Dy persona janë vënë në prangat e policisë pasi u kapën me një sasi kokaine.
Policia thotë se njëri nga të arrestuarit, shtetasi Besmir Sula (Zeneli), 35 vjeç, është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Po ashtu në kuadër të operacionit të koduar “Klienti” u arrestua dhe 33-vjeçari Aleksandër Algeri, 33 vjeç, banues në Tiranë.
“Shtetasi B. S.(Z)., me anë të lidhjeve të tij shoqërore siguronte sasi të mëdha lënde narkotike të llojit kokainë, të cilën ia jepte më pas shtetasit A. A., që ta shiste në doza të vogla, te klientë të ndryshëm në qytetin e Tiranës, me sasi nga 100 gramë deri në 1 kg, kundrejt vlerës 45 euro për gram”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtyre personave, u gjet një sasi me rreth 800 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular dhe një automjet që autorët e përdornin për shpërndarjen e lëndës narkotike.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.