Art dhe Kulture

Një shikim nga afër i Met Gala 2019: Dashuri për të pazakonshmen

Met Gala është balloja që mbahet çdo vit dhe ka për qëllim mbledhjen e fondeve për Muzeun Metropolitan të Arteve. Çdo vit tema e mbrëmjes është e ndryshme dhe kodi i veshjes së të ftuarve duhet të përshtatet me veshjet që do prezantohen në ekspozitë. Me një histori mbi 50-vjeçare, Met Gala arrin të sjellë një frymë të re çdo vit.

Tema e këtij viti, Camp, ka në thelb të saj të jashtëzakonshmen. Ajo është frymëzuar nga eseja e Susan Sontag e cila bazohej mbi dashurinë për gjërat jonatyrale, artificiale dhe të ekzagjeruara.

Organizatorët e kësaj balloje gjithmonë zgjedhin diçka të veçantë, e cila do tërheqë vëmendjen e publikut dhe nuk është hera e parë që njerëzit e kanë të vështirë ta kuptojnë temën. Katalogu i “Camp:Notes on Fashion” i rrethuar i gjithi nga një kopertinë ngjyrë rozë të ëmbël dhe i mbushur me dy volume me faqe ngjyrë mente e fton lexuesin në një udhëtim historik mbrapa në kohë për t’u njohur me historinë e Camp dhe kuptimin e tij artistik.

Në volumin e parë paraqitet një ese gjithëpërfshirëse e shkruar nga dijetari Fabio Cleto, e cila shoqërohet me një udhëzues vizual mbi ndjenjat që përmban Camp. Prej këtu fillon udhëtimi i lexuesit mbi idenë e Camp-it ndër vite, që nga viti 1722 ku Simon Thomassin gdhendi mbi një pllakë një burrë lakuriq. Më pas, Camp cilësohet si një ideal bukurie dhe udhëtimi i lexuesit mbi historinë e Camp-it merr fund në vitin 1964 me esenë e Susan Sontag “Notes on ‘Camp’ ”, e cila ishte edhe pikënisja e temës së këtij viti.

Volumi i dytë nis gjithashtu me një ese nga kuratori Andrew Bolton. Në mbi dy faqe Bolton tregon se si e interpreton ai Camp-in dhe ndan me lexuesit frymëzimin që i ka dhënë ai. Sipas tij Camp ka në qendër ndjenjat.

160 faqe me foto të veshjeve bashkëkohore të ekspozitës të fotografuara nga Johnny Dufort, ndjekin teorinë e Bolton. Të fotografuara me një sfond të zbehtë mbrapa, pamjet kanë një shpirt armiqësor, madje edhe manekinet. Kjo gjë vihet re edhe në paraqitjen e veshjeve të tyre dhe dallimi mes meshkujve dhe femrave. Çdo imazh shoqërohet nga një shprehje e shkurtër mbi Camp-in.

Në qendër të katalogut është e gdhendur në ar një shprehje e vetme nga Oscar Wilde, e cila thotë: “Një njeri ose duhet të jetë një vepër arti, ose duhet ta veshi një të tillë”. /Vogue/

 

Më Shumë