Biznes

Një brand shqiptar për syze druri

Ai nuk rresht së provuari. Ngec, bie, ringrihet dhe provon sërish.

Brandi më i ri nga duart e tij amban emrin Aora. Bëhet fjalë për një firmë të re syzesh në kryeqytet. Veçantia është se janë artizanale dhe skeleti i tyre është prej drurit të arrës.

Djaloshi është Egin Papaj dhe është diplomuar në arkitekturë. Ai vjen nga qyteti i Fierit.

Egin Papaj, arkitekt

Jeta dhe historiku i eksperiencave të tij qysh fëmijë është i lidhur pazgjidhshmërisht me artin. I apasionuar çmendurisht pas pikturës, ai ka ndjekur shkollën e mesme për këtë degë.

Mandej duke studiuar tregun do të mendonte se piktura zor ti jepte bukë dhe vendosi të studionte arkitekturë.

“Arkitektura është një profesion më serioz, pikturën mund ta zhvillosh edhe vetë dhe nuk është se ka ndonjë të ardhme në Shqipëri”, tregon Egin Papaj për Gazetën “Si”.

Ndërkohë ka bërë punë të ndryshme në kompani private dhe ka ndërmarrë iniciativa të vetat jashtë orarit të punës, por që në thelb kanë pasur produkte që kanë derivuar nga fantazia, kreativiteti dhe rafiniturat elegante që fillesën e kanë te dashuria për pikturën.

“Syzet i nisa si sfidë.”- tregon ai. “Kam patur gjithmonë gjënë timen teksa punoja diku. Aktualisht jam në punë dhe krijoj jashtë orarit të punës. Punishten e kam në shtëpi, por në Fier te prindërit. Dhe punoj çdo fundjavë atje teksa shkoj për të takuar familjen. Kur bëhet fjalë për të vënë në punë makinerinë.” Kurse rafiniturat me dorë i bën edhe gjatë javës në Tiranë pas punës.

Ai zotëron një makineri kontroll të kompjuterizuar, një investim 6 mijë euro I tetë viteve më parë. Për të është e rëndësishme sepse ajo bën një punë të saktë.

AORA në gjuhën egjiptiane të vjetër do të thotë dritë e shenjtë, ashtu siç është drita e syve për njerëzit, prandaj e ka menduar këtë emër për brandin e tij të syzeve. Plus që është emër i shkurtër, i thjeshtë, që mbahet mend dhe qëndron mirë si logo.

“E kam marrë si sfidë personale. Dua që të provoj të realizoj çdo gjë që ka të bëjë me artin. Dikush më kërkoi që të bëj një palë syze. Më pyeti nëse i realizoja dot. Ia bëra dhe vendosa të merrem me to duke i perfeksionuar”, shpjegon Egin Papaj.

Një palë syze artizanale të bëra nga arkitekti Papaj kushtojnë 120 euro. Prototipin e parë, Egini tregon se e fali, të dytin ia shiti një të njohuri për 10 mijë lekë të reja.

“Çmimin e kam vendosur 120 euro me tendencën për t'i rritur. Synoj tregun ndërkombëtar. Për jashtë është i lirë duke marrë parasysh punën artizanale. Për tregun e brendshëm për targete të caktuara është çmim i shtrenjtë”, shpjegon Egini.

Ai ka 1 vit që merret me krijimin e dizainit kompjuterik. 3-4 muaj që prodhon dhe një muaj që ka çelur faqen në Instagram për t'i bërë vizibël produktet dhe për t'i shitur.

“Dizajni nuk është krijimi im. Kam kopjuar një model të famshëm. Nëpërmjet tij mësoj në këtë fushë. Më jep siguri në treg për ta shitur se është I përhapur. Por është në dru dhe ky model nuk gjendet në dru. Vendosa në dru sepse është natyral, më sfidues dhe më I vështirë për tu punuar se plastika, më I bukur , lidhej edhe me makinerinë që kisha. Nuk më duhej të investoja në një makineri të re. Kanë një treg të ngushtë edhe në botë”, sqaron Egini.

Atij i duhen 3 ditë pune të merret me prodhimin e një palë syzeve duke iu dedikuar tërësisht këtij procesi.

Egini ka zgjedhur durin e arrës për të prodhuar syzet sepse sipas tij është dru i bukur, ka ngjyrë të qetë dhe është më i lidhur në fije që të mos thyhet,

Aktualisht është i shqetësuar sepse nuk po e gjen në treg këtë lloj druri.

Papaj ka prodhuar disa modele syzesh në dru arre dhe thotë se po punon për të krijuar dizainin e tij autentik. Syzet që ai prodhon mund të përdoren si syze dielli, po ashtu edhe si syze optike,

“Xhamat optikë nuk po vihen më xham aktualisht nëpër optika. Ato që po përdoren tani ta japin lehtësinë që të vendosen edhe në dru”, shpjegon Papaj.

Ai ka prodhuar deri train rreth 20 palë syze në 4 muaj duke punuar vetëm fudjavave. Në një muaj që bëri çeljen e brandit në Instagram ka shitur 5 palë syze. Klientët thotë Egini kanë ngelur të kënaqur.

Target grupi i klientëve që synon Aora janë të rinjtë, pjesa që ndjekin trendin dhe kanë mundësi financiare. “Pjesa e të shkolluarëve në shkolla me nivel, që pagat kur dalin në punë e kalojnë nivelin e të ushqyerit”, shpjegon arkitekti duke thënë se ka njerëz të interesuar për produktin e ri.

Ai sërish është skeptik nëse edhe ky biznes do ti ecë apo jo si të tjerët që ka ndërmarrë në 8 vitet e fundit. Arkitekti thotë se një artist duhet vetëm të krijojë, jo të shesë. Dhe ai e thekson disa herë gjatë bisedës se nuk di të shesë dhe nuk ka asnjë mbështetje për këtë.

“Nuk kam ditur ti zhvilloj faqet në rrjetet sociale. Nuk di të reklamoj, të shes. Di vetëm të krijoj.”- shpjegon Papaj.

Tetë vite më parë i riu arkitekt do të çelte linjën e tij të ambazhurëve artizanalë të ndriçimit.

Ishin objekte me dizain të veçantë, të krijuar prej atij vetë.

“Lidhet arktektura me pikturën. Produkti nuk ka vetëm cilësinë dhe bukurinë, por e rëndësishme është se si di të shesësh. Çmimet kanë qenë jo të barabarta me jashtë, por në sytë e publikut shqiptar kanë qenë pak të shtrenjta. Por unë jap mendjen, lodhem, llogaritet koha e harxhuar për të krijuar produktin. Vijoj ende të krijoj, nuk e kam lënë në harresë, por me ritëm më të ulët sepse nuk ecin”- tregon Papaj.

Për këtë punë ai do të investonte 8 vite më parë në një makineri 6 mijë euro, të cilës do tia nxirrte shumë shpejt investimin nëse puna do të kishte shkuar mirë. Por sipas tij makineria I ka nxjerrë lekët e veta pas 8 vitesh punë sepse ai nuk e futi me prodhim në masë për arsye të mungesës së financave.

Edhe me ambazhurët ai do të synonte tregun e huaj, por nuk funksionoi.

Një nga arsyet ishte posta.  

“Kemi postën më të shtrenjtë në botë, kemi pengesa. Kam dashur të shes ndriçuesit jashtë. Përveç dëshirës dhe përpjekjeve mundësitë janë shumë të rralla. Çmimi i postës është sa ¼ e çmimit të ndriçuesit vetë dhe posta nuk ta mbron produktin. Plus që nuk kemi nam të mirë jashtë dhe janë mosbesues. Vështirësia është reklamimi në rrjetet sociale siç bën gjithë bota që të besohen review-të (vlerësimet). Kam provuar me abazhurët t'i shes në dyqane. Tregu është i bombarduar, ka shumë modele që kanë çmim të shtrenjtë, por raporti i cilësisë me çmimin nuk është i drejtë dhe nuk u intereson të marrin përqindjen që mund t'u jap unë nga shitja e një ndriçuesi”, thotë arkitekti.

Mandej ai do të hapte një studio tatuazhesh për disa muaj e më vonë do t'i ndizej llampa për prodhimin e syzeve.

Sipas tij, artizanati është I vështirë dhe në zhdukje. Ai sheh që ka dëshirë te të rinjtë, “shoh edhe pjesën e vetflijimit”- thotë Papaj, por që nuk të çon gjëkundi.

“Nuk ndjej mbështetje, ka projekte, por janë shumë pak në lidhje me kërkesën dhe me njërëzit që kanë realisht nevojë. Kam zhgënjim plot. Pikturën e kam lënë pas dore për shkak të financave. Aty e shikoj veten, por e kam të pamundur për momentin.”- shprehet ai.

Ai thotë se pavarësisht mungesës konkrete të mbështetjes, mungesës së financave, paralel me punën që bën për tu ushqyer, do të vazhdojë pasionet dhe sipërmarrjet e tij, por me një ritëm më të shpejtë për tu njohur në treg.

Të rinjtë në Shqipëri bullizohen shpesh dhe lehtë si dembelë, që qëndrojnë me orë të tëra në kafe dhe nuk duan të punojnë. Shpesh marketohen projekte të ndryshme për start up, por që po aq shpesh ata që kanë shumë nevojë dhe e meritojnë nuk arrijnë të informohen për këto mundësi.

Sipas INSTAT të rinjtë e grupmoshës 15-24 vjeç janë kategoria me papunësinë më të lartë. Të dhënat për vitin 2020 tregojnë se niveli i papunësisë në këtë grupmoshë ishte 26,5%. Kurse të dekurajuarit, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 27,9 % të të rinjve gjithsej.

Ndërsa, një anketë e vitit 2020 me studentë, e profesorëve Gëdeshi dhe King, nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale, zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë