Libra

Një libër poetik për baballarët e rinj dhe nënat e reja

Sabina Veizaj – Teksa më parë ai përpëlitej kryesisht duke gërmuar e nxjerrë nga nëntoka e shpirtit gjithë shqetësimet ekzistencialiste të qënies së vetë, por edhe të atyre që e rrethonin e që ai i prekte, prej pak kohësh ai ka një burim të ri të së bukurës, Lirin, djalin e tij 2 vjeçar përmes syve të të cilit ai mat, vlerëson, dashuron apo urren botën.

  1. Lir
    E pagëzuam djalin tonë Lir jo për shkak të asnjë
    mbretërie e as për shkak të asnjë mbreti, jo për shkak
    të gjigantit dramatik që e quanin Shakespeare, por për
    shkak të konceptit të lirisë së mendjes, që është rruga e
    vetme drejt dritës. E pagëzuam Lir nga e drejta e tij
    për të qenë i lirë. E pagëzuam Lir nga nevoja jonë për
    të qenë të lirë.

Ky është një fragment i librit më të ri të poetit kosovar Shpëtim Selmani.
Libri i botuar në fund të 2019-ës dhe që titullohet “Libërthi i dashurisë” është një vlerë e shtuar për Selmanin, jo vetëm në lëmin artistik, por mbi të gjitha si qenie humane.

Shpëtim Selmani

Shpëtim Selmani është një artist shumëdimensional.

Ai ka mbaruar studimet Master në Fakultetin e Arteve – Aktrim. Luan në teatër në Kosovë, por ka prekur edhe shumë skena të teatrove ndërkombëtarë.

Artisti i ri kosovar ka nisur të shkruajë poezi shumë herët që në fëmijëri. Selmani sprovon veten edhe në prozë, dramë e publicistikë.

Poeti ka qenë pjesë e disa rezidencave letrare në rajon. Në gusht të 2017-ës ka qenë i ftuar në rezidencën “Poeteka-Tirana in Betweeen” ku do të thoshte se vinte në Tiranë për t’u frymëzuar. Asokohe ai qëndroi një muaj në metropolin shqiptar ku nisi të shkruante edhe “Libërthin e dashurisë”.

Shpëtim Selmani nuk është një vëzhgues i rëndomtë i fenomeneve për ti përkthyer ato në vargje a prozë.

Në tekstet e tij ndjen një frymë tjetër, që lë mbrapa kanonet e letërsisë tradicionale.

Ai fymëzohet nga “Beat generation”. Brezi i Beat ishte një lëvizje letrare e nisur nga një grup autorësh, puna e të cilëve ndikoi në mënyrë thelbësore në kulturën dhe politikën amerikane në epokën e pasluftës. Pjesa më e madhe e punës së tyre u botua dhe u popullarizua gjatë gjithë viteve '50. Elementet qendrore të kulturës së Beat janë refuzimi i vlerave narrative standarde, kërkimi shpirtëror, eksplorimi i feve Amerikane dhe Lindore, refuzimi i materializmit ekonomik, portretizimet e qarta të gjendjes njerëzore, eksperimentimi me drogëra të ndryshme dhe çlirimi seksual .

Selmani është shumë i drejtpërdrejtë, jo i ndrojtur, përkundrazi tejet i guximshëm për fjalët që përdor për ti dhënë zë ndjenjave, ndjesive dhe të vëzhguarit të realitetit.

  1. Beat
    Duke e ndjerë veten baba, në mes të mutit deri në
    gjunjë. Në mes të kërkesave primitive për ta përqafuar
    një tjetër Shpëtim që nuk isha. Në mes një arkaizmi
    idiot që shtyp liritë e qenieve. Në mes një fshati të
    humbur ku nuk mund t’i gjesh as vezët e dreqit. Në
    mes një turme njerëzish që nuk dinë gjë mbi librat e
    Roberto Bolanos. Në mes një heroizmi të pashoq për
    ta mbajtur gjallë ende konceptin e pronës. Në mes një
    injorance heroike. Në mes një vendi që ishte ndërtuar
    mbi vlera të gabuara njerëzore. Në mes disa shtëpish
    që nëpër raftet e tyre nuk kishin asnjë libër. Në mes
    disa komodinave ku mund të gjeje me tepri çelësa
    veturash të llojllojshëm. Në mes një mendësie të errët
    ballkanike. Në mes të një tregu të llafeve të shumta.
    Në mes të një robërie të mendjeve të lashta. Në mes të
    një përqafimi të domosdoshëm të traditës së shpifur.
    Të zakoneve të vjetra që ta fusin tmerrin në sy. Në
    mes të një jete të trazuar ku nuk jetohej për vete. Ku
    liria ishte një simptomë e njerëzve të çmendur që
    kishin dalë në djerrina psikopatësh. Ku jeta për veten
    ishte një dritë e largët. Në mes zombieve të frikshme e
    djajve që jetonin të lumtur në trupat e tyre. Në mes
    një mjerimi intelektual, shpirtëror dhe njerëzor. Bërtisja para të gjithëve I belong to the beat generation*. Pastaj
    pshurrja mbi emrin tim. Shkruar me gjak në dyshemenë e realitetit.
    *Bob McFadden - The Beat Generation.

Me “Libërthin e dashurisë” ai vjen pak ndryshe; në formë. Përmbajtjen e sjellë në prozë poetike, por për këtë ai nënkupton se pak rëndësi ka. E rëndësishme është ajo që thotë.

Gazeta “Si” bisedoi me poetin Selmani për të kuptuar se çfarë sjellë ky libër i ri i tij që tashmë gjendet në librari.

Çfarë përfaqëson “Libërthi i dashurisë” për ty?

Libërthi i dashurisë
Ilustrimet Rina Krasniqi.
Dizajni Driton Selmani.
Shtepia Botuese Armagedoni.

Një periudhë të pjekurisë njerëzore, një çast kur duhet të futesh në egërsinë e pashoqe të mbijetesës. Një himn dashurie për njeriun e ri. Mbi të gjitha luftën e njeriut bashkëkohor për ta kuptuar veten, funksionin dhe rolin e tij në një botë e cila po e rruan dreqi.

Pse duhet ta lexojnë të tjerët dhe kush duhet ta lexoj?

Nuk e di a duhet që të tjerët ta lexojnë dhe kjo gjë nuk është se më intereson edhe aq shumë. As të rekomandosh nuk është aq e lehtë kur kemi parasysh terrorin e kohës në të cilën përkasim megjithatë po, nëse kanë kohë e dëshirë le ta lexojnë baballarët e rinjë dhe nënat e reja.

Çfarë vlere artistike letrare sjellë?

Nuk e di. E kam vështirë të përgjigjem në këtë pyetje. Nëse dikush do të më falendëronte për këtë libër do të isha i kënaqur. Jeta njeh shumë vlera të zakonshme, fare të natyrshme dhe nëse do të arrija të futesha në këtë territor vlerash, do të isha i kënaqur për ca çaste.

Forma këtë herë vjen ndryshe nga librat e tjerë të botuar prej teje; stili i njëjtë, por këtë herë ke ardhur me prozë poetike, apo gaboj?

Është një libër fragmentar. Fragmente që kanë një bazë të përbashkët. Mund ta quani si të doni. Shpresoj që t’i ketë të dyja. Prozën dhe poezinë.

Çfarë të reje ke sjellë për lexuesin tënd me këtë libër?

Një libër më shumë në tërësinë e librave shekullor. Një zë më shumë. Një shqetësim më tepër.

Dilemat, pikëpyetjet, refleksionet, kundërshtitë i prekin të gjithë në këtë libër, nuk shpëton askush. Është mllefi i poetit që i trazuar nuk mund të gjej qetim asnjëherë, apo çfarë?

Mendoj se qenia e rritur njerëzore është një rezultat i kundërshtive që ka brenda tij. Në një botë ku arsyeja dhe pasioni gërshetohen, nuk ka qetësi. Në një botë që kërkon nga ne shpesh atë që nuk duam ta japim apo e japim atë që nuk e kërkon natyrisht se ka trazime. Sall budallenjtë dhe idiotët mund të jetojnë të qetë.

A Mund të jetë ky libër një ditar universal, që lind nga lindja e Lirit, birit por që nënkupton lirinë e amëshuar për të cilën ëndërrojnë dhe përpëliten të gjithë?

Shpresoj të jetë ashtu. Po Lir e kam pagëzuar nga dëshira që ai të jetë i lirë. Se a mund të jetë apo jo, se a mund ta ketë lirinë apo jo është cështje tjetër e cila i përket pushtetit të së ardhmes. Unë thjesht dëshiroj që përmes Lirit (djalit tim), të gjithë bashkëkohësit e tij të jenë të tillë. Të lirë, në një botë që synim ka paqen dhe e cila është e kënaqur me veten e saj. Me aq sa shoh kam dyshime të frikshme. Por ama jetojmë në një periudhë e cila kërkon nga ne, të jemi përtej dyshimeve tona dhe ëndërrimtarë qesharak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë