Libra

Një novelë grafike zbulon sekretet e jetës së Ali Pashë Tepelenës

Nga Gazeta Si - Pse Shqipëria e fitoi e fundit e fundit pavarësinë nga "Porta e Lartë" ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit?

Kjo është një pyetje që e ka turbulluar autorin dhe piktorin Dritan Nasi që në leximet e para të historisë së Shqipërisë dhe në çdo libër dhe roman që ka lexuar për këtë temë.

"Pashallëku i mëndafshit vibrues" është novela grafike, një gjini e re në letrat shqipe që tenton të sjellë më afër lexuesit histori sekrete të Ali Pashë Tepelenës.

“Shqiptarët ishin shumë të rëndësishëm dhe me shumë pushtet në të gjitha drejtimet e Perandorisë Osmane. Por pse? Kjo është pyetja që më ka detyruar që të ulem për realizimin e kësaj sprove”, thotë autori Dritan Nasi për Gazetën “Si”.

Në “Pashallëku i mëndafshit vibrues” historia e Ali Pashë Tepelenës, haremit të tij, bashkëshortes së tij vjen e gërshetuar edhe me trill letrar.

Dritan Nasi

“Novela ndërtohet mbi përjetimet personale të emocioneve të të dy periudhave të ndryshme. Arbri një zyrtar që merrej me blerjet në oborrin e Pashallëkut të Ali Pashës dhe të Indritit një pushues pjesë e një grupi turistik. Që të dy kalojnë nëpër të njëjtat vende. Në këto çaste kaq të mprehta për vendin janë përfshirë Napoleoni kancelaritë europiane si dhe Porta e Lartë, konsulli francez dhe ai anglez. Këto përjetime përpiqen që të gjejnë përgjigje për ngjarjet historike më të rëndësishme që lidhen me historinë e popullit shqiptar. Të gjitha ngjarjet ndodhin paralelisht në të njëjtat vende, por në një ndarje kohore prej 200 vjetësh, në muajt e fundit të sundimit të Pashait gjithë pushtet Ali Pasha, dhe në një vizitë në sarajet dhe pashallëkun e tij”, shprehet Nasi për Gazetën “Si”.

Struktura e novelës ka një ndërthurje të rrëfimit, duke alternuar kapituj ku jemi në kohët e sotme, me një grup turistësh shqiptarë në Greqinë Veriore, në zonat bregdetare, në rajonin ku pak a shumë ka pasur sundimin e tij edhe pashai i Janinës.

"Kjo linjë është një reflektim tjetër, i sotëm, mbi pashain, nga Indriti, turisti i ri shqiptar, të cilin historia e ngacmon, por më shumë e sotmja, bukuria e natyrës dhe e njerëzve që ka përballë, mes të cilëve ai kërkon të gjejë kuptimin duke e lidhur dhe me të shkuarën. Dy vajza me bukuri të veçantë i ndërmendin atij vajzat e haremit të Pashait, veshja e tyre, linoja që i pëlqente dikur edhe plakut sundimtar, misteri magjik i të gjithë peisaizhit mes Janinës dhe ishujve të detit Jon, mbushur me sirena, si në kohë e Odisesë - të gjitha këto i japin një ton poetik e romantik novelës, duke e lidhur natyrshëm me temën kryesore”, vijon më tej Nasi për Gazetën “Si”.

Novela ka 16 kapituj që ndërthuren midis pashallëkut të Ali Pashës në ditët e fundit të tij dhe të udhëtimit turistik të një grupi pushuesish që shijojnë valët dehëse të detit.

“Është dhe një meditim mbi sirenat dhe nereidat dhe lidhjen që kanë me peisazhin krejtësisht të veçantë të labirinthit të ishujve mes detit Jon”.

Çdo kapitull ka dhe ilustrimin e vet që i jep një shprehje të veçantë të gjithë rrjedhës së ngjarjeve duke të përfshirë dhe më shumë në brendësinë e novelës. Autori i ilustrimeve është vetë autori i novelës duke e bërë më të plotë historinë e Ali Pashës.

"Kjo është një sprovë në llojin e vet, pasi është në formatin e një novele grafike. Realiteti që jam edhe piktor nëpërmjet këtij formati të jep më shumë mundësi që të krijosh një prizmë më të plotë, ku mund të përthyhet më mirë realiteti, midis figurave dhe fjalëve, duke nxjerrë në pah më shumë ngjyrime dhe brendësi nga thelbi i zhvillimit të ngjarjes. Tani në fund të realizimit të botimit po shikoj me dëshirë që mund të kishte edhe më shumë ilustrime pasi i shërbejnë zbërthimit të subjektit. Ke mundësi që të vizatosh me mjete të ndryshme idenë qendrore", përfundon autori rreth novelës grafike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë