Ne rrjet

Nju Jork, gabimet e vrasësit-serial të fqinjëve në rezidencën e të moshuarve

Për gjashtë vjet, një vrasës-serial terrorizoi qiramarrësit e ”Woodson Houses”, një godinë rezidenciale e vendosur midis lagjes “Brownsville” dhe Nju Jorkut Lindor në SHBA, duke vrarë tre pre tyre, me autoritetet që në fakt u përpoqën ta ndalonin atë.

Për 450 banorët, ndërtesa - e cila zë gati një bllok të tërë midis dy lagjeve më të rrezikshme të Brooklyn - kishte qenë gjithmonë një strehë, një "vend paqeje", ku ata mund të jetonin qetësisht në komunitet, derisa filluan vrasjet.

Viktima e parë, në vitin 2015, ishte Myrtle McKinney, një grua 82-vjeçare që jetonte në apartamentin 6M dhe u vra me një thikë në fyt; pastaj, në vitin 2019, ishte radha e Jacolia James, një gruaje tjetër 83-vjeçare, e cila jetonte në njësinë 11C dhe u mbyt në korridorin e ndërtesës; në fund, më 15 janar të këtij viti, ishte radha e Juanita Caballero, të cilën të gjithë e njihnin si Xheni, një 78-vjeçare që banonte në apartamentin 6A dhe u gjet e vdekur me kordonin e telefonit të mbështjellë në qafë.

Policia arreston vrasësin-serial në Brownsville, Kevin Gavin

Kjo vrasje e tretë, e lejoi policinë të gjejë vrasësin, një 66-vjeçar, të quajtur Kevin Gavin, i cili gjithashtu jetonte në rezidencën e “Powell Street”, në apartamentin 6E, në të njëjtin kat me dy nga viktimat. Ai ishte i dyshuar që në vitin 2015, por policia nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për ta arrestuar.

Sipas agjentëve, Gavin, i cili kishte dosje të shumta penale për shpërndarje droge, mund të ketë vrarë viktimat e tij, sepse ata nuk e kishin paguar për punët e riparimit që ai kishte bërë për ta. Ai fiksonte antenat e televizorit, mbante sendet e tyre ushqimore ose mblidhte shishe dhe plehra.

Gavin ka deklaruar se është i pafajshëm, edhe pse po përballet me akuzat për burgim të përjetshëm, por nëntë muaj pas vrasjes së fundit, një hetim i “New York Magazine”, ka rindërtuar zinxhirin e gabimeve që i lejuan atij të vriste tre fqinjët - dhe ndoshta edhe qiramarrësit e tjerë, si Henry Higgins, një 80-vjeçar në gjendje të shkëlqyer shëndetësore që u gjet i vdekur në vitin 2019 me mavijosje në brinjë - duke mos u gjurmuar nga policia për gjashtë vjet.

Myrtle McKinney, e vrarë në vitin 2015

Para së gjithash, është neglizhenca në hetim, e cila në rastin e McKinney fillimisht çoi në një vdekje nga shkaqe natyrore pavarësisht se gruaja ishte goditur me një thikë në qafë dhe pavarësisht se kishte humbur çelësat e banesës dhe 800 dollarë nga llogaria e saj bankare, të tërhequra në fundjavë para vdekjes së saj.

U desh një muaj për të kuptuar se ishte në të vërtetë vrasje: nuk ishte një agjent që vuri re plagën me thikë në pjesën e pasme të qafës, por drejtori i shtëpisë së varrimit që po e përgatiste atë për funeralin.

Kishte gjithashtu një shkelje të dukshme të sigurisë nga ana e Autoritetit të Strehimit të Nju Jorkut, organi që siguron strehim publik për qytetarët në nevojë dhe që mund të kishte parandaluar të paktën dy vdekjet e tjera: banorët dhe familjet e viktimave kanë kërkuar prej kohësh instalimin e kamerave - mungon plotësisht në ndërtesë - dhe për të rritur mbikëqyrjen, pasi agjentët (e një kompanie private) patrulluan hyrjen vetëm nga ora 17:00 deri në mesnatë, ndërsa pjesën tjetër të kohës lobi iu besua kontrollit të vetë qiramarrësve.

Jacolia James, një tjetër nga viktimat e Gavin

Në fund, edhe pandemia ka luajtur një rol. Vrasësi ishte transferuar në “Woodson Houses” në vitin 2015, sepse atje jetonte i vëllai, Leon Gavin, i cili shpesh intervistohej nga gazetat pas vrasjeve: një njeri i pëlqyer nga të gjithë dhe i njohur si "Mucis Man", sepse organizonte festa të vogla, duke luajtur muzikë nga altoparlantët e skuterit të tij elektrik për personat me aftësi të kufizuara.

Leon e lejoi vëllain e tij të flinte në një dyshek të shtruar në dysheme, por me vdekjen e tij (u gjet i pajetë në banesën e tij në prill 2020), Kevin Gavin,  i njohur nga banorët si "Point", për syrin e tij prej xhami, kishte arritur të qëndronte në apartament në formë abuzuese, falë moratoriumit të dëbimeve, i kërkuar nga ish-guvernatori Andrew Cuomo për të mbrojtur qytetarët më të dobëtekonomikisht që nuk mund të punonin dhe të paguanin qiranë gjatë emergjencës shëndetësore.

Kevin refuzoi të dorëzojë çelësat, duke pretenduar se nuk kishte ku të shkonte dhe Autoriteti i Strehimit të Nju Jorkut nuk mund ta çonte atë në gjykatë.

Jenny Caballero (në mes), e vrarë në vitin 20021

Në janar, lajmi për arrestimin e Kevin Gavin u përshëndet me lehtësi nga të afërmit e viktimave, të cilët megjithatë thanë se ishin të zemëruar me vonesën me të cilën detektivët i trajtuan dy rastet e para si vrasje.

"Nëna ime u vra brutalisht, brutalisht",  kishte deklaruar për gazetën “New Yrok Times” Steven Caballero, duke kërkuar drejtësi për nënën e tij, Jenny dhe mbrojtje për miqtë e saj që ende jetojnë në atë ndërtesë.

"Ky, edhe një herë, është një rast i racizmit sistemik, në të cilin jeta e personave me ngjyrë nuk ka marrë vëmendjen, kohën dhe burimet e nevojshme. Ne besojmë se Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, ka qenë neglizhent, kështu që ekziston nevoja për ndryshime sistemike", - tha në shkurt këshilltarja e komunale, Inez Barron, distrikti i së cilës përfshin lagjen “Brownsville”.

"Nëse ata do të kishin qenë qytetarë të moshuar të bardhë, - tha Charles Barron, aktivist dhe politikan njujorkez, - policia do ta kishte marrë çështjen më seriozisht që nga fillimi".

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë