Vende dhe Udhetime

Një ishull italian po paguan nga 15.000 euro që njerëzit të shkojnë të jetojnë atje

Për këdo që ka ëndërruar të jetojë në Itali, tani kanë një mundësi më shumë. Madje mund të paguhen për të jetuar në Itali.

Ishulli mahnitës i Sardenjës është përgatitur t'u paguajë njerëzve 15,000€ për t'u shpërngulur atje. Është e vështirë të imagjinohet që një vend kaq i bukur duhet të paguajë njerëz për t'u zhvendosur në brigjet e tij, por qëllimi është të tërheqë banorë të rinj në mënyrë që të luftohet numri i pakësuar i popullsisë.

Dhe drejtuesit janë seriozë në propozimin e tyre duke lënë mënjanë 45 milionë euro për këtë projekt.

Pjesë të tjera të Italisë po përdorin premtime të ngjashme parash për të joshur një popullsi të re, nga rajoni i Kalabrisë i cili po u jep banorëve të rinj rreth 33,000 dollarë secilit dhe në fshatin Santo Stefano di Sessanio, u ofrohet njerëzve deri në 52,500 dollarë për të jetuar atje dhe për të punuar.

Në SHBA, ka pasur programe të ngjashme, me rajone, qytete dhe shtete që paguajnë njerëzit për të lëvizur atje.

“Ne kemi krijuar kushtet që të rinjtë të vendosin të qëndrojnë dhe të zhvillojnë vendin”, tha Christian Solinas, kryebashkiaku i Sardenjës.

“Nuk mund të ketë rritje pa një zgjerim real të territoreve, të zonave të brendshme dhe atyre më të pafavorizuara, të cilat duhet të kalojnë përmes politikave të reja për ripopullimin e tyre”.

Çfarë duhet të dini?

Ashtu si me cilindo nga këto programe, ka një ‘kleckë’. Për t'u kualifikuar, duhet të zhvendoseni në një qytet të Sardenjës me një popullsi prej më pak se 3,000 banorë. Paratë duhet të shkojnë edhe për rinovimin e një shtëpie. Ju duhet të jetoni atje me kohë të plotë dhe brenda 18 muajve, ju duhet të regjistroni Sardenjan si vendbanimin tuaj të përhershëm.

Ishulli i dytë më i madh në Mesdhe, Sardenja është i famshëm për ujërat e tij të pastër, rrënojat e epokës së bronzit dhe ushqimin e shijshëm. Ajo ka më shumë se 1900 km vijë bregdetare të mbushur me plazhe me rërë.

Disa nga fshatrat e vegjël që kualifikohen për programin përfshijnë Galtellì (i popullarizuar për ecje) dhe Calasetta (i cili njihet për plazhet e tij spektakolare me rërë të bardhë).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë