Futboll

Një mit në klub prej 30 vitesh, gjithë PSG përulet para punonjëses së lavanderisë

Gazeta Si – Një nderim i jashtëzakonshëm nga klubi francez jo për ndonjë futbollist, as ndonjë drejtues, por për punonjësen e lavanderisë Sara Viera, e cila ka dalë në pension. Mbape e ka përshëndetur me shumë dashuri me një postim në Instagram, kurse skuadra e ka nderuar një javë më parë.

Sara Vieira, punonjëse e lavanderisë, largohet nga PSG pas 30 vitesh punë dhe klubi e lojtarët janë mobilizuar të gjithë për t’i bërë nderimin e duhur. Ajo ka qenë një institucion i vërtetë i klubit, e njohur dhe vlerësuar nga të gjithë. Një lidhje shumë e fortë me klubin dhe lojtarët.

Sara, 66 vjeç, zbiriti në fushë për shkelmimin simbolik të topit para ndeshjes mes PSG-së dhe Brestit në Kupën e Francës. Në korridoret e selisë së klubit dhe në dhomën e zhveshjes ajo prej 30 vitesh është një mit absolut, siç e tregojnë postimet e lojtarëve, me në krye Kilian Mbape.

Një punë në hije, por që i ka dhënë mundësinë të njohë nga afër kampionë të mëdhenj, si Ronaldinjo, Bekham, Djorkaef, Ibrahimoviç, dhe vitet e fundit Mbape, Mesi e Nejmar. Ka njohur zakonet e tyre dhe është kujdesur për lojtarë milionerë, që zakonisht pak rëndësi u kushtojnë sendeve personale.

Klubi i ka dhuruar një fanellë origjinale të PSG-së, ku shkruhej "Merci Sara" (faleminderit Sara), pastaj skuadra ka bërë disa foto me të. "Faleminderit Sara, 30 vjet në klub, nuk do të kemi kurrë fjalë për të falënderuar. Je gjithmonë e mirëseardhur këtu, në shtëpinë tënde”, - shkruante Mbape.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë