Libra

Një “kuvend” letërsie me shkrimtarët e mërgatës

Nga Luljeta Nelallari- Letërsia si produkt artistik, qysh në krye të herës, i ka “ngjyer” pashmangmërisht rrënjët në identitete kombëtare. E një nga tiparet e letërsisë sonë jashtë territorit shqiptar është karakteri atdhetar i krijimtarisë së tyre. E pikërisht ishte atdheu, shtëpia, vendlindja, ajo që i bëri bashkë shkrimtarët e mërgatës për të dhënë detaje rreth letërsisë së migracionit dhe për të shkëmbyer mendime rreth odisesë së jetës së tyre artistike.

Një rikthim i njerëzve të letrave organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën, institucion në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, e ktheu Tiranën në pikëmbërritje të autorëve shqiptarë që lëvrojnë e botojnë në vendet e BE-së e deri në Amerikën e largët.

Një “kuvend” letërsie i ndarë në panele dhe tema të ndryshme, ku në fokus ishte kujtesa, identiteti, përkthimi, barrierat kufitare në kërkim të lirisë jashtë atdheut apo makthi i përsosjes përfundimtare në vendlindje.

Temat e ndryshme erdhën nën moderimin e personazheve të rëndësishëm të botës kulturore si Alda Bardhyli, Persida Asllani, Arta Marku, Lili Sula, Diana Kastrati, Ben Andoni. Pjesëmarrës në panele ishin autorë të njohur të letërsisë si Bashkim Shehu, Ardian Ndreca, Ndue Ukaj, Thanas Medi, Luan Topçiu, Denata Ndreca, Griselda Doka, Rudolf Marku, Arben Dedja, Flutura Açka, etj.

Cilat janë sfidat që autorët kanë hasur? Si ka ndikuar kujtesa, jo si fakt real, por si përjetim? Si e gjejmë poezinë sot, po romanin? Këto ishin disa prej temave ku u orvatën autorët e diasporës.

Denata Ndreca nga Shkodra, e cila boton në Firence tha se të shkruash nga korniza e mërgimtarit është një sfidë më vete.

“Është sfidë shumë e madhe nga korniza e mërgimtarit. Njërën kam e kisha në Shkodër e te Gjergj Fishta e një kam në Firence, kisha si qëllim të nxjerr në pah zërin e grave, të gruas shqiptare”, tha ajo.

Ndërsa autori shqiptar, Thanas Medi, i cili jeton në Greqi, duke ndjekur edhe një rend kronologjik nga letërsia socrealiste tha se tani duket sikur ka humbur magjia e romanit.

“Unë kam jetuar në të dyja periudhat. Gjatë socrealizmit ndieja se diçka më pengonte. Në poezi isha konform rregullit. Poezia ka ecur shumë dhe me cilësi shumë të lartë, pavarësisht leximit. Romani në krahasim me periudhën e socrealizmit duket sikur ka humbur magjinë”, u shpreh ai.

Griselda Taka dhe Denata Ndreca, poete që jetojë në Itali thanë se në poezi ka një rol të padiskutueshëm identiteti dhe se poezia e traditës ka ndikuar në rritjen e nivelit të poezisë.

Sa i përket letërsisë kosovare, poeti kosovar, Ndue Ukaj, tha se duhet të hiqen barrierat.

“Letërsia e Kosovës përditë e më shumë po unifikohet, mendoj që duhet një institucion kulturor për heqjen e barrierave, shumë pak libra të Kosovës gjenden nëpër libraritë e Shqipërisë”, tha Ukaj.

Takimin e përshëndeti edhe ministri Majko, i cili vlerësoi kontributin e autorëve të njohur të letërsisë shqipe, të cilët largësia nga atdheu i nxiti të pasuronin letërsinë, artin dhe identitetin kombëtar. Ai theksoi se letërsia e diasporës i ka  fillesat te Rilindja Kombëtare, nga Frashëllinjtë në Turqi, te De Rada në Itali.

“Është koha të flitet për letërsinë kombëtare shqiptare. Ju jeni ambasadorët e kulturës dhe të penës shqiptare. Ky nuk është emërim administrativ dhe as kompliment. Ai ka peshën e fjalës dhe të heshtjes”,  u shpreh ministri Majko. 

Më tej, ai shtoi se mbi njëqind shkrimtarë shqiptarë aktivë në gjithë botën po krijojnë e kontribuojnë për letërsinë tonë kombëtare, ndërkohë në komunitetet e shumta shqiptare, si shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve në Gjermani e Austri”, po bëhen promotorë të rëndësishëm të përhapjes së letërsisë shqiptare.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, vlerësoi kontributin e të gjithë personaliteteve shqiptarë në fushën e kulturës, të cilët në kohët më të errëta që ka kaluar Shqipëria kanë kontribuar në mbijetesën e saj dhe kanë shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendit.

Përmes një letre, aktivitetin e përshëndeti edhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, shkrimtari Gazmend Kapllani.

Në takim nuk munguan edhe autorë shqiptarë si Stefan Çapaliku, Virion Graçi, Enkel Demi (Tom Kuka), njerëz që puna i lidh me librin si dhe dashamirës të librit dhe leximit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë