Jete & Stil

Një çift u fejua tek ‘KFC’ dhe tani gjithë Afrika e Jugut po organizon dasmën

I rrethuar nga karrige të kuqe plastike, një burrë nga Afrika Jugore, u ul në gjunjë për të bërë pyetjen e madhe në një lokal të rrjetit ‘KFC’. Turma përreth tij duartroket dhe gëzon ndërkohë që ai vendos një unazë në dorën e majtë të partneres së tij. Gruaja, e cila është ulur pranë një racioni patatesh të skuqura, fshin lotët e gëzimit pasi me siguri nuk e kishte parashikuar fejesën në listën e gjërave të saj.

Dhe aty filloi romanca e fast-food-eve në Afrikën Jugore. Një video nga propozimi në ‘KFC’ u mor dhe u shpërnda në mediat sociale nga një spektator surprizë, i identifikuar më pas nga ‘KFC’ si Kateka Malobola. Videoja e tij spontane është parë mbi 1.4 milionë herë në twitter. Të enjten, ‘KFC-ja’ e falënderoi publikisht Malobola-n për “dokumentimin e këtij momenti të bukur” të cilin e ndau me gjithë botën. Më pas kërkoi ndihmë për të gjetur çiftin.

https://twitter.com/KFCSA/status/1192359716955009024

Me një ndihmë të vogël nga dy hashtage virale : #KFCProposal dhe #KFCWedding, çifti u identifikua shpejt si Bhut’Hector dhe Nonhlanhla.

Me gati 300000 komente në twitter për këtë ngjarje të lumtur, afrikanët e jugut kanë bashkuar forcat për ti dhënë çiftit të sapofejuar dasmën më të mirë të mundshme. Ndërkohë që disa të huaj ofruan ndihmë për të dizajnuar ftesat e dasmës, të tjerë thanë se do bënin kostume tradicionale dasme për çiftin.

U krijua dhe një listë për të mbajtur shënim xhestet e bukura të internetit. Dhe çfarë kishte në listë? Tenda, dele dhe këpucë zyrtare. Më pas u përfshin dhe brand-et, duke ofruar transport falas, ushqime dhe pije për ditën e madhe të çiftit, si dhe muajin e tyre të mjaltit. “Këto destinacione muaj mjalti duken shumë larg. Dikush duhet t’ju çojë juve atje. Ne do e bëjmë”, shkroi në twitter faqja zyrtare e markës ‘Audi’ në Afrikën Jugore.

“Ashtu si pula juaj me koka-kolën tonë janë dyshja fantastike, ne të gjithë po i bëjmë njerëzit bashkë. Pijet e lehta të dasmës i kemi ne!”, komentoi faqja e ‘Coca-Cola’ në Afrikën e Jugut.

Duke ditur se planifikimi i një dasme mund të jetë stresues, ‘Sony Movies’ komentoi në twitter të premten dhe i ofroi çiftit bileta filmash dhe kokoshka për të hequr mendjen. Të premten, Malobola shpërndau një video tjetër ku thoshte se ai po ndihej “shumë i prekur” dhe dha disa detaje të tjera mbi propozimin. “Unë bëra videon dhe e dërgova në një grup që kam në whatsapp për të thënë “shifeni pak këtë”, dhe më pas e vura në facebook dhe në instagram, dhe më pas brom! I gjithë vendi po planifikon një dasmë!”, tha ai.

“Çifti i ka pak a shumë të hequra shpenzimet e dasmës mesa po shoh”, shtoi ai. “Nga një video e vetme”. Duke folur për dhëndrin e ardhshëm, Malobola tha “Unë nuk jam aq i guximshëm sa ai”, ndërsa e përshkroi skenën ku kishte qënë dëshmitar si “dashuri e vërtetë”.

Të premten, ‘KFC-ja’ e Afrikës Jugore tha se do takojë çiftin dhe u betua ti mbajë njerëzit të informuar për ndonjë zhvillim.

“Afrika e Jugut, ju jeni të mrekullueshëm”, komentoi restoranti në twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë