Politike

Noka: Basha e quajti qeverinë “Berisha” llum, as Nano me Ramën se kanë bërë. Reagon PD: E kishim për ata që vodhën

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i pranishëm në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar dy ditë më parë, tha të hënën për mediat se gjatë kësaj mbledhje, “Basha e ka etiketuar qeverinë ‘Berisha’ si ‘llum”, duke sjellë për pasojë edhe një sqarim zyrtar më vonë nga ana e PD   

“Jam këtu sot para jush për të dënuar leksikun e ulët të kryetarit të PD, Basha ndaj qeverisë së PD, qeverisë më të suksesshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vjet demokraci.

Jam këtu për të dënuar edhe fyerjet, poshtërimin e radhës që Basha mbrëmë në mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar i bëri anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur llum.

Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum.

Askush, as armiqtë më të egër të forcës sonë politike që të konsiderojnë bazën e PD e cila po mbush foltoret, që kërkon që kjo forcë të rikthehet në standartet e saj dhe normat statuore, ti rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të qëndrojë nën kthetrat e Ramës. Pra nuk ka guxuar askush përveçse Zoti Basha askush tjetër”, tha Noka për mediat.

“Mbrëmë në mbledhjen e Kryesisë së Grupit unë i kërkova që të marrë përgjegjësi, forca jonë politike është duke shkuar në zgrip falë vendimit okult të zotit Basha dhe në rast se ai e konsideronte dhe e donte sadopak këtë forcë, dorëheqja duhet të jetë e vetmja zgjidhje për ta bashkuar e rimëkëmbur këtë forcë.

Zoti Basha mbrëmë konfirmoi që fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD dhe i demokratëve.

Kjo gjë në një forcë demokratike kurrë s’mund të mendohej dhe të imagjinohej se mund të ndodhte”, vijoi ai.

Por pas deklaratës së Flamur Nokës ka reaguar zyrtarisht PD-ja.  

“Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje.

Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën llum. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës.

Anëtarësia e PD, militantët e saj të nderuar kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama- Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë