Libra

Një thesar letrash dhe relikesh të Heminguejt hapet për studiuesit

Nga Gazeta Si - Një “minierë” e vërtetë informacionesh për Ernest Heminguejin sapo është hapur për publikun.

Shkrimtari i madh amerikan ra në dashuri me ishullin e Floridës në vitin 1928 dhe shkroi disa nga librat e tij më të famshëm atje.

Sloppy Joe, lokali i zonës, ishte për vite me radhë një nga destinacionet e tij të preferuara: deri në atë pikë sa pas dështimit të martesës së dytë me Pauline Pfeiffer në 1939, ai u bë mbajtësi i letrave dhe kujtimeve që mbetën të mbyllura në kuti për dekada.

Ky arkiv është një thesar i vërtetë për historianët, kritikët dhe shkrimtarët. Ai përfshin katër tregime të pabotuara, drafte dorëshkrimesh, qindra foto, letra dhe sende të tjera personale, të cilat, sipas ekspertëve, do të ndihmojnë në rishkrimin e biografisë së ish-pronarit të tyre.

Në një nga krijimet e zbuluara rishtas, Heminguej e shndërron mikun dhe rivalin e tij nga koha e Parisit, F. Scott Fitzgerald, në një boksier (Kid Fitz) të kalibrit të “të mëdhenjve” të tjerë të boksit (Battling Milton, K.O. Keats, Spike Shelley dhe Wild. Cat Wordsworth), i cili lë ringun në tre faqet e fundit, i shpërfytyruar, por fitimtar.

Tri faqe meditimesh mbi vdekjen datojnë në vitin 1926, dy vjet para se babai i tij të vriste veten, saktësisht 35 vjet para vetëvrasjes së vetë Heminguejt: “Kur jam në depresion, mendoj për vdekjen dhe mënyrat e ndryshme të vdekjes, mendoj se nëse nuk mund të vdesësh në gjumë, mënyra më e mirë është duke u hedhur nga një anije transoqeanike gjatë natës”.

Sipas Carl Eby, presidenti i Fondacionit dhe Shoqatës “Ernest Heminguej”, “ka material të mjaftueshëm me të cilin studiuesit dhe kritikët mund të punojnë për vite me radhë”.

Arkivi dihej se ekzistonte, por përmbajtja e tij, si dhe vendndodhja, kishin mbetur mister deri më tani. Pas vdekjes së Heminguejt, gruaja e katërt Mary Welsh kishte shkuar në magazinën e Sloppy Joe për të marrë vetëm atë që i interesonte.

Pjesën tjetër e kishin marrë dy miq, Betty dhe Toby Bruce, ky i fundit shumë i afërt me shkrimtarin, pasi ka qenë mekaniku dhe shoferi i tij.

Letrat dhe reliket kanë qëndruar të mbyllura në kuti kartoni për dekada, duke u mbijetuar uraganeve dhe përmbytjeve, derisa djali i Bruce, Dink, filloi t’i inventarizonte me ndihmën e një historiani vendës. Në vitin 2017, Dink zbuloi mes copëzave të gazetave, biletave të ndeshjeve me dema, çeqeve dhe letrave për miqtë, një fletore me ngjyrë kafe me tregimin e parë të Heminguejt për një udhëtim imagjinar në Irlandë, të shkruar kur autori ishte vetëm dhjetë vjeç.

Arkivi i shkrimtarit u ble në 1921 nga Penn State në 2021 për një shumë të papërcaktuar dhe më pas i kataloguar.

Ernest Heminguej u nda nga jeta (u vetëvra) më 2 korrik të vitit 1961. /La Repubblica/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë