Mes shumë akuzave që Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës ngritën nga Durrësi, ku PD e LSI mblodhën bashkarisht grupet parlamentare ishte edhe ajo drejtuar mazhorancës se po i bën bisht propozimit për vetting të politikanëve.
Kryetari i PD-së e interpreton si mungesë vullneti të shumicës.
Por, vetë shumica me vullnet të plotë ka nisur të konsolidojë qëndrimin kundër propozimit të demokratëve. I pari që e paralajmëroi këtë në seancën parlamentare të së enjtes ishte kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla.

“Nuk ka asnjë dyshim që kjo është përpjekja e fundit për të penguar vijimin e Reformës në Drejtësi. Jo vetëm cungim, por është një turmë ferrash përpara Vettingut të vërtetë të politikës shqiptare. Si mund të bëjë politika vettingun e vetvetes?!”, tha ai nga salla e Kuvendit.
Zyrtarisht, megjithëse nuk merr pjesë në Parlament, opozita e quan “marrëdhënie të kushtëzuar” me këtë institucion. Mazhoranca nga ana tjetër u përpoq ta shfaqë seancën e kësaj jave si një seancë normale.
Atë që paralajmëroi në këtë seancë Taulant Balla, e përforcoi në mbrëmje eprori i tij, Edi Rama. Kryeministri foli në emisionin Open në Top Channel.
“Kjo është një lojë e Lulit si artist për të krijuar një turbullirë, ndërkohë që vettingun që po pastron pallatin e drejtësisë nuk e duan”, u shpreh ai.

Kryeministri nënkupton se propozimet e demokratëve janë të ashpra, që kërkojnë ndëshkimin e politikanëv edhe pse ‘mund t’i kenë folur një personi të papërshtatshëm’.
“Historitë e tyre nuk ndodhnin as në kohën e Enver Hoxhës: pse i fole atij në rrugë?!”, vijoi ai.
Kreu i Qeverisë paralajmëroi se vetë mazhoranca nuk do ta shqyrtojë dhe interpretojë në detaje këtë nismë të opozitës, por do t’ja dorëzojë atë Komisionit të Venecias. Paralajmëroi gjithashtu se është gati ta votojë nëse Venecia i jep dritën jeshile.
“Ne do të ja çojmë Komisionit të Venecias. Kjo është hedh Luli një gur në lum dhe ne të mbytemi. Jo, ne do e marrim gurin dhe do e çojmë në Komisionin e Venecias. Nëse Venecia do të thotë se kjo është në përputhje me Kushtetutën, me të drejtat e njeriut, ne do ta votojmë”, u shpreh ai.
Rama thotë se strukturat e vërteta që do të pastrojnë politikën nga elementë të korruptuar dhe me lidhje me krimin janë ato që parashikon reforma në drejtësi.
“Vetting për politikanët është nëse je apo jo i pastër, të tjerat janë çështje e organeve të drejtësisë. Nëse duam të transparencë për politikanët duhet të gjejmë një mekanizëm. Një pakicë që thotë: o bëje siç dua unë, ose nuk bëhet, do të thotë që nuk e duan. SPAK dhe BKH janë institucionet që do të hetojnë politikanët, të tjerat shërbejnë për këta si thashetheme, që të thonë Rama është i lidhur me krimin”, u shpreh Rama”, tha ai.
Për nismën e opozitës, foli në Real Story edhe ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu. Lu e quajti interesante, por nuk përjashtoi mundësinë që propozimet të jenë një përpjekje për të dubluar reformën në drejtësi.
“Opozita ka vënë në tavolinë një propozim që e konsideroj interesant. Në Amerikë kemi shprehjen, “djalli qëndron tek hollësitë,” dhe po studiojmë hollësitë e propozimit të tyre tani dhe Kryeministri juaj Edi Rama ka thënë tashmë se ai dhe Partia Socialiste janë gati tani të fillojnë negociatat mbi bazën e propozimit të tyre. Le të shohim se çfarë janë në gjendje të arrijnë ato negociata.”, deklaroi Ambasadori.
Drafti i PD, lista e zyrtarëve nën Vetting dhe si shkarkohen
Të gjithë zyrtarët që nga kryeministri, ministrat, deputetët dhe zyrtarët që zgjidhen nga Parlamenti do ti nënshtrohen procesit të Vettingu. Ky është thelbi i nismës së PD-së së depozituar në Kuvend, nga deputetët e PD-së, të LSI-së dhe të partive aleate.
Ndërkohë që nisma, e ngjashme me procesin e Vettingut të gjyqtarëve parashikon efekte prapravepruese, pra largim të të gjithë persona që kanë lidhje me krimin. “Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar”, thuhet në këtë propozim.

“Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës”, thuhet në propozimin e nismës së PD-së, që parashikon ndërhyrjen në Kushtetutën e Shqipërisë.
Sipas draftit parashikohet që të zgjedhurit duhet të dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
“Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në amendamentin që propozohet të ndërhyhet në nenin 176 të Kushtetutës.
Ndërsa në pikën 4 të këtij propozimi përcaktohet se nëse politikani, zyrtari nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën, apo përpiqet të bëjë deklarime të pasaktë, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krimin e organizuar, zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
Pasuria
Një pikë e veçantë është edhe ajo verifikimit të pasurisë së zyrtarëve, ministrave, deputetëve. Ajo që përcaktohet është se nëse rezultojnë se pasuria e tyre ka probleme, atëherë ata do të shkarkohen menjëherë, duke iu ndërprerë mandati.
“Kur subjekti i përmendur në pikën 1, nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra. Kushtet, rregullat dhe organet përgjegjëse për zbatimin e mekanizimit të garantimit të integritetit të figurës së funksionarit publik, përcaktohen me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në amendamentin e propozuar.
Problemet ligjore me nismën kushtetuese
Opozita kërkon që drafti të shqyrtohet me shpejtësi, ku brenda tetorit të diskutohet, duke synuar që ndryshimet kushtetuese të realizohen përpara zgjedhjeve lokale. Por nisma, nuk ka të parashikuar se cili do të jetë institucioni apo struktura që do të realizojë vettingun e politikanëve. Kjo ka ngritur shumë pikëpyetje nga ekspertët dhe konstitucionalistët për mënyrën e formulimit. Gjithashtu projektligji cilësohet i njëjtë me atë të Dekriminalizimit, i miratuar dy vite më parë nga Kuvendi.
Juristi Sokol Hazizaj në një prononcim për RTSH-në e sheh nismën e PD-së dhe LSI-së si të nxituar dhe me tepër mangësi. Ai thekson se Kushtetuta i ka të gjitha instrumentat për ta bërë një gjë të tillë pa prekur ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Përgjegjëse për këtë situatë, Hazizaj bën marrëveshjen PD-PS në 2008-ën për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Kjo sipas tij është rrjedhojë e përfshirjes në politikë të njerëzve në konflikt me ligjin.

“Ndryshimet e sistemit zgjedhor dhe ato kushtetuese në 2008 sollën pasojën për të cilën politika ka vite që vuan. Pasoja është ndërmjetësimi, bashkëpunimi i politikës me krimin. Mendoj se drafti është i nxituar. Jemi përfundimisht, për shkak të ndërhyrjeve arbitrare dhe të pamenduara të politikëbërjes mbi Kushtetutën, jemi në mungesë totale të aksesit të qytetarit në sistemin e drejtësisë”, thotë Hazizaj.
Konstitucionalisti, duke u shprehur kategorikisht kundër ndëryrjeve për ndryshimin e Kushtetutës, thotë se këto nisma të ndërmarra si nga pozita si nga opozita, kufizojnë të drejtat e qytetarëve. Madje ai shkon përtej, duke e parë këtë propozim si preludin e një marrëveshjeje të fshehtë politike, që mund të konkretizohet në të ardhmen.
Sipas tij roli i KQZ u zbut dhe u reduktua pas heqjes nga nenet e Kushtetutës dhe se i gjithë drafti i opozitës nuk ka ndonjë gjë të re në përmbajtje dhe në formë.
Konstitucionalisti i njohur sugjeron ngritjen sa më shpejt të institucioneve të drejtësisë dhe që politika të qëndrojë larg këtyre ndryshimeve Kushtetutese, që e thellojnë më tepër pamundësinë e zbatimit të ligjit.
Kuvendi pritet ta shqyrtojë nismën e PD-së, ku strukturat përkatëse si Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit do të japin mendimet e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.