Libra

Një libër për ata që kanë tradhtuar dhe për ata që janë tradhtuar 

Tradhtia bashkëshortore ka ekzistuar që kur është shpikur martesa dhe po ashtu edhe tabuja kundra saj. Ajo është përfshirë në legjislacion, është debatuar, politizuar dhe demonizuar gjatë gjithë historisë. Dhe, pavarësisht nga dënimi publik, mosbesnikëria ka një lloj këmbënguljeje, që martesa veçse zili mund ta ketë. Është kaq domethënëse, sa është i vetmi mëkat të cilit i përkojnë dy urdhëresa në Bibël, njëra kur e bën dhe tjetra vetëm kur mendon ta bësh.

Ky mendim vjen nga psikologia Esther Perel, autore e librit “As të parët, as të fundit”, i cili vjen në shqip nga Botimet “Pegi”, me përkthimin e Artan Mirakës. Këshillat e Perel, një prej zërave më me ndikim, në fushën e marrëdhënieve dhe të lidhjeve moderne, vjen si lexim i detyruar për të gjithë ata që kanë tradhtuar, janë tradhtuar apo thjesht kanë nevojë për një strukturë të re mendore dhe emocionale, me të cilën të kuptojnë lidhjet.

Mjafton ky ‘mëkat i vogël’ që t’i japë fund marrëdhënies së një çifti, lumturisë apo identitetit të tyre: një aferë. Por, edhe pse kaq e përhapur, kjo dukuri kuptohet fare pak. Megjithatë, ky libër nuk flet vetëm për mosbesnikërinë. Aferat na mësojnë shumë për marrëdhëniet: çfarë presim, çfarë mendojmë se duam dhe çfarë na duket e drejtë. Ato janë një dritare unike nga mund të shihen qëndrimet tona personale dhe kulturore mbi dashurinë, epshin dhe besnikërinë.

“Dua të nxis një bashkëbisedim mes jush dhe të dashurve tuaj për çështje të tilla si besnikëria dhe mirëbesimi, dëshira dhe përmallimi, xhelozia dhe posesiviteti, sinqeriteti dhe falja. Ju nxis të pyesni veten, të flisni për ato që nuk thuhen dhe të mos keni frikë të përballeni me korrektësinë seksuale dhe emocionale”, thotë autorja, e cila drejton një klinikë psikoterapeutike në Nju Jork dhe punon si këshilltare e jashtme për disa nga shoqëritë më të mëdha në botë.

Na pëlqen apo jo, vijon Perel, flirtimi është diçka që ndodh ngaherë. “Dhe, pavarësisht se sa bojë është derdhur për të na këshilluar se si ta “mbrojmë nga tradhtia” marrëdhënien tonë, kjo nuk i ka mbajtur në fre as burrat dhe as gratë”. Mosbesnikëria nuk ndodh vetëm në martesat më të këqija, vëren autorja, por edhe në ato të mirat apo edhe atje, ku tradhtia dënohet me vdekje. Ndodh edhe në marrëdhëniet e hapura, madje. Liria për t’u ndarë apo divorcuar nuk i ka nxjerrë ende nga moda gënjeshtrat. “Pasi i kam hyrë thellë e më thellë kësaj teme, kam dalë në përfundimin që nuk ka asnjë të vërtetë të thjeshtë dhe asnjë tipologji gjithëpërfshirëse, që ta përshkruajë këtë sprovë të pasionit dhe të tradhtisë. E vetmja gjë, që mund ta them me siguri, është se asgjë nga ato që do t’ju tregoj nuk është e stisur”, thotë Perel, shkrimet e së cilës janë botuar shpesh në media prestigjioze si The New York Times, The Washington Post, The Wall Street Journal, Le Monde, The Guardian, The New Yorker dhe Vogue.

“Pritshmëritë tona për martesën nuk kanë pasur kurrë më parë përmasa kaq epike. Ende duam gjithçka që jepte familja tradicionale – sigurinë, fëmijët, pronën dhe respektin – por tani duam edhe që partneri të na dojë, të na dëshirojë, të jetë i interesuar për ne.

“Esther Perel nuk kërkon t’ju bindë me fraza prekëse dhe ngushëlluese. Ajo përpiqet t’ju sjellë me këmbë në tokë dhe t’ju ndërgjegjësojë, duke ngulmuar në rëndësinë e bashkëpunimit, të veprimeve e të fjalëve, si çelësa të një martese të lumtur”, shkruan New York Times mbi librin “As të parët, as të fundit”. Ndërsa The Guardian këshillon se “nëse martesa juaj gjendet në ujëra të turbullta, ky libër mund t’ju ndihmojë”. A është pritshmëria që kemi nga bashkëshortët një nga faktorët kryesorë të mungesës së besnikërisë? New York Post e ka parë kështu burimin e tradhtisë, sidomos në martesa në dukje të lumtura.

“Pritshmëritë tona për martesën nuk kanë pasur kurrë më parë përmasa kaq epike. Ende duam gjithçka që jepte familja tradicionale – sigurinë, fëmijët, pronën dhe respektin – por tani duam edhe që partneri të na dojë, të na dëshirojë, të jetë i interesuar për ne. Duam të jemi shokët më të ngushtë, njerëzit më të besuar dhe të dashur pasionantë. Imagjinata njerëzore ka krijuar një Olimp të ri: që dashuria të mbetet e pakushtëzuar, intimiteti magjepsës dhe seksi “oh, sa eksitues”, për rrugëtimin e gjatë me një person.

“Ju nxis të pyesni veten, të flisni për ato që nuk thuhen dhe të mos keni frikë të përballeni me korrektësinë seksuale dhe emocionale” – Esther Perel, psikologe

Dhe rrugëtimi i gjatë vazhdon të bëhet edhe më i gjatë”, argumenton Perel në librin e saj. Presim që një person të na japë atë që dikur e jepte një fshat i tërë dhe jetojmë dyfish më gjatë. “As të parët, as të fundit” analizon mungesën e besnikërisë nga të gjitha pikëpamjet – personi që tradhtoi, personi i tradhtuar dhe pala e tretë – në përpjekje për të kuptuar se si mund t’i bëjmë më të qëndrueshme lidhjet moderne”, shkruan The Washington Post. Fjalimet e Perel mbi lidhjet moderne tërheqin miliona dëgjues dhe shikues, ku vetëm ato të mbajtura në TED, kanë arritur mbi 20 milionë të tillë.

Libri i saj i parë, “Të çiftohesh në robëri: zbërthimi i inteligjencës erotike” u kthye në fenomen dhe u përkthye në 24 gjuhë të botës. Ajo është e ftuar e përhershme në shfaqje radiofonike dhe televizive, përfshi Brian Lehrer Show të NPR, Oprah, The Today Shoë, Dr. Oz dhe The Colbert Report. Përveç praktikës terapike të saj 30-vjeçare në Nju-Jork, Perel është një mësuese dhe spikere shumë e njohur në të gjithë botën. Libri i Perel, shkruan Corriere della Sera, na udhëzon të mos i shohim gjërat bardhezi. “Është më e thjeshtë nga ç’mund ta mendoni: mjafton t’i lexoni këto histori pa paragjykuar, as ndodhitë, as njerëzit.”

Deri tani, monogamia ka qenë konfigurimi ynë standard dhe bazohet në supozimin që, kur dashuron vërtet, nuk tundohesh më nga të tjerët. Kjo është arsyeja, argumenton autorja, pse shpesh një flirt apo tradhti shërben për të nisur bisedën. Pasi trilli merr fund dhe nuk vazhdon të mbrohesh më, mund të filloni të jeni më të hapur me njëri-tjetrin.  Një nga gjërat që Perel paralajmëron është se martesa “100% e sigurt” nuk ekziston. Edhe pse hyn në një terren të kodeve morale, si mungesa e besnikërisë apo tradhtia, libri i Perel e eksploron perspektivën e gjerë të mosbesnikërisë bashkëshortore, në mënyrë shumë njerëzore dhe asnjëherë moraliste. Lexim të këndshëm!

 

Më Shumë