Politike

Njohja e patentave, Greqia ngrin marrëveshjen Bushati-Kotzias

Ndërkohë që në Bularat të Gjirokastrës zhvillohej ceremonia e varrimit të Konstandin Kaçifas, ekstremistit grek që u vra më 28 tetor nga forcat e RENEA-s, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati njoftoi një interpelancë me një grup të vogël shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Greqi dhe në Itali.

Interpelanca me emigrantët kishte bënte me çështjen që shqetësojnë më shumë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto dy shtete, si mungesa njohjes së patentave, thjeshtimi procedurave për legalizimin e dokumenteve dhe për uljen e kostove financiare për këto shërbime.

Gaston Sanxhaku, emigrant në Greqi, ngriti shqetësimin e moszbatimit të marrëveshjes së njohjes së patentave të makinave mes dy shteteve, e firmosur që në maj të këtij viti nga ministrat e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias.

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe Greqi gjatë interpelancës

Sipas tij, shqiptarët në Greqi ende po penalizohen, duke paguar gjoba apo rinovim të lejeve të lejeve të qarkullimit nga 700-1000 euro, kjo nisur nga fakti i moszbatimit të marrëveshjes.

Kryediplomati Bushati zbuloi në këtë interpelancë se qeveria greke, ndryshe nga pala shqiptare, nuk e miratuar akoma marrëveshjen e firmosur mes tij dhe ish-ministrit të Jashtëm grek. “Lidhur me këtë paketë, me palën greke, kemi firmosur edhe njohjen e patentave, lejeve të qarkullimit rrugor. Është një nga ato marrëveshjet me të cilën qeveria shqiptare i ka hedhur hapat me shpejtësi maksimale,  i kemi ezauruar të gjitha procedurat e miratimit, për ne sot për sot kjo marrëveshja është e mbyllur. Nga ana tjetër do të thosha se pala greke ende nuk i ka nisur procedurat për miratimin e kësaj marrëveshje për brendshmi. Pra është hedhur firma nga ana e ministrit Kotzias dhe unë si ministër para pak muajsh, por do të duhet që  të miratohet nga qeveria greke, në mënyrë që më pas të dyja palët që të njoftojnë njëra-tjetrën për fillimin e efekteve të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Bushati.

Kryediplomati në fjalën e tij theksoi se pavarësisht ngjarjes së ndodhur në Bularat, Tirana zyrtare por vijon kontaktet me Athinën zyrtare për të çmontuar, atë që ai i cilësoi si barrierat që ekzistojnë mes dy vendeve.

“Ajo që dua të garantoj në emër të shtetit shqiptar është vendosmëria jonë për të punuar me palën greke për ta zbatuar këtë marrëveshje një më një. Edhe në kontaktet më të fundit që kemi pasur këto 2-3 javët e fundit, pavarësisht incidentit fatkeq që ndodhi në Bularat, qoftë kontaktet e kryeministrit, qoftë kontaktet e mia kemi qenë në një faqe për sa i përket nevojës për të vijuar me vendosmëri për të çmontuar një e nga një të gjitha barrierat ekzistuese që ekzistojnë sot për sot ndërmjet dy vendeve tona që kanë impakt te jeta e qytetarëve. Shpresoj shumë që pala greke ta përfundojë një ore më  parë procedurën për këtë marrëveshje, e cila është një marrëveshje tip, nuk është shumë e justifikuar, e që do t’i duhet një vullnet më i  madh politik për ta përfunduar”, theksoi Bushati.

Më 11 maj të këtij viti në Souni të Greqisë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias, nënshkruan Marrëveshjen për Njohjen e ndërsjellë të Lejeve të Drejtimit të automjeteve.

Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi.

Kjo marrëveshja ishte pjesë e paketës së bisedimeve të ndërmarra mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku parashikohet që të diskutohet edhe për çështjen e ndarjes së kufirit detar ndërmjet dy shteteve.  Edhe pse u trumbetua me bujë kjo ka mbetur pezull, pasi qeveria greke nuk ka dhënë miratimin.

Vota e emigrantëve

Një tjetër çështje e ngritur nga emigrantët kanë qenë edhe vota e tyre në zgjedhjet parlamentare. Për këtë kryediplomati Bushati deklaroi se i përket çështjes së vullnetit politik, duke nënkuptuar se duhej konsensusi i opozitës që në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021 të votojnë edhe emigrantët që jetojnë jashtë Shqipërisë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përqendruar në Itali dhe në Greqi. Ai shtoi se ministria e Brendshme ka nisur procesin e regjistrimit të emigrantëve që jetojnë jashtë atdheut.

Bushati gjatë interpelancës së transmentuar nga ERT në Facebook

“Duke u ndalur tek vota e emigrantëve, më parë duhet vullnet politik, pastaj garantim në praktikë. Ka një platformë të qartë për t’u materializuar, por për këtë duhet të ketë një vullnet të qartë politik, sot për sot nuk kemi dëgjuar asnjë qëndrim nga opozita kundër kësaj aspirate çka na bën optimist që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare t’u mundësojë këtë vote. Por nga ana tjetër na duhet që këtë proces ta kalojmë në hullinë e një mirëkuptimi politik parlamentar dhe më pas në praktikë. Me Ministrinë e Brendshme po evidentojmë shtetasit shqiptarë jashtë Atdheut. Po përpiqemi të reduktojmë hallkat për marrjen e pasaportave. Viti i ardhshëm është viti i skadimit të pasaportave të 10 viteve më parë. Përgjysmohet koha e marrjes së pasaportës, 2-4 javë, nga 4-8 javë që ishte. Kemi reduktim të tarifave për shërbimet konsullore”, tha Bushati.

Në interes të pyetjes së tyre, ministri Bushati u shpreh se në procedurat konsullore, nga 187 dokumente që nevojiteshin për 39 shërbime, numri i tyre u ul në rreth 40% më pak, duke u reduktuar me plot 75 dokumente. Po kështu, duke i shërbyer sa më efektivisht dhe në kohë rekord nevojave të qytetarëve, sipas ministrit, të gjitha shërbimet sot, prenotohen dhe aplikohen online në distancë, në konsultim me diplomatët konsullorë, përmes emailit dhe në monitorim. Standardizim i plotë i dokumenteve dhe procedurave të shërbimeve ka ulur ndjeshëm fenomenet korruptive dhe ka rritur transparencën për qytetarët tanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë