Futboll

Një ‘i panjohur’ i mohon fitoren Tiranës, Matias Lloci shënon 2 gola për 3 minuta për Teutën

Gazeta Si – Tirana u ndal sot nga Teuta e vendit të fundit. Ndeshja e luajtur në stadiumin ‘Niko Dovana’ përfundoi në barazim, 2-2, me kryeqytetasit që ishin në avantazh të dy golave, por në fund dolën vetëm me një pikë.

Regi Lushkja dhe Kristal Abazaj shënuan për Tiranën, kurse Rimal Haxhiu ‘hëngri’ një gol të sigurt, duke goditur shtyllën. Dukej se bardheblutë po shkonin të sigurt drejt fitores së dytë radhazi, por planet e tyre u prishën nga një ‘i panjohur’ në Superiore.

Matias Lloci, një lojtar 23-vjeçar që ka ardhur nga Belgjika, u fut në fushë si zëvendësues dhe, pasi goditi traversën, shënoi 2 gola për Teutën, në minutat ’80 dhe ’83. Durrsakët iu afruan edhe golit të fitores në fund, por nuk patën fat. Tirana e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, sepse Albi Doka u ndëshkua me karton të kuq.

Për t’u kthyer te Lloci, ai më parë u testua te Vllaznia, që nuk preferoi ta mbante. Të njëjtën gjë bëri edhe Kukësi, ndërsa Teuta i besoi dhe sot ai ia shpërbleu me dy gola dhe një pikë, që ndoshta mund të shërbejë si pika e kthesës për mbijetesën në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë