Vende dhe Udhetime

Një rrugëtim për në Gjirin e Dafinës

Karaburuni karakterizohet nga gjiret e tij fantastike. Një ndër ta është edhe Gjiri i Dafinës i cili ndodhet ne pjesën perëndimore të Parkut Natyror të Karaburunit. Në këtë pesë vjeçar të fundit Karaburuni është kthyer në një atraksion turistik i cili vitet e fundit ka zhvilluar një ecuri të mrekullueshme të turizmit bregdetar. Për të shkuar në këtë gadishull njerëzit kanë mundësuar transportin detar me anë të skafeve dhe anijeve turistike. Një mundësi transporti është edhe ai rrugor por, do të ishte një udhëtim pak me i gjate duke qene se rruga për në gjiret e Karaburunit nuk mundëson rehati për shkak se kërkon vërtet pune për rregullimin e saj. Gjiri i dafinës në Karaburun është një prej atraksioneve më të veçanta që ofrohen nga gadishulli i Karaburunit, pas Gjirit të Anglezit apo Shpellës së Haxhi Aliut e shume gjire të tjera të cilat mbetet për t’i parë, pasi Karaburuni është një nga perlat e Shqipërisë dhe një nga vendet turistike me pak të eksploruar.

Shpella e Gjirit të Dafinës

Në Gjirin e Dafinës turistët mund të përshtaten jo vetëm me botën ujore por dhe me florën bregdetare që e mbështjell atë si një shall i lehtë duke e ndarë me një breg të vogël me gurë gëlqerorë të bardhe nga “takimi” me detin që fal një pastërti ujore të jashtëzakonshme.  Gjithashtu e veçanta në këtë zonë është edhe shpella që mban të njëjtin emër, e vendosur në një hapësirë të vogël  që ja vlen të vizitohet nga turistët. Në këtë gji transporti kryhet vetëm me anë të transportit ujor. Ky vend është si një libër i cili i le vend imagjinatës për të krijuar ambientin që dëshironi pasi ky breg i virgjër u lejon pushuesve të krijojnë oazin e tyre siç e kanë imagjinuar se do të të donin një vend pushimi privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë