Futboll

Njeriu i momentit, Ndoj vlerësohet si më i miri i javës në Itali

Emanuele Ndoj është shpallur lojtari më i mirë i javës në Serie B. Mesfushori shqiptar i Brescias realizoi dy gola spektakolarë të premten në mbrëmje ndaj Pordenone, duke ndihmuar skuadrën të fitonte 3-1. Ndoji dëshmoi se është rikthyer në formë të mirë pas një ndalese të gjatë për shkak të lëndimit. Ai arrin kështu në kuotën e 3 golave për këtë vit me Brescian, teksa më parë realizoi golin e fitores ndaj Frosinones.

Reja hezitoi ta ftojë për ndeshjet e muajit mars, por nëse gjithçka shkon me këtë ritëm, Ndoji me siguri do të jetë në ekipin kombëtar në fillimin e muajit qershor, në dy ndeshjet miqësore, kundër Uellsit dhe Çekisë, të dyja në transfertë.

Ndërsa Myrto Uzuni po përjeton sezonin më të mirë të karrierës së tij sa i përket realizimit të golave dhe këtë e tregojnë shifrat që po regjistron në radhët e Ferencvaros. Sulmuesi shqiptar gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke çuar në 10 numrin e golave të shënuar në këtë edicion në elitën e futbollit në këtë vend, rekord personal për të. Me këto 10 gola të shënuar, është sulmuesi i tretë më i mirë në kampionat.

Në ndeshjen e Ferencvaros kundër Budafoki, Uzuni u bë protagonist duke i hapur rrugën suksesit 4-0 të skuadrës së tij. Sulmuesi shqiptar fitoi një penallti në fillimin e pjesës së dytë, të cilën më pas e transformoi vetë saktësisht, për t’i dhënë avantazhin ekipit. Tashmë Ferencvaros thuajse është shpallur kampion dhe Uzuni në fund do të ngrejë edhe trofeun e titullit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë