Njerez

Një vit pa Gëzim Qëndron – Kur zbulonte enigmën e Kinostudios

Njëlloj si në kishat bizantine, nga kulmi i kubesë varet një shandan… Isha pa fjalë. Nuk do të isha çuditur më shumë po të kisha parë dikur ndonjë funksionar të lartë komunist me kryq në qafë. Ende i bindur se po shihja ëndërr me sy hapur, por tashmë i kapur nga ethet e zbuluesit, u përpoqa të gjej dëshmi të reja për ndonjë program të mundshëm ikonografik qëllimisht subversive ku përfshihej struktura dhe dekorimi i ndërtesës, të cilën, meqë e njihja shumë mirë, mjaftoi një “shëtitje” e shpejtë me mend nëpër hapësirën e brendshme dhe ballinën e saj për të zbuluar edhe disa elementë të tjerë subversivë për ideologjinë dhe simbolikën zyrtare totalitare si: vendosja e dy burimeve të shenjta anash hyrjes kryesore, medaljonet, pjesë e repertorit klasik të arkitekturës fetare të Rilindjes, dy shatërvanët me tre guaskat dhe një shatërvan brenda ndërtesës. Pra, me sa duket, qenka një program i mirëfilltë ikonografik! Mos padashur kisha zbuluar një skelet të fshehur në dollapin e arkitekturës socialiste? Kështu shkruan studiuesi dhe historiani i artit Gëzim Qëndro në librin e tij “Kinostudioja Shqipëria e Vjetër” , në të cilin, përmes një pune të gjatë hulumtuese – njëmbëdhjetë vjet do të thoshte  ai –i  sjell lexuesit përmes fakteve dhe zbërthimeve historike zbulimin e një misteri që godina ku prodhoheshin filmat propagandistikë të regjimit kishte mbajtur fshehur, që prej përurimit të saj, më 1952-shin.

Kinostudio "Shqipëria e Re" e përuruar më 1952-shin, tashmë godinë e Ministrisë së Kulturës

Godina e institucionit që duhej të ndihmonte Partinë për edukimin komunist të masave, ishte ngritur në fakt mbi ikonografinë e krishterë. Një vit pas ndarjes nga jeta të akademikut, nga një sëmundje e rëndë në moshën 60 vjeçare, miq, të afërm, kolegë u bënë bashkë në Kinema “Millenium” për premierën e dokumentarit “Enigma Kinostudio”, një dokumentar i mbështetur mbi librin  “Kinostudio Shqipëria e vjetër”, botuar  nga “Onufri” më 2016-ën. Dokumentari  ashtu si dhe libri zbulon enigmën se, planimetria e ndërtesës tashmë historike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re” ka formën e kryqit. Ishte vetë ideja e studiuesit të ndjerë, që përpara se të niste të shkruante librin, për ta bërë një film dokumentar, do të zbulonte bashkëshortja e tij, Arta Marku, duke zbuluar se edhe titulli i dokumentarit ishte dëshirë e tij. Qëndro kishte punuar për dhjetë vite në Kinostudion “Shqipëria e Re” në sektorin e filmit të animuar dhe siç do t’i rrëfente ai në një intervistë televizive gazetares Elsa Demo, nuk e kishte vënë re se ndërtesa në fakt kishte formë kryqi.

Arta Marku Qëndro, bashkëshortja e studiuesit dhe historianit të artit, Gëzim Qëndro gjatë premierës së dokumentarit "Enigma Kinostudio"

“Për vite me radhë, bashkë me punonjësit e tjerë të Kinostudios isha endur nëpër hapësirat brenda dhe jashtë ndërtesës, kisha hyrë e dalë nëpër dhoma e salla, hipur e zbritur shkallëve pa e parë me vëmendjen e duhur si objekt fenomenologjik, por vetëm si një hapësirë e brendshme ku shpalosej përditësia jonë dhe zhvillohej një veprimtari e ethshme prodhimi filmash”, do të shkruante ai në librin e tij studimor, të cilin ashtu si edhe disa të mëhershëm të shkruar prej tij, “Heronjtë janë të uritur” apo “Surrealizmi Socialist”, ka rrëfyer se e ka nisur me një “Eureka”.  Ishte zbulimi, që erdhi tek unë, do të shprehej Qëndro.  “…Mbeta i shtangur pa u besuar syve. Çudi, si nuk e kisha vënë re më parë, në atë ndërtesë kisha punuar gati dhjetë vjet! Dhe nga ajo kohë kishin kaluar edhe plot gjashtëmbëdhjetë vite të tjera! Me sa duket, edhe unë, ashtu si hutini i Minervës, duhej të prisja “të binte muzgu i Historisë”, për të “parë” atë që dikur e kisha pasur para syve. Por, ndryshe nga hutini që zbulon duke vëzhguar me sytë e tij të mprehtë, zbulimi, si të thuash, “m’u shfaq vetë”.Libri, i ndërtuar në tri pjesë, mbi një shprehje të Sokratit, i cili thotë “Vula, lë mbi dyllë gjurmën, por jo substancën e saj”.

Kinostudioja do të thoshte studiuesi, ishte si  vula mbi dyllë që kishte lënë gjurmën e saj dhe aty ku pritej forma e yllit- simbolit komunist – ajo dha një kryq. Por planimetria në formë kryqi nuk ishte “mëkati”  i vetëm formal i ndërtesës. Për çudi, kjo ndërtesë e projektuar në “Bashkimin e lavdishëm Sovjetik”, vendin simbol të revolucionit socialist, e përuruar nga vetë kreu i regjimit shqiptar dhe asokohe e konsideruar si arritje e shënuar e pesëvjeçarit të parë, të vetmin element të fjalorit simbolik socialist ka simbolin e yllit që mban shtatorja e gruas mbi pediment. Gjithçka tjetër, portiku i tempullit grek, shtyllat me kapitele korintikë, shtatoret në këndet e pedimentit, planimetria formëkryq, kubeja e pikturuar, kryqi në majë të kubesë, dy objektet liturgjike në dy anët e portës kryesore të hyrjes, medaljonet, shatërvanët me tre guaska, shtyllat mbi portën e hyrjes me simbolin e hardhisë dhe rrushit janë huazuar nga tradita shumëshekullore e ndërtimit të objekteve të kultit të feve politeiste dhe monoteiste dhe të pallateve të monarkëve europianë, dy tradita arkitekturore të lidhura me ideologji tërësisht armiqësore për Marksizëm –Leninizmin.“Çfarë ka ndodhur gjatë procesit? Mos vallë tradhtia ndaj idealit apo është vetë vula që e mban këtë substancë subversive?”, do të pyeste Qëndro. 

Planimetria në formë kryqi e Kinostudios "Shqipëria e Re"

Forma e planimetrisë ishte ajo që përdorej si standard për kishat. Pse Marksizëm-Leninizmi, i cili ishte në thelb materialist,  mori formën e një dogme? “Kjo ndërtesë është paradigmë e prirjes për t’u kthyer në dogmë. Një ideologji që kthehet në dogmë dhe të ndalon bësh pyetje,  të jep të drejtën për të vrarë çdo kundërshtar duke thënë se, “jam përfaqësues i një vullneti që e kalon  atë të njerëzve”  dhe hyn në botën metafizike, pavarësisht se nuk thuhej”, do të shpjegonte studiuesi në intervistat e tij. Sipas Qëndros, Kinostudioja ishte e vetmja ndërtesë publike që kishte një kube, element me përmbajtje metafizike e po ashtu edhe pagëzimoret në hyrje – elementë që do t’i konsultonte me specialistë të teologjisë së krishterë. Studiuesi gjithashtu do të vërente edhe të tjerë siç ishte bimësia në oborrin e Kinostudios, sipas kërkimeve të mëtejshme, por edhe konsultave me botanistë, kishin prejardhje mistike, pagane ose të krishtera.

Një tjetër objekt me përmbajtje pagane ishte guaska, që Botticelli e përdori në  pikturën e tij të famshme “Lindja e Afërditës”, ndërsa për të krishterët guaska ishte simboli i Maries, e cila mbajti perlën e çmuar, Krishtin. Çdo të krishteri i vendosej në varr një guaske si simbol i ringjalljes. “Kinostudioja ka program me dy pjesë”, shpjegonte studiuesi, “hyn i ndotur nga perëndimi, pastrohesh dhe ngre kokën; sipër është kubeja dhe sheh njeriun socialist, që të thotë si ky të bëhesh”. Punëtorët dhe fshatarët,  ishin ajo pjesë e shoqërisë që u drejtoheshin si feja ashtu edhe doktrina komuniste. “Dhjetë vjet i jam ngjitur dhe  kam zbritur dhe nuk e kam kuptuar”, rrëfente Qëndro, ndërsa do të pyeste regjisorin Viktor Gjika, nëse ai e kishte ditur se Kinostudioja kishte planimetrinë në formën e një kryqi. Ai do t’i fliste  për kryqin në shpinën e shtatores me kostum popullor mirditor të vendosur në njërën nga shtyllat e rrethimit të oborrit, vepër e Odhise Paskalit.“Ishte i vetmi kryq, edhe pse i gërryer nga motet, nuk i kish shpëtuar vëmendjes dhe flitej nën zë për të. Ndërsa kryqin e madh të planimetrisë së ndërtesës “që e kishim të gjithë para syve nuk e shihnim”.Kishte të ngjarë që pas vitit 1967, pas luftës që iu shpall fesë, menduan të hiqnin ndriçimin, duke e lënë në errësirë kubenë. “Mund ta kishin lyer me bojë të bardhë, ta fshinin, por nuk e bënë” . Edhe dekorimet u bënë nga njerëz që ose kishin dalë nga burgu i regjimit, ose kishin njollë në biografi.

Pamje nga kubeja e Kinostudios

Qëndro sjell dëshminë e ish kryeinxhinierit të Kinostudios në vitet 1972-1994, Zhani Canco, që ishte në dijeni të planimetrisë së pazakontë, por nuk kishte guxuar të fliste me askënd. Përmendet dhe se një grup militantësh komunistë patën treguar “vigjilencë revolucionare” kur u ankuan për formën e kryqit që krijonte silueta e kazmës dhe pushkës në siglën e revistës televizive të mbrëmjes, duke u vënë në dijeni edhe Komiteti Qendror i PPSH-së.Shqyrtimi në arkivin e Kinostudios i projektit origjinal të studios sovjetike dhe planimetrisë disa metra të gjatë e të palosur shumë herë, sqaruan përfundimisht se ndërtesa ishte projektuar qysh në fillim në formë kryqi. “Për çudi, nuk arrita të gjej asnjë përkthim shqip të tekstit shoqërues në rusisht, çka mund të shpjegohet me dy arsye; ose zbatimi i projektit nga specialisti rus Allpatov është kryer pa u këshilluar me specialistë shqiptarë, ose teksti shoqërues në shqip ka humbur. Në tekstin shoqërues rusisht nuk përmendet gjëkundi forma e planimetrisë dhe programi ikonografik i pazakontë”.

Ish-Kinostudioja, sot Ministria e Kulturës së Shqipërisë
Katedralja e Vilniusit

Sipas Qëndros, ndërtesa që mund të krahasohet më së miri me atë të Kinostudios është Katedralja e Shën Stanislausit dhe Shën Ladislausit të Vilniusit, në Lituani, me një ngjashmëri mbresëlënëse me strukturën e institucionit ku prodhoheshin filmat gjatë regjimit komunist, në Shqipëri. “Feja dhe Marksizëm- Leninizmi kanë ndryshime të mëdha; feja nuk merr përsipër të japë përgjigje shkencore”, thoshte Qëndro, “ndërsa komunistët e pretenduan, edhe pse kurrë nuk sollën asnjë provë” . Duke kujtuar fjalët e filozofit britanik Bertrand Russell, i cili e intervistoi i pari Vladimir Leninin, më 2019-ën, se tha “ata flasin si fundamentalistë fetarë.” Sipas Qëndros, marrja e dogmave metafizike nga Marksizëm-Leninizmi u shkonte për shtat për të mbajtur dhe për të mos e lëshuar pushtetin, deri në vitin 1991, të cilin e mbajtën  përmes dhunës dhe propagandës.Veprimtaritë përkujtimore për studiuesin e ndjerë përfshijnë edhe një ekspozitë me grafika të Gëzim Qëndros, në  galerinë e Universitetit “Polis” , pasditen e së martës, ndërsa më 27 shkurt bëhet plot një vit pa Qëndron.  “Edhe për mua është hera e parë që do të shoh një ekspozitë të Gëzimit”, do të rrëfente bashkëshortja e tij, Arta Marku, “Nuk është marrë me pikturën shumë, sepse ishte pamundur t’i bënte të dyja. E kishte një  lloj pengu që nuk mundej të pikturonte”, do të shprehej Mark, duke zbuluar se grafikat në ekspozitën e kuruar nga piktori Edi Hila,  janë të viteve ’90.

Gëzim Qëndro drejtoi Galerinë Kombëtare të Arteve, pas vitit 1997, një periudhë e vështirë për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe ishte i pari që nxori nga fondin e Realizmit Socialist, duke ngritur ekspozitën e përhershme, në katin e dytë të Galerisë.  Ai ishte gjithashtu një prej nismëtarëve të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” , e cila u mbyll dhjetorin e shkuar. Qëndro ishte një nga emrat më të rëndësishëm të studimit e kritikës së artit figurativ duke lënë trashëgimi vepra historike, sidomos punime mbi periudhën e realizmit socialist. Ai është autor i monografive për artin dhe artistët shqiptarë si “Arkeologjia e Mëngjesit”, “Heronjtë janë të uritur”, “Surrealizmi socialist” (l’Harmattan) dhe “Kinostudio – Shqipëria e vjetër”, studimi më i fundit i Gëzim Qëndros, i cili solli për herë të parë një nga fenomenet arkitekturore më të përfolura, në heshtje, lidhur me godinën e ish-Kinostudios, pas surrealizmit socialist që është marrë me pikturën, duke gjetur gjurmë të rrëfimeve fetare në artin dhe rrëfimin socialist.Studiuesin e ka përkujtuar edhe revista letrare  dhe kulturore “Poeteka”, që numrin e saj të pesëdhjetë, sjell “Ad Honorem” tregime, ese, artikuj dhe studime nga krijimtaria e Gëzim Qëndros, shoqëruar gjithashtu me grafikat e realizuara prej tij.

Në editorialin e revistës, titulluar “Tani mund të bësh atë që pëlqen...” shkrimtari dhe botuesi Arian Leka, kujton mikun e tij Gëzim Qëndro. “Çdo gjë që ideonte, shkruante apo krijonte, vetëm apo në bashkëpunim me miqtë, ai kishte dashur ta niste me atë fjalë. Kjo EUREKA e hidhte Gëzim Qëndron si fëmijë të mahnitur në Botë, sa herë që, “duke u gëzuar shumë dhe duke u habitur jo pak”, arrinte t’i avitej së vërtetës të cilën, pakkush para tij, megjithëse mund ta kishte pikasur, nuk kishte mundur ta gjurmonte dhe ta interpretonte me aq thellësi. Një EUREKA ishte dashur të bëhej themel për veprat Gjuha pamore, Surrealizmi socialist, Arkeologjia e mëngjesit, Kinostudio Shqipëria e Vjetër, por besoj se kishte nisur herët dhe ashtu kishte ndodhur thuajse gjithmonë”, shkruan Leka, i cili e cilëson Qëndron bashkëbisedues të rrallë,  “një ndër fare të paktët njerëz që, edhe pse e di fort mirë se e zotëron artin e ligjërimit, pëlqente t’i jepte vlerë heshtjes dhe të shndërrohej në dëgjues kureshtar.” “Miqtë, familjarët e afërt dhe sidomos studentët, mund ta kenë përgjigjen përse ai pëlqente shoqërinë me të pavdekshmit dhe pse e shihnim të qëndronte gjithmonë më gjatë përballë një pikture, sesa karshi një ekrani të shogët tv-je; pse e ndeshnim më shpesh në bibliotekë, sesa në kafene; përse kohën më të çmuar e kaloi i përulur, si shërbesëtar, mbi libra dhe mbi tekstet e tij, të cilët ishin në të njëjtën kohë edhe tekste për të tjerë”, kujton shkrimtari, duke thënë se për Gëzim Qëndron, kultura nuk ishte vetëm një mënyrë jetese, por një vendbanim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë