Bota

‘Një javë pushime falas në Rodos, vitin tjetër’, vendimi i qeverisë greke për turistët që u larguan nga zjarret

Qeveria greke do të ofrojë një javë pushime falas në Rodos për ata turistë që u detyruan të ndërpresin qëndrimin e tyre në ishull për shkak të zjarreve shkatërruese, njofton kryeministri, Kyriakos Mitsotakis.

"Qeveria greke, në bashkëpunim me autoritetet lokale, do të ofrojë një javë pushim falas në Rodos në pranverën ose vjeshtën e ardhshme për të gjithë ata që e humbën atë për shkak të zjarreve”, vuri në dukje kryeministri, duke folur në kanalin britanik ITV mëngjesin e së mërkurës.

Kryeministri tha se "siç dihet, zjarre të mëdha kanë ndodhur gjithmonë në Mesdhe", por "ajo që ka ndryshuar vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike është shkalla e tyre".

“Kemi pasur një zjarr shkatërrues në Rodos, por sot ishulli është kthyer në normalitet dhe nuk ka asnjë front aktiv”, shprehet kreu i qeverisë greke, raporton Kathimerini.gr. 

Së fundmi, Kyriakos Mitsotakis deklaroi se gjatë zjarreve nuk ka pasur humbje në jetë njerëzore dhe as raportime për të lënduar.

"Ne arritëm të evakuonim 20,000 njerëz me siguri të madhe," përfundoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë