Lajme

Një bust për Albright në Kosovë

Në Prishtinë është përuruar busti i ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright. Ai është vendosur pranë monumentit NEWBORN, gjatë festimeve për 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Para të pranishmëve sekretarja Albrighti ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mikpritjen e madhe.

“Do të doja t'ju falënderoja të gjithëve për këtë nder. E falënderoj edhe personin që ka bërë këtë bust, sepse më ka bërë kaq të gjatë. Kjo është Kosova që duam dhe për të cilën luftuam”, ka deklaruar ish-sekretarja e shtetit.


“Jam shumë krenare që jam këtu. Edhe une jam emigrante dhe nuk kam lindur në SHBA. Por SHBA është shtet i madh që ndihmon në vendosjen e paqes dhe stabilitetit. Jam e nderuar”, ka deklaruar në fund Albright.

Ajo dhe ish-presidentin amerikan, Bill Clinton kanë ecur nëpër sheshet e Prishtinës, të rrethuar nga qindra qytetarë që dëgjoheshin tek thërritnin vazhdimisht emrat e tyre.

Ata shoqëroheshin nga ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark, nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe personalitete tjera të larta politike nga Kosova dhe jashtë saj.

Personalitetet e larta janë ndalur te monumenti për ushtarët që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë. Aty, ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi kanë vënë kurora me lule.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=643&v=zTMglp4YTuU

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë