Jete & Stil

Një stacion në mes të asgjëkundit, por jo pa arsye

Përgjatë lumit Nishiki, në jug të Japonisë ndodhet ky stacion treni tërësisht i izoluar. Nga njëra anë është lumi që rrjedh dhe përballë një mal i mbushur me gjelbërim dhe në anën tjetër janë shinat e trenit.

Por, megjithëse stacioni nuk të çon asgjëkundi të gjithë trenat ndalojnë në këtë stacion. Pasagjerët që zgjedhin që të zbresin mund të qëndrojnë vetëm për të soditur natyrën dhe dëgjuar zhurmën e rrjedhës së lumit; asgjë më tepër. E vetmja rrugëdalje janë trenat, që në këtë hekurudhë nuk janë fort të rrallë.

Stacioni është menduar nga kompania që mirëmban hekurudhat në këtë rajon të Japonisë si stacion pushimi, reflektimi dhe çlodhjeje, jo vetëm fizike, por edhe mendore. Lodhja mendore është problemi më i madh me të cilën shoqëria japoneze po përballet prej vitesh, ku shifrat e vdekjeve dhe vetëvrasjeve të shkaktuara si pasojë e stresit dhe orëve të zgjatura në punë kanë ardhur gjithnjë në rritje.

Si pjesë e luftës ndaj këtij fenomeni kompania që menaxhon hekurudhën në fjalë ka dalë me këtë ide origjinale.

Japonia shquhet për sistemin e saj hekurudhor shembullor. Si shembull, në 2017, kompania që menaxhon një rrjet trenash në Tokio kërkoi publikisht falje nëpërmjet njoftimeve në media të shkruara dhe vizive pasi një tren i saj ishte nisur 20 sekonda më herët nga orari i përcaktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë