Lajme

Një mbretëreshë biblike si Yllka Mujo

A mos është ajo mbretëreshë Herodia, ajo që mban veshur  një kësulë të zezë, qëndisur me perla dhe  flokët e së cilës janë të spërkatura me pluhur blu? Kështu e përshkruan një prej ushtarëve mbretëreshën e Judesë, bashkëshorten e tetrarkut Herod Antipas, tek “Salome”,  tragjedia  me një akt e dramaturgut, poetit dhe romancierit të shquar britanik, Oscar Wilde.

Në Tiranë,  në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, gruan me pushtet manipulativ, e mishëron aktorja e njohur Yllka Mujo. Mujo, një nga aktoret e rëndësishme të Teatrit Kombëtar,  e  cila vetëm pak ditë më parë u ngjit në skenën e “ArTurbina”, në komedinë “8 Femra”, të regjisores Driada Dervishi, vjen për herë të parë në skenën e Eksperimentalit. Duke e cilësuar si një risi ngjitjen e saj në këtë skenë, ajo do ta cilësonte veprën Wilde, poetikë me tone dramatike, që do të ishte sfidë për të gjithë aktorët. Sipas aktores, e cila i ka prekur të gjitha zhanret e teatrit, sfida është me veten, sa mundet të eksplorojë dhe të japë nga brenda interpretuesi.

“Salome”, e cilësuar si një nga kryeveprat e Wilde, vjen premierë në TKEKS, mbrëmjen e 14 prillit, me regji të italianit Carlo Sciaccaluga. Oscar Wilde mori historinë biblike të vdekjes së profetit Gjon Pagëzori, që përshkruhet në dy ungjijtë e Dhiatës së Re, sipas Mateut dhe Markut, për të përcjellë mesazhe të forta si kritikë ndaj moralit viktorian, ndaj të cilit ai vetë qe një viktimë. Salomeja, e interpretuar nga aktorja Ermira Hysaj,  në tekstet biblike njihet pa emër, thjesht si e bija e Herodias,  thjeshtra e Herod Antipas, vajza e të vëllait të tij Herod Filipit, të cilin e vrau dhe i mori gruan. Ky bashkim i mëkatshëm në sytë e profetit  Gjon Pagëzori, për të cilin Wilde përdor emrin hebre Jokanaan, është i neveritshëm dhe ai e dënon publikisht. Herodi, që në shqip vjen i interpretuar nga Alert Çeloaliaj, e kishte burgosur Gjon Pagëzorin, por druhej të vinte dorë mbi të, duke e parë si njeri të Zotit.

“Por ndoshta është shija e dashurisë...Thonë se dashuria ka shije të hidhur” - Salome

“Ah, e paturpja, e përdala! Ah, bija e Babilonisë me sytë e saj të artë dhe qepallat e praruara. Kështu ka thënë Zoti, le të vijë kundër saj një shumësi burrash. Populli le të marrë gurë e të hedhë gurë mbi të...”, bërtiste Gjon Pagëzori nga sterna, ku e mbante të  burgosur  Herod Antipas, sunduesi i Galilesë dhe Pereas.  Ndërsa në Bibël, është Herodia që kërkon kokën e Gjon Pagëzorit, në shenjë hakmarrjeje për të gjitha fyerjet e saj, tek vepra e Wilde, është vetë Salomeja, princesha e Judesë, e betuar në virgjëri, brenda së cilës zgjohet një pasion mishtor për profetin, e që kërkon kokën e tij në një pjatë argjendi. Wilde përdor tekstet religjioze, ku edhe bazohej morali seksual në Anglinë viktoriane, për t’i folur shoqërisë se pasionet primordiale, si dëshira seksuale  mbizotërojnë edhe mbi moralin fetar. Salome thotë “As përmbytjet as ujërat e mëdha mund ta shuajnë pasionin tim.”

“Vetëm njerëzit e çmendur ëndërrojnë” - Herodia

“Nuk besoj në profetë”,  thotë Herodia, “A mundet një njeri të tregojë se çfarë do të ndodhë? Asnjë njeri nuk e di.” Duke iu referuar librit të Zbulesës, Jokanaan, nën interpretimin e aktorin Ervin Bejleri,  krahason Herodian me figurën e Jezebelit, duke e shpallur atë  një grua tradhtare,  që përdor joshjen seksuale për të korruptuar burrat dhe për t’i rrënuar ata. Tragjedia e Wilde-it është shtrembërimi i historisë biblike përmes krijimit të Salomesë si një viktimë dhe viktimizuese. Ajo është mishërimi i epshit tundues dhe pushtetit manipulues. Salomeja është objekt i  epshit dhe dëshirës së shthurur,  që çon tek obsesioni për kokën e prerë të Gjon Pagëzorit.

E gjithë vepra e Wilde është ndërtuar mbi stilin biblik. Imazhet, simbolet dhe diksioni janë referencë nga ungjijtë, profeti Isaia, Kënga e Solomonit dhe Libri i Zbulesës. “Por ndoshta është shija e dashurisë...Thonë se dashuria ka shije të hidhur”, thotë Salome në veprën e Oscar Wilde. Hëna është objekt qendror magjepsjeje në tragjedinë “Salome”, të cilën Wilde e ka përdorur për  një krahasim mes perëndeshës pagane Sibel, që ashtu si Salome, ishte e fiksuar të ruante virgjërinë dhe merrte kënaqësi në shkatërrimin e seksualitetit mashkullor. Për të arritur objektin e saj të dëshirës, për të puthur buzët e Jokanaanit, Salome përdor pushtetin seksual të vallëzimit të “shtatë vellove”. Duke e njohur dëshirën e fshehtë epshore  të Herodit ndaj saj, i kërkon atij kokën e Gjon Pagëzorit në pjatë argjendi. Puthja e kokës së prerë dëshmon atë që kritiku britanik Bram Dijkstra e quan “kurva e virgjër” .

https://www.facebook.com/tkeksperimental/videos/2734068593399093/

“Ti nuk doje të më jepje buzët e tu të kuqe”, i thotë Salome Jokanaanit të dekapituar, “ndërsa unë jam e gjallë dhe mund të bëj me kokën tënde çfarë të dua, do të t’i kafshoj buzët me dhëmbë siç kafshohet një frutë”.Por ajo nuk e di se është pikërisht zinxhiri i pasionit çoroditës që sjell edhe vdekjen e saj. Herodi, pasi sheh sesi Salomeja puth buzët e Jokanaanit, urdhëron vrasjen e Salomesë.  Në veprën e Wilde, vetëm Herodia duket se ruan tiparet  e portretizimit biblik, si një grua gjakftohtë e manipulative, ndërsa thotë “Vetëm njerëzit e çmendur ëndërrojnë”.

Oscar Wilde e shkroi veprën më 1891-shin, ndërsa regjisori italian, i  cili edhe pse është vetëm 31 vjeç thotë se nuk është një regjisor modern dhe se ka dashur të sjellë në skenë atë që vetë dramaturgu në fund të shekullit të 19-të dëshironte të përcillte, e që nga shumë kritikë është parë si shpërfaqja e homoseksualitetit të tij, përmes kësaj vepre. Ai është cilësuar si martit i moralitetit seksual viktorian.

Pesë vjet para vdekjes së tij, Wilde kaloi, thuajse brenda natës, nga të qenit një nga figurat më të larmishme dhe të kremtuara të Britanisë tek krimineli më i njohur seksual. Kur ai vdiq nga meningiti cerebral, në një dhomë hoteli në Paris më 30 nëntor, 1900, në moshën 46- vjeçare, ai kishte jetuar në mërgim në Francë, për më shumë se tre vjet, i thyer në shpirt dhe trup, trokë dhe i izoluar nga shoqëria e respektuar britanike. Në 1895, në kohën e arrestimit ai ishte dramaturgu  kryesor dhe një prej mendjeve të ndritura të  Britanisë, i nderuar në qarqet intelektuale.

Edhe përpara famës, si dramaturg dhe romancier, ai ka qenë zëdhënës i kultit të  Estetizmit apo i " artit për hir të artit", që  nisi të shpërndahej me mbërritjen e Wilde-it  në skenën kulturore, më 1881. Vdekja e tij më 1900, tre vjet pasi kishte pubikuar Poemën e tij të kremtuar  “Balada e  burgut Reading” përkoi me fundin e një dekade “Nënëdhjetat e Verdha”, Epoka e Dorianit, e shoqërizuar me të, sa për personalitetin dhe jetën e tij ashtu edhe për arritjen si shkrimtar dhe mendimtar. Wilde nuk mundi ta shihte veprën e tij në skenë për publikun britanik, më 1918, pasi kishte ndërruar jetë në kapërcyell të shekullit, duke profetizuar se nuk do ta arrinte dot shekullin e ri.

“Nuk besoj në profetë.A mundet një njeri të tregojë se çfarë do të ndodhë? Asnjë njeri nuk e di" - Herodia.

“Askush nuk mund ta thotë sesi Zoti punon. Rrugët e tij janë të mistershme. Mund të ndodhë që gjërat, të cilat i quajmë të liga  janë të mira dhe to që i quajmë të mira, të jenë të liga”, thoshte Wilde përmes një prej personazheve të tij në “Salome”, e cila do të vijë për publikun shqiptar këtë të diel. Sipas historisë, mbretëreshë Herodia, ishte divorcuar nga bashkëshorti i parë, Filipi, ku ai ishte ende gjallë, duke çoroditur kështu ligjet hebraike. Një akt që tregonte çlirimin e gruas dhe pushtetin e saj. Në Europën mesjetare kishte një besim të shpërndarë që e mbante Herodian, si udhëheqësja e mbinatyrshme e një kulti shtrigash, e ngjashme me Dianën, Holdën dhe Abundian. Bashkë me Salomenë, Herodia  është subjekti i shpeshtë në artin e Mesjetës së Vonë dhe të Rilindjes, në imazhet që shpërfaqin pushtetin e grave e që në këtë shfaqje teatrore vjen me fuqinë interpretuese të një aktoreje si Yllka Mujo./  S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë