Para

Një epokë e re për botën: Shpenzime për të gjithë!

Dimri i 1973-74 ishte i zymtë dhe i ngjashëm me atë që na pret tani. Në përgjigje të një konflikti gjeopolitik, çmimet e energjisë kapën majat. Përreth Europës, çmimet e gazit u dyfishuan, po ashtu edhe të naftës. Kjo duket se nuk ka një fund të afërt.

Në mes të krizës, Willy Brandt, kancelari i Gjermanisë perëndimore përmblodhi në një fjali të gjitha qëndrimet zyrtare “Këtë dimër do të vishemi më trashë dhe ndoshta edhe dy a tri dimrat në vazhdim. Por nuk do të vuajmë”. Qeveria e tij, si të tjerët, synonte uljen e konsumit të lëndëve fosile, duke vendosur limite shpejtësie, ditë pa makina dhe të fiken kondicionerët. Suedia dhe Holanda vendosën kursim të naftës dhe Italia vendosi orar për baret e restorantet. Pak vende shpërndanë para.

Qeveritë e sotme kanë vendosur disa masa për të ulur konsumin. Por kryesisht ata kanë zgjedhur të hapin çezmat fiskale. Krahas një buxheti për uljen e taksave të përshkruar më 23 shtator, Britania ka ndarë fonde me vlerë 6.5% të PBB-së për të mbrojtur familjet dhe firmat nga faturat më të larta të energjisë, më shumë se sa shpenzoi për skemën e saj të Covid-19. Gjermania dhe Franca po ofrojnë ndihma dhe subvencione me vlerë rreth 3% të PBB-së. Qeveritë europiane po shtetëzojnë pjesë të mëdha të sektorëve të tyre të energjisë. Amerika ka shpenzuar gjithashtu, por në një shkallë më të vogël. Guvernatorët e shtetit po nxjerrin "kartat e gazit" dhe po pezullojnë taksat e karburantit për të ndihmuar njerëzit. Imagjinoni reagimin sot nëse udhëheqësi i një vendi do të ndiqte vetëm qasjen e Brandt dhe do t'u thoshte njerëzve thjeshtë të visheshin më trashë.

Ndryshimet energjitike po sjellin një mënyrë të re qeverisje. Politikanët kanë kërkuar prej kohësh të ofrojnë siguri ose stimul në kohë të këqija. Por gjatë 15 viteve të fundit, ata janë bërë shumë më të gatshëm për të mbështetur një pjesë të madhe të ekonomisë. Kur industritë, kompanitë ose njerëzit futen në telashe, ndihma fiskale nuk është kurrë larg. Fitimet privatizohen, por një pjesë në rritje e humbjeve socializohen. Për të vlerësuar këtë, hidhni poshtë teoritë konvencionale për rolin e shtetit, e cila thotë se në epokën "neoliberale" qeveritë lënë tregjet e lira të bëjnë trazira. Në vend të kësaj, ne kemi hyrë në një epokë të "nxjerrjes nga balta".

Tre ngjarje përcaktojnë epokën e re. Fillimisht kriza financiare e 2007-09. Në këtë periudhë Amerika shpenzoi 3.5% të PBB-së në ndihma, bail-outs, si për bankat dhe kredidhënësit. Atëherë justifikimi ishte se të mos bërit asgjë do të kushtonte më shumë. Nëse rrëzohej sektori bankar, rrëzohej e gjithë ekonomia.

Kur Covid-19 erdhi, ndihma nuk mbeti vetëm në sektorin financiar, por u shpërnda në ekonominë reale. “Të gjithë thanë se ne ndihmuan vetëm bankat dhe jo njerëzit që po vuanin”, -tha Boris Johnson, ish-kryeministri i Britanisë.

Ajo ishte kohë tjetër. Gjatë karantinës, qeveritë shpërndanë triliona dollarë mbështetje, garantuan shumë kredi për korporatat dhe shmangën falimentimet. Ndryshe nga krizat e tjera, nivelet e varfërisë nuk u rritën, madje në disa vende u ulën. Në vendet e zhvilluara, të ardhurat u rritën. Shumica e firmave që mbyllën dyert e tyre më pas i rihapën ato

Ngjarja e tretë është rritja e çmimeve të energjisë pas pushtimit rus në Ukrainë. Shkalla e sfidës së Europës është 45% më e lartë se një vit më parë dhe kjo ka bindur politikanët se kërkohet një ndërhyrje masive e shtetit. Faturat energjitike të kontinentit janë rritur me 2 trilion dollarë nga viti 2021.

Efekti kumulativ i tre krizave që ndodhin një herë në një gjeneratë, ka qenë një ndryshim në termat e debatit politik. Politikanët kanë vendosur pritshmëri të reja se çfarë mund dhe duhet të bëjë shteti. Kjo është e dukshme në paketat më të vogla të shpëtimit, garancitë dhe bail-outs që janë në rritje që nga fillimi i viteve 2010. Qeveria italiane, për shembull, ka krijuar skema për t'u marrë me kreditë me probleme të bankave, në një përpjekje për të detyruar sektorin financiar privat të japë sërish hua. Qeveria britanike u ka ofruar bankave garanci të mëdha për t'i detyruar ato të ofrojnë kredi hipotekore më të mëdha. Vlera e depozitave bankare të siguruara nga qeveria amerikane është rritur me 40% në pesë vitet e fundit.

Kohët e fundit gjërat kanë kaluar çdo limit. Në gusht, presidenti Joe Biden njoftoi se do të shpenzonte qindra miliarda dollarë për të shpëtuar amerikanët që kanë kredi studentore. Në të njëjtën kohë, ai zgjeroi garancitë e kredisë për energji të pastër. Australia dhe Zelanda e Re u kanë ofruar qytetarëve pagesa të kostos së jetesës për t'u përballur me inflacionin e lartë. Polonia ka vendosur një moratorium për borxhin hipotekor. Rumania po bën diçka të ngjashme. Është vetëm çështje kohe para se të vijë ndërhyrja e radhës. Po sikur Intel, një firmë teknologjike thelbësore për gjysmëpërçuesit e brendshëm të pajisjeve të futet në krizë? Po sikur, pas një viti, çmimet e energjisë në Europë të mbeten shumë të larta? Po sikur një sulm kibernetik të rezultojë në zhdukjen e depozitave bankare të njerëzve?

Sasia e vërtetë e ndihmës që vjen nga shteti është e vështirë për t’u llogaritur. Kur qeveritë bëjnë llogaritë, nuk përfshijnë në ato se sa kredi sovrane kanë dhënë apo sa rezerva kanë. Kjo i lejon ata që të mbështesin ekonominë, të bëjnë një figurë të mirë dhe të raportojnë ulje të borxhit publik.  Masat konvencionale të borxhit publik të Amerikës, për shembull, nuk përfshijnë numrin e madh të premtimeve dhe detyrimeve që shteti u ka grupeve nga industria financiare, aeroportet e deri te pensionistët.

E vërteta del në pah nëse gërmohet në bilancet e qeverisë. Rezulton, për shembull, se ministrat britanikë kanë premtuar të ndihmojnë në një numër befasues projektesh. Shteti britanik është përgjegjës për pastrimin e tunelit të Kanalit La Manch nëse ai mbyllet ndonjëherë. Britania ka marrë angazhime për të mbështetur detyrimet e pensioneve të disa skemave individuale të pensioneve nëse ndodh deficiti. Qeveria do të mbulojë risiguruesit e pronës tregtare dhe industriale në rast të një sulmi të madh terrorist.

Shpenzimet qeveritare të botës së pasur për subvencione dhe transferta, të tilla si përfitimet e mirëqenies, janë rritur në mënyrë të pashmangshme, pasi politikanët ndihmojnë kompanitë që janë në vështirësi dhe kompensojnë familjet

Qeveritë janë më të shpejta në përgjigjen ndaj emergjencave, sesa ishin më parë. Dëshmitë nga Banka Gjermane tregojnë se madhësia e shpëtimit dedikuar sektorit financiar është rritur. Ne shqyrtuam të dhënat e shpenzimeve publike nga Britania, duke parë nëse shpenzimet aktuale nga departamentet qeveritare ishin më të larta apo më të ulëta se sa ishin buxhetuar fillimisht. Kjo jep një kuptim se sa shpesh dhe me sa vendosmëri reagon qeveria ndaj emergjencave. Shpenzimet e ndihmës në mes të vitit ishin të rralla, nuk janë më. Një studim nga Dan Gabriel Anghel, profesor i ekonomisë tregon se këto lloj ndihmash janë bërë shumë më normale. Në 1990-n, qeveritë europiane nxorrën 2 herë ndihma në para gjatë vitit. Në vitin 2019, nxorën 10.

Askujt nuk i pëlqen të shohë një biznes të falimentojë ose dikë të futet në skamje. Një përfitim tjetër i shtetit që “të nxjerr nga balta” është se njerëzit dhe bizneset nuk kanë më nevojë të shpenzojnë aq shumë për sigurimet, pasi ata e dinë se shteti do të ndërhyjë. Në Amerikë, për shembull, shpenzimet totale për primet e sigurimit arritën kulmin në fillim të viteve 2000 në rreth 8% e PBB-së, por tani ka rënë në nën 6%. Kjo tregon se ata kanë kursyer.

Megjithatë, ka anët negative, përveç kostove fiskale. Siç vuri në dukje Friedrich Hayek, një ekonomist, ndërkohë që një ndërhyrje e caktuar , një ndihmë bankare, le të themi, ose kontrolle stimuluese në një pandemi - mund të jetë e justifikueshme në vetvete, shumë ndërhyrje së bashku mund të mbytin një ekonomi. Kapitalizmi prodhon risi dhe të ardhura më të larta përmes shkatërrimit krijues. Gjërat që nuk funksionojnë ndalojnë dhe gjërat që funksionojnë më mirë, fillojnë. Një rrjet sigurie ekonomike e ngadalëson këtë.

Tani për tani, qeveritë nuk kanë gjasa të ndryshojnë drejtim. Për sa kohë që ato nuk u drejtohen bankave, bail-outs janë të pranueshme. Dhe me përjashtim të mundshëm të Britanisë, investitorët duket se ende nuk i kanë përthithur plotësisht rreziqet fiskale nga strategjia e re. Kur të godasë recesioni i radhës, siç mund të ndodhë shpejt, prisni një raund tjetër të skemave ndihmuese, përfitime shtesë dhe çeqe stimuluese. Kur industria e ardhshme dështon, prisni një paketë të madhe shpëtimi. Ne jemi të gjithë bankierë tani. /TheEconomist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë