-n, jo drejtësinë e rilindur të partisë së punëve të zeza dhe socializmit antishqiptar", theksoi Noka.
Noka sakaq u u bëri thirrje vendeve partnere, me në krye SHBA, të ndërhyjnë urgjentisht në kanale zyrtare ose jo. "Çdo kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë është kërcënim edhe për NATO-n. Çdo vonesë në reagim është një ditë më shumë për krimin e organizuar me proteksion shtetëror që i ka duar në të dhëna sensitive", theksoi Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.