Politike

Një Qeveri që s’jep llogari askund

Mentor Kasa - “Anëtarët e kabinetit qeveritar së bashku me deputetët kryen qindra takime e mijëra kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit e zakonshëm, në çdo bashki e njësi administrative të Shqipërisë, jo për fushatë elektorale, as për të kërkuar vota, po për të folur e dëgjuar, për të informuar qytetarët e komunitetet mbi çka kemi bërë e duam të bëjmë më tej dhe për të marrë prej tyre të gjitha mësimet e mundshme në funksion të korrigjimeve e përmirësimeve të domosdoshme të punës sonë”.

Me këto fjalë Kryeministri Edi Rama njoftonte në ditët e para të korrikut mbylljen e turit të ashtuquajtur “Turi i llogaridhënies me qytetarët”. Nisur nga këmbëngulja e Kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë socialistë se turi nuk kishte prapavijë elektorale, në media nisën hamendësimet se në përfundim të tij do të pasonin ndryshime në kabinet.

Hamendësimet u përforcuan akoma më shumë kur në fund të muajit gusht, Edi Rama thërret ministrat në një mbledhje informale në qytetin e Vlorës, të zhvilluar në vilat qeveritare, atje ku kishte kaluar pushimet. Mediat u mbajtën larg këtij takimi, por jo larg artikujve që këmbëngulnin se në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së më 7 shtator do të ndryshonte kabineti qeveritar.

Në fund të saj nuk pati asnjë ndryshim në kabinetin “Rama 2”, por pati një “rrokadë” mes sekretarëve dhe koordinatorëve të PS-së në terren.

“Partia në territor është larg së qëni Partia Socialiste që ne duam për sfidat që kemi përpara. Krerët e degëve e kanë braktisur detyrën në terren. Kjo bie ndesh me betimin që kemi bërë; lufta për të çuar tepsinë për skrap. Askush nuk u ka kërkuar krerëve në rrethe të jenë shefa kuadri. Ne nuk i kemi në detyrë krerët e PS. Kjo duhet të ndryshojë dhe do të bëjmë çmos që të ndryshojë”, deklaroi Rama në Asamble.

Llogaridhënia është shtylla kryesore e një sistemi demokratik. Pra, ti votohesh, qeveris dhe jep llogari për ato që bën e thua gjatë kohës që je në pushtet. Por, ajo që nisi si një tur llogaridhënie për qeverisjen e vendit, përfundoi në një tur llogaridhënieje për gjendjen e partisë.

Megjithatë, në sistemin tonë si republikë parlamentare ka një tjetër institucion, që e ka të detyrueshme kërkesën e llogarisë për pushtetin ekzekutiv. Ky institucion është Kuvendi. Këtu, Kryeministri dhe ministrat e kabinetit të tij duhet t’u shpjegojnë ligjvënësve punën e tyre. Por, sa e realizojnë deputetët këtë mision?

Për ta kuptuar këtë rasti është i freskët. Të enjten, ministri i Financave, Arben Ahmetaj ishte thirrur në një interpelancë nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Shqetësimi që kishte ngritur Braçe lidhej me moszbatimin ndër vite të ligjeve fiskale nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Në fjalën e mbajtur, Ahmetaj foli për gjithçka, që nga Messi e deri tek rrogat e futbollistëve, trajnerëve dhe ish-trajnerëve të futbollit shqiptar. Foli për arritjet e sportit shqiptar, sidomos me kualifikimin në Europianin e 2016, por në asnjë moment nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga Erjon Braçe.

Ministrat, Ditmir Bushati, Olta Xhacka, Arben Ahmetaj, Lindita Nikolla, Niko Peleshi, gjate nje seance parlamentare, ku deputeti Erion Brace kishte kerkuar interpelance me ministrin e Financave dhe Ekonomise, Arben Ahmetaj, ne lidhje me ligjshmerine fiskale te Federates Shqiptare te Futbollit, FSHF. Foto LSA

Debati u mbyll duke provuar se sa të vështirë e kanë deputetët që t’u kërkojnë llogari ministrave, e jo më Kryeministrit. Pyetja që ngrihet është: kur Qeveria nuk u jep llogari deputetëve, sa janë gjasat që ajo t’u japë llogari qytetarëve?

Nëse sistemi do të funksiononte normalisht, atëherë një Kryeministër, një ministër apo kushdo përfaqësues tjetër i kabinetit qeveritar do të “dridhej” para ligjvënësve, edhe nëse janë të së njëjtës forcë politike dhe këtë e përforcojnë peripecitë e Kryeministres Theresa May me deputetët e saj për planin e “Brexit”.

Sigurisht, kultura e mungesës së llogarisë nga ana e Qeverisë në Shqipëri nuk erdhi me Qeverinë “Rama”, por Kryeministri duket se është vetë një motor përforcues i kësaj kulture.

Nuk janë të pakta rastet publike kur Kryeministri u shmanget pyetjeve të gazetarëve. Në mars 2017, pak ditë pasi kishte shkarkuar Saimir Tahirin, ai ishte i ftuar në emisionin Top Story në Top Channel.

“Nuk ju jap llogari pse e shkarkova Tahirin”, deklaronte ai.

Në tetor, po të 2017 përplaset me gazetarët po për të njëjtën çështje.

Kryeministri Edi Rama gjate perplasjes me gazetaret ne tetor te 2017

“Përpara se të bëni pyetje kaq pa vend, shko lexo dhe kupto. E kuptoni që nga padituria jeni kaq të paditur. S’keni si ta kuptoni ju për fatkeqësinë tuaj, sepse as nuk lexoni, as nuk përpiqeni të thelloheni në ato që lexoni, as doni të dëgjoni për çfarë bëhet fjalë. Ju duhet t’i thërrisni mendjes dhe duhet të kuptoni”, u drejtohej ai gazetarëve në tetor të 2017.

Reagimi i Kryeministrit mbërriti pas një seance të ndezur parlamentare, kur diskutohej arrestimi i Saimir Tahirit.

Një tjetër rast mbërrin në maj të këtij viti, kur sapo kishin shpërthyer akuzat e Partisë Demokratike kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pyetja e një gazetareje lidhej pikërisht me aktualitetin politik të atyre ditëve, por përgjigjia që mori mbrapsht ishte: “Pyet pronarin, a jep llogari për vëllanë e tij”.

Ndonjëherë, pyetjet mund të jenë vërtet pavend, por ashtu siç thotë Colin Powell, ish-sekretari amerikan i Shtetit nga 2001 deri në 2005, “nuk ka pyetje idiote, ka vetëm përgjigje idiote”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë