Ekonomi

Një parajmërim i zymtë- Energjia dhe koncesionet ndoshta gremina e re financiare e Shqipërisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim bën parashikimin më të zymtë sa i takon zgjerimit të ekonomisë shqiptare për 2019. Në raportin tranzitor 2019-2020, BERZH thotë se rritja do të jetë vetëm me 2.8 për qind, një diferencë me 0.6 pikë përqindjeje në krahasim me parashikimin e Qeverisë shqiptare.

BERZH identifikon edhe shkakun kryesor të kësaj rënieje.

“Në 2018 ekonomia pati një rritje prej 4.1 për qind. Por, në gjysmën e parë të 2019 ajo u ndal në 2.4 për qind. Shkaku kryesor ishte rënia e prodhimit të energjisë elektrike”, thotë BERZH.

Raporti nuk është përfundimtar dhe po aty BERZH thekson se borxhi publik mbi 68 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pa llogaritur këtu kontratat e dhëna sipas skemës partneritet publik-privat. Sistemi bankar vlerësohet si i konsoliduar megjithëse theksohet se gjithnjë e më shumë po pakësohen bankat nga vendet e Eurozonës, që po zëvendësohen me bankat vendase dhe të tjera jo nga vendet e BE-së.

Për 2020, BERZH këshillon tre prioritete. I pari lidhet me luftën kundër informalitetit dhe thjeshtimin e sistemit të taksimit.

“Informaliteti mbetet një prej pengesave kryesore për të bërë biznes dhe masa të tjera nevojiten. Mes këtyre masave duhet të jetë edhe një sistem taksash dhe procedurash i thjshtë dhe përforcim i kapaciteteve inspektuese, si dhe lufta ndaj korrpsioni në administratën publike”, nënvizon BERZH.

Prioriteti i dytë lidhet me përmirësimin e standardeve fiskale dhe të mirëqeverisjes.

“Me urgjencë duhet të trajtohet përmirësimi i mënyrës së dhënies së PPP-ve dhe forcimi i institucioneve dhe i shtetit të së drejtës. Gjithashtu, burimet e energjisë duhet të diversifikohen për të shkëputur varësinë e madhe që ka vendi nga energjia e prodhuar nga hidrocentralet”, shtohet në raport.

Këtu, BERZH përmend faktin se pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve ndërkombëtare, Qeveria vazhdoi përpara me koncesionet sipas skemës partneritet publik-privat, ku përmend nominalisht koncesionet Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara.

“Koncesione të mëdha sipas skemës PPP vazhdojnë të jepen, sidomos në sektorin e rrugëve (si shembull Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara), pa patur një analizë të mjaftueshme kosto-përfitim dhe pa garë", vëren BERZH.

Banka ka paralajmëruar se këto projekte mund të kenë kosto sociale, ekspozojnë qeverinë ndaj rreziqeve dhe për më tepër u janë dhënë pa konkurrencë firmave që kanë kapacitete të ulëta financiare, në raport me madhësinë e projektit.

"Mungeojnë të dhënat e përgjithshme dhe situata financiare e ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”, tha Banka.

Sfida e tretë lidhet me sektorin bankar.

“Sektori bankar mbetet i qëndrueshëm, por ka disa sfida të rëndësishme, përfshirë huadhënien relativisht të ulët në cilësi dhe sasi, ekspozimi i lartë ndaj borxhit sovran dhe varësia e madhe nga euro”, vëren BERZH.

Sa i takon rritjes ekonomike, me ulje e rishikuan parashikimin për 2019 edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN u tregua më optimiste duke e vlerësuar në 3 për qind, ndërsa BB në 2.9 për qind. Ndërkohë, gjatë diskutimeve për ndryshimet në buxhetin 2019 në fillim të nëntorit, Qeveria e uli parashikimin nga 4.3 për qind në 3.4 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë