Libra

‘Një det me libra’, festivali veror i librit në Durrës

Nga Gazeta Si - Nga e mërkura qyteti bregdetar i Durrësit është shndërruar në një vendtakimi për librin. Mbrëmjet letrare, diskutimet për librin, recitimet e homazhet për personalitete të ndryshme do të shoqërojnë Festivalin Veror të Librit në Durrës, një panair i cili zhvillohet në pika të ndryshme të qytetit, nga shëtitorja Taulantia tek Amfiteatri Romak.

Më shumë se 30 botues kanë prezantuar në stendat e tyre titujt e rinj, por festivali premton takime letrare jo vetëm me autorët, përkthyesit dhe botuesit por edhe evente të tjera kulturore, duke përfshirë teatrin, artin vizual dhe muzikën.

“Një det me libra” është motoja e këtij festivali që do të vijojë deri më 21 gusht me dashamirës të librit, autorë dhe kritikë në shëtitoren Taulantia, Amfiteatrin Romak, Murin e Kalasë e destinacione të tjera që njihen për takimet me librin.

Protagonisti i të enjtes ka qenë shkrimtari Loer Kume, fituesi i çmimit Kadare në vitin 2019.

Ndërsa e premtja ka në qendër diskutimin mes letrarëve për temën “Nga libri në libër, nga zëri në zë” me të ftuar shkrimtarë e përkthyes si Aida Baro, Virgjil Muçi, Rudi Erebara, Sokol Çunga e të tjerë si dhe një bisedë letrare për “Erosin te gostia e Platonit” me pedagogun Artan Fuga.

E shtuna do t’u dedikohet dy personaliteteve Moikom Zeqo e Gjergj Vlashi, autorë durrsakë e miq në jetë, në një tryezë diskutimi me studiues si Përparim Kabo e Haxhi Rama e të tjerë.

Nata e pestë harmonizon muzikën e letërsinë dhe do të ketë në fokus promovimin e shkrimtarëve të rinj, por edhe tryezat e diskutimit rreth botimeve të huaja e shqiptare të përzgjedhura, kryesisht të shtëpisë botuese Dituria.

Festivali veror i librit në Durrës ka bërë bashkë Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Bashkinë e Durrësit, Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit.

“Një ngjarje e rëndësishme kulturore e librore, që do të bëjë bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues, pedagogë, aktorë, muzikantë e personalitete të tjera të fushës së letrave që kanë një qëllim të vetëm: të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit bregdetar dhe të nxisin dashurinë për librin e leximin, veçanërisht te të rinjtë. Më poshtë do të gjeni edhe aktivitetet që do të mbahen gjatë këtyre ditëve”, shkruan Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë