Kombetarja

Një humbje ‘shprese’ nga Varshava!

Gazeta Si - Të gjesh gjëra pozitive në një humbje të një ndeshjeje futbolli, është gjithmonë e vështirë, aq më pak të mësohesh me shprehjen "humbje dinjitoze", që prej vitesh na ishte bërë refren. Humbja mbetet e tillë dhe nuk ndryshon asgjë në aspektin statistikor të sportit, zero pikë sido t'i rrotullosh po zero mbeten.

Megjithatë, futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe si e tillë për të fituar një ndeshje, ashtu si edhe kur e humbet, ka një sërë faktorësh, edhe për këtë arsye ky sport konsiderohet veç më i bukuri në botë edhe më kompleksi.

Le t'i kthehemi humbjes së Shqipërisë, në ndeshjen e parë të fushatës eliminatore të Europianit, debutimi i Silvinjos dhe skema e re (4-3-3), e përshtatur me thuajse gjysmën e potencialit real që ka brezi i lojtarëve kuqezi. Themi gjysmën, pasi mungonin disa prej elementëve kryesorë, si Armando Broja apo Berat Gjimshiti, Ardian Ismaili, Klejdi Bare, Amir Abrashi, apo zero minutat e portierëve kryesorë Berisha e Strakosha.

Uzuni gjate ndeshjes me Polonine. Gazeta Si, 28 mars 2023

Po ashtu, Asllani, Gjasula (20 minuta në 2023), Kumbulla vetëm një ndeshje, për të mos folur për nivelin e kampionateve të Arabisë Saudite, ku luan aktualisht Sokol Cikalleshi, apo Korenë e Jugut ku luan debutuesi i kësaj ndeshjeje me kuqezinjtë, Jasir Asani.

Nuk ka asgjë për të justifikuar askënd, por thjesht një rikujtesë për të kuptuar edhe një herë se kush jemi realisht dhe kush ishin ata që zbritën mbrëmë në fushë. Pavarësisht gjithçkaje të sipërpërmendur, ne nuk kishim asgjë më pak në ato 94 minuta se sa skuadra polake.

E drejtuar nga Fernando Santor me 1078 pankina në karrierë, e udhëhequr nga Levandovski, golashënuesi i La Ligës, Zielinski mesfushori i Napolit dominues në Serinë A dhe Champions League, apo portieri Shezni i Juventusit, për të mos i përmendur me rradhë të gjithë.

Këta lojtarë e kanë renditur Poloninë në vendin e 22-të në renditjen botërore me rezultatet e tyre të paktën të vitit të fundit, ndërsa më të mirët e kuqezinjve, jo vetëm ata që ishin dje, e kanë renditur Shqipërinë në vendin e 66-të.

Megjithatë, në përfundim të ndeshjes, ishte Uzuni në të paktën dy raste dhe Asllani, që tentuan të barazonin dhe për të thënë të vërtetën, për fatin e tyre të keq dhe superformës së portierit Shezni, nuk ia dolën.

Një Shqipëri që krijon 18 raste, kundrejt 20 të polakëve dhe që tenton të shënojë dhe kontrollojë topin në gjysmëfushën e Polonisë deri në kohën shtesë, kishte kohë që nuk e shihnim dhe duhet të kthehemi pas në memorje për të gjetur një ndeshje të tillë.

Dhe nëse morëm një humbje dhe zero pikë, nga Varshava e sigurt është fakti që morëm shumë sinjale të mira të një skuadre që rigjeti zemrën dhe shpirtin dhe e dha atë në fushë, ashtu siç e ka shndërruar në refren trajneri Silvinjo. Një skuadër që luan futboll, sulmon, gabon, mundet, por që mbi të gjitha krijon dhe herët a vonë, një lojë e mirë do të japë frytet.

Megjithatë, Polonia ndoshta nuk është kundërshtari ynë për të matur forcën, apo edhe për ta mundur, sepse jo rastësisht kemi 70 vite pa fitore ndaj tyre. Ndaj një ekipi si polakët të gjithë kemi shumë argumenta justifikimi dhe të gjithë jemi më tepër në një mendje me trajnerin kur thotë, se “barazimi do të ishte rezultati më i drejtë”.

Por për të arritur objektivin që kemi, vajtja në finalet e europianit në Gjermani 2024, na duhet të mundim kundërshtarët më pranë nivelit tonë (të paktën në letër) duke filluar nga ndeshja e radhës, Moldavinë më 17 qershor, më pas me radhë. Këtë herë vajtja në Europian duhet të vijë nga fusha, jo nga "qielli"!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë