Lajme

Një ditë para protestës, Kryemadhi: Distancohuni nga dhuna

Në prag të protestës së opozitës, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka kërkuar nga protestuesit të distancohen nga aktet e dhunës, pavarësisht nga situata e acaruar politike dhe ekonomike.

Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në njësinë nr 11 në Tiranë, Kryemadhi tha se qytetarët nuk duhet që me veprimet e tyre të bëjnë viktimë Ramën.

“Protestat tona paqësore të cilat janë protestat më të bukura që ka pasur Shqipëria në të gjitha vitet e saj të tranzicionit do të sjellin ndryshimin. Ju bëj thirrje që të mos përfshiheni në elementët e dhunës, por të distancoheni nga dhuna edhe pse njerëzit janë të mërzitur dhe të frustruar e ju ka ardhur ku nuk mban më se me çfarë ndodh në Shqipëri. Nuk është detyra jonë as të bëjmë viktimë Edi Ramën dhe as të dëmtojmë godinat. Detyra jonë është të rrëzojmë sistemin që Edi Rama me krimin e organizuar ka ndërtuar”, tha Kryemadhi.

“Të jemi më të kujdesshëm dhe të mos bëjmë më gabimet e Edi Ramës dhe të gjithë politikanëve të tjerë janë qytetarët e Tiranës që dalin në një masë të madhe kundër këtij regjimi kriminal”, u shpreh Krymadhi. Opozita do dalë nesër në protestë në orën 19:00 përpara kryeministrisë.

Kryetarja e LSI-së bëri thirrje për dialog, duke marrë frymëzim edhe nga propozimi gjerman, që shkonte deri në shtyrjen e mundshme të datës së zgjedhjeve lokale.

“Deklaratat e Bundestagut që dalin haptas me ndërkombëtarë që janë të përfshirë në dialog, nuk janë tabu, as dorëheqja e kryeministrit nuk është tabu. Nesër është një protestë, dhe do të jetë një nga protestat më të mëdhaja. Madje mund të them që do jetë edhe më e madhja”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë