Jete & Stil

Një qytet që do përdorë turizmin dixhital për të dalë nga kriza e Covid-19

Me një popullsi prej rreth 1.1 milion njerëz, Malaga është qyteti i gjashtë më i madh i Spanjës. Ky qytet është qendra e transportit dhe një destinacion i preferuar nga turistët. Dekadat e kaluara Malaga ka parë transformime të mëdha për ta bërë atë më miqësor për këmbësorët. Këto e kanë bërë një destinacion popullor urban dhe madje çuan në një rritje të jashtëzakonshme të turizmit, me afër 3 milion vizitorë në 2019.
"Për të trajtuar këtë rritje, ne duhet të ishim të zgjuar dhe të përdorim teknologjinë në avantazhin tonë duke parë gjithë dëmet që Covid-19 solli." thotë Marc Sanderson, drejtor i zhvillimit ekonomik ndërkombëtar për qytetin e Malagës.

“Për fat të mirë, Malaga është e vendosur në një ekosistem inovativ që ne e quajmë 'Malaga Valley'. Shumë kompani të teknologjisë (nga Spanja dhe jashtë) punojnë këtu dhe prania e këtyre kompanive na lejoi të fillonim zbatimin e zgjidhjeve shumë vite më parë, jo vetëm për turizmin por edhe për qëndrueshmërinë dhe mjedisin.” tha ai.
Tani qyteti, së bashku me Gothenburgun në Suedi, janë zgjedhur si fitues të konkursit Europian të "Smart Tourism" në 2020. Çmimi ka verifikuar planin strategjik të qytetit, duke provuar se iniciativat e tij janë të mira si për turistët ashtu edhe për qytetarët, ndërsa sigurojnë një bazë solide për një rifillim të udhëtimeve pas Covid-19.
Zgjidhjet e Malaga-s kanë përfshirë lëvizshmërinë elektrike, ruajtjen e ujit, gjenerimin e energjisë së rinovueshme dhe aplikacionet për turistët. Një shembull është sistemi i autobusëve ku vizitorët mund të zbulojnë se ku është stacioni më i afërt i autobusëve, cilat autobusë shkojnë atje ku duan ato dhe kur do të mbërrijë tjetri, të gjithë duke përdorur një aplikacion në smartphone-in e tyre. Tani, në mes të një pandemie globale, këto mjete janë edhe më të vlefshme.
"Spanja ishte një nga vendet më të goditura. Ne shkuam në izolim të plotë dhe turizmi ishte shkatërruar." tha Sanderson.
Qyteti ishte i shpejtë për t'u përgjigjur me zgjidhje të ndryshme se si të shkonte përpara. "Ne krijuam një faqe në internet ku njerëzit mund të merrnin informacionin dhe të dhënat më të fundit rreth asaj që po ndodhte në qytet dhe t'i siguronim se ishte në rregull të ktheheshin. Ne gjithashtu kemi punuar ngushtë me aeroportin dhe stacionin e trenit për të krijuar një korridor të sigurt për turistët që vijnë, pavarësisht nëse ata ishin duke përdorur autobusë ose taksi, deri në hotelet e tyre." shpjegoi ai.
Malaga gjithashtu organizoi një konkurs për të mbledhur ide nga sipërmarrësit dhe kompanitë e teknologjisë në qytet. Fituesi i konkursit ishte një udhërrëfyes 'smart' që konsolidonte udhëzues të ndryshëm audio brenda qytetit në mënyrë që njerëzit të mos kishin më nevojë t'i jepnin ato individualisht. Gjithashtu vemendje mori dhe një platformë që ju lejonte qiradhënësve të jepnin hapësira me qira pa lëvizur nga vendi.
Baza ishte në të dhënat e hapura, të cilat janë thelbësore në rimëkëmbjen.
"Malaga ka shumë grupe të dhënash nga të cilat jemi në gjendje të punojmë. Një nga gjërat që kemi krijuar në krye të atyre grupeve të të dhënave është chatbot-i ynë, të cilin turistët mund ta përdorin nga çdo pajisje e tyre për të bërë pyetje dhe për të marrë informacion." tha Sanderson.

Kjo është një mënyrë e thjeshtuar që teknologjia të vendosë informacionin në duart e njerëzve.
Një tjetër aplikacion përfshin plazhe, shumë prej të cilave u mbyllën disa herë gjatë verës, sepse mbipopullimi e bëri të pamundur ruajtjen e distancës së kërkuar sociale. Qeveria kërkoi nga Kryetari i Shkencave Bregdetare dhe Detare të Universitetit të Malaga-s dhe grupin kërkimor për analizën e të dhënave për të gjetur një zgjidhje, e cila erdhi në formën e faqes së internetit dhe aplikacionit në celular "AforoCostadDelSol.es."
Ai aplikacion përfundoi duke bërë shumë më tepër sesa thjesht trajtimin e numrit të vizitorëve.

"Ky aplikacion përdor algoritme parashikuese të bazuara në inteligjencën artificiale me të dhëna që merr nga sensorë dhe punonjës të plazhit", thotë Sanderson.
Ai tregon, në intervale kohore, nivelin aktual të temperaturës së ajrit, temperaturën e ujit, shpejtësinë dhe drejtimin e erës, rrymat, lartësinë e valës, drejtimin dhe periudhën, si dhe praninë e algave të detit ose kandilave të detit për secilin plazh përgjatë vijës bregdetare të Malagës.
Në gusht, Malaga ndërmori një hap tjetër të madh, duke hyrë në një marrëveshje me Organizatën Botërore të Turizmit për të qenë një nga qytetet pilot për një pasaportë dixhitale. Shpresa është që sigurimi i informacionit të azhurnuar do ta bëjë më të lehtë gjurmimin e kontakteve dhe ndoshta edhe do të heqë karantinen e detyrueshme me të cilat përballen aktualisht udhëtarët.
Projekti tjetër në horizont? Një lojë interaktive e realitetit virtual, e ngjashme me Pokémon Go, e cila do t'i lejonte njerëzit të eksplorojnë qytetin dhe të zbulojnë gjëra të reja dhe të azhurnuara vazhdimisht.
"Të gjithë e dimë se kjo është një kohë e vështirë për industrinë dhe se duhet të punojmë së bashku", thotë Sanderson. Individët kanë nevojë për informacion të saktë dhe qytetet dhe qeveritë kanë mundësinë ta sigurojnë atë. Kjo do të ndihmojë në ripërcaktimin e partneriteteve dhe marrëdhënieve.
"Në të kaluarën kemi pasur shumë pak gjëra në dorë. Tani kemi mundësinë të bëhemi të gjithë bashkë dhe të kalojmë krizën që Covid-19 solli." përfundon Sanderson.
Burimi: Indipendent. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë