Futboll

Nojer monumental, Bajerni rrëmben edhe Superkupën e Europës

Përsëri Bajerni. Një tjetër trofe për bavarezët përballë një Sevilje që zakonisht nuk fal në finale. Rreth 20 mijë spektatorë të pranishëm në “Puskas Arena” të Budapestit kanë duartrokitur Bajernin që me meritë ka fituar Superkupën e dytë në histori. Kampionët e Europës kanë mundur spanjollët pas 120 minutash betejë.

Te Bajerni peshon mungesa e Tiago Alkantarës, që ka kaluar te Liverpuli, kurse te Sevilje bie në sy rikthimi i Ivan Rakitiç. Dhe jo rastësisht kroati zhbllokon ndeshjen, duke fituar një penallti që kthehet në gol nga Okampos. Por Bajerni reagon mirë, krijon disa raste me Myler dhe Pavard, derisa barazon me Goretzkan në minutën e 34-t.

Bajerni feston një nga golat ndaj Seviljes. Gazeta Si, 25 shtator 2020

Në pjesën e dytë Bajernit i anulohen dy gola për pozicion jashtë loje. Sevilja vuan, por nuk dorëzohet. Levandovski dhe Myler duket sikur janë imunë ndaj plakjes, por mrekullitë i bën Manuel Nojer, i cili i mohon golin En-Nesirit pas një tjetër gabimi të pafalshëm të Alabës. Është fundi i ndeshjes, Bajerni shpëton dhe gjithçka shkon në shtesë.

Mes shumë ndërrimesh, ajo e Lukas Hernandez me Havi Martinez në të 99-ën duket më e goditura. Pas 5 minutash lojtari bask shënon me kokë golin e fitores për Bajernin. Kjo nuk është diçka e re, sepse në Pragë, në Superkupën e Europës në vitin 2013 ishte pikërisht Havi Hernandez që shënoi ndaj Çelsit dhe e çoi Bajernin te penalltitë e më pas te fitorja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë