Njerez

Një trashëgimi e errët: Plagët e dhunës seksuale nga Lufta e Kosovës

Të mbijetuarat nga përdhunimet, kanë filluar të marrin kompensimet e luftës nga ana monetare, por ka ende nga ato që vuajnë në heshtje.
Mijëra gra u përdhunuan në Kosovë, ndërkohë që forcat serbe luftonin për të marrë nën kontroll territorin dy dekada më parë. Forcat e udhëheqësit serb Slobodan Millosheviç e përdorën përdhunimin për të shkatërruar nderin dhe identitetin e kosovarëve. Edhe pse Kosova tashmë është një shtet i pavarur, lufta nuk ka përfunduar për të mbijetuarit e dhunës seksualë, që ende vuajnë në heshtje.
Turpi dhe mentaliteti në shoqërinë konservatore të Kosovës, i ndalojnë të mbijetuarat që të tregojnë për ato çka kanë përjetuar. Shpesh ato mbështeten tek një mjek e psikologë dhe të paktë janë ato që tregojnë historinë e tyre në publik, apo të kërkojnë ndihmë nga organizatat jo qeveritare në Kosovë.

Disa, pasi kanë besuar në bashkëshortët e tyre, kanë menduar të qëndrojnë të qeta, ndërsa të tjera gra mendojnë se nuk mund t’i ndajnë historitë me asnjë.
Gjithashtu edhe burrat ishin viktima të dhunës seksuale. Shumica e krimeve të luftës, përfshirë edhe përdhunimet ndodhën midis marsit dhe qershorit të vitit 1999, por që prej asaj kohe e deri më sot asnjë nuk është burgosur për përdhunimet e kryera nga ushtarët serbë.

Një 36 vjeçare e mbijetuar nga përdhunimi gjatë kohës së luftën, tregon se ishte 16 vjeç kur përdhunua nga tetë policë serbë, në bodrumin e shtëpisë së një të afërmi në prill të vitit 1999. Pas luftës, kur ajo ishte 17 vjeç, u martua me një burrë shumë më të madh se vetja që ia gjetën prindërit, me shpresë se martesa do të lehtësonte vuajtjen e saj, po nuk ndodhi kështu.
Ajo tashme është ndarë dhe pret me padurim lajmin për statusin e aplikimit të saj, për pension qeveritar të ofruar për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga lufta. Pensioni prej 230 euro në muaj është një zgjidhje, për të mbijetuarit që jetojnë në varfëri dhe izolim. Për të marrë pensionin, të mbijetuarat duhet të japin disa detaje të historive të tyre gjatë një procesi të gjatë ku duhet të tregohen prova për përdhunimin, duke përfshirë raportet mjekësore, procedurat e terapisë që kanë ndjekur pas kohës së luftës dhe dëshmi nga familjarët. Është një proces i lodhshëm dhe i tmerrshëm për të mbijetuarat, pasi duhet të përballen edhe me paragjykimet.
Që nga janari i këtij viti 119 nga 191 kërkesa janë refuzuar dhe 190 janë aprovuar. Në shkurt e mbijetuara, mori lajmin se ajo kishte fituar statusin si viktimë e luftës, pothuajse një vit pas paraqitjes së kërkesës së saj.
“Është si një ëndërr për mua. Nëse është, nuk dua të më zgjoni. Kurrë nuk jam ndjerë më mirë, edhe pse nuk mund ta harroj atë që kalova atë kohë” thotë ajo.

Sanije Sahliu mban një foto të vajzës së saj, Vjollca, e cila u përdhunua dhe u torturua gjatë luftës. Vajza e saj ishte zhdukur dhe zonjës Salihu i’u deshën jave që të kuptonte se vajza e saj gjendej në spital në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ajo e solli vajzën e paralizuar në Kosovë dhe u kujdes për të, derisa Vjollca vdiq nga plagët. Gjithashtu, ajo tregon dhe një fotografi të vajzës para luftës.

Dy motra që u përdhunuan në të njëjtën kohë gjatë luftës shtrëngojnë duart e njëra-tjetrës. Ato nuk kërkuan këshilla nga organizatat jo qeveritare dhe nuk i kanë treguar askujt për përdhunimet, përveç burrave të tyre. Ndjenja e turpit dhe e paragjykimeve ndalojnë shumë gra të flasin për historitë e tyre. Në disa raste gratë dhe vajzat janë dëbuar nga shtëpitë, në moment që familjet e tyre kanë mësuar se  janë përdhunuar.

Luli është një mashkull që i ka mbijetuar përdhunimit, i cili ka marrë trajtim dhe këshillim nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Prishtinë. Ai u përdhunua nga policët serb kur ishte 21 vjeç. Pas ngjarjes, kur u kthye në shtëpi dhe i tregoi babait të tij se çfarë kishte ndodhur përgjigja ishte, “nuk mund t’i themi askujt, sepse do të humbasim nderin e familjes dhe do të duhet të largohemi nga ky vend”. Pas disa vitesh Luli u martua dhe i tregoi historinë gruas së tij dhe për një kohë shumë të shkurtër, ajo kërkoi divorcin. Kaluan shumë kohë dhe ai u martua sërish, por ende nuk i ka treguar të shkuarën e tij gruas së dytë, pasi ka frikë nga mendimi i saj. Ai ka aplikuar për pensionin qeveritar në mënyrë të fshehtë.

Vafsije Krasniqi Goodman, është e para e cila ka ndarë historinë e saj në televizion, pa fshehur identitetin. Tetorin e vitit të kaluar, ajo tregoi për të gjithë se gati 20 vjet më parë, u rrëmbye dhe u përdhunua nga një oficer i policisë serbe kur ishte vetëm 16 vjeç. Tashmë Goodman jeton në Teksas me familjen e saj, por vjet u kthye në atdhe për të treguar historinë që kishte përjetuar. Përveç medieve kosovare, ajo e tregoi historinë e saj kudo në botë përmes “Be my Voice”, një fushatë e nisur në qershor të vitit të kaluar në Ditën Ndërkombëtare për Dhunën ndaj grave nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Luftës. Qëllimi i fushatës është të luftojë paragjykimet dhe të ndryshojë mentalitetin, në mënyrë që të mbijetuarit e dhunës seksuale të kërkojnë ndihmë dhe të mos heshtin.

Një e mbijetuar qëndron pranë dritare në shtëpinë e saj në një fshat në Kosovën perëndimore, pranë kufirit me Shqipërinë.

Presidentja e parë femër e Kosovës Atifete Jahjaga, mban duart me një nga të mbijetuat e përdhunimit gjatë kohës së luftës, në një vizite në zyrën e organizatës jo qeveritare “Medica Gjakova” në Prishtinë. Edhe sot, ajo vazhdon të mbështesë të mbijetuarat duke ndarë historitë e tyre në mbarë botën.
Të mbijetuarat marrin pjesë në një sesion të terapisë në grup me këshilltarët nga organizatat jo qeveritare. Në shumë raste, ata duhet të udhëtojnë nga fshatrat e tyre të largëta në fshehtësi, për t’i bashkuar me të mbijetuarit e tjerë./Politiko/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë