Njerez

Një profesor në Florida thyen rekordin për kohën e kaluar duke jetuar nën ujë

Një profesion amerikan ka thyer rekordin botëror për kohën më të gjatë të kaluar nën ujë.

Joseph Dituri ka kaluar më shumë se 74 ditë në fund të një lagune 30 metra të thellë në Key Largo, Florida dhe ai nuk ka ende plane të ndalet. Të dielën, ai tha se do të qëndronte aty për të paktën 100 ditë.

“Kurioziteti për zbulim më ka çuar këtu”, thotë ai.

“Qëllimi im që nga dita e parë ka qenë të frymëzoj brezat që do të vijnë, të intervistoj shkencëtarë që studiojnë jetën nën det dhe të mësoj se si funksionon trupi i njeriut në mjedise ekstreme”, shtoi ai.

Rekordi i mëparshëm botëror për ditët e kaluara nën ujë u vendos nga dy profesorë në vitin 2014 në të njëjtin vend dhe ishte 73 ditë.

Ndryshe nga një nëndetëse, shtëpiza ku po qëndron Dituri nuk përdor teknologji për të përshtatur presionin e rritur nënujor.

Profesori, filloi sfidën e tij më 1 mars në një dhomë të vogël që ndodhet në fund të një lagune në Florida Keys.

Për sfidën, të quajtur “Projekti Neptun 100”, profesori i Universitetit të Floridës së Jugut po studion se si trupi i njeriut reagon ndaj ekspozimit afatgjatë ndaj presionit ekstrem.

Studiuesit po studiojnë shëndetin e 55-vjeçarit, si dhe efektet psikologjike të të qenit i izoluar dhe i zhytur për kaq gjatë, duke kryer një sërë testesh mjekësore.

Por koha e tij nën ujë nuk e ka mbajtur atë larg nga detyrat si profesor. Ai po mëson studentët e inxhinierisë biomjekësore online ndërsa jeton në lagunë, sipas Universitetit të Floridës Jugore.

Profesori zgjohet çdo ditë në orën 05:00 për të ushtruar. Ai qëndron i ngopur duke ngrënë vakte të pasura me proteina, si vezë dhe salmon, të cilat mund t'i mbajë të ngrohta me mikrovalën e tij.

Dhe ndërsa qëndrimi i tij nënujor ka rezultuar i shkëlqyeshëm, ai mezi pret të rikthehet në tokë.

“Gjëja që më mungon më shumë në tokë është dielli”, tha ai për Associated Press.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë