Treg

Një bankë daneze ju jep kredi për shtëpi me interes nën ZERO

Një bankë në Danimarkë po ofron hua me norma negative interesi, praktikisht duke paguar klientët e saj për të marrë kredi për shtëpi.

Jyske Bank, banka e tretë më e madhe në Danimarkë, ka deklaruar se klientët e saj mund të marrin kredi me një interes fiks për 10 vite dhe norma e interesit për t'u paguar për kredinë do të jetë -0.5%. Kjo do të thotë se klientët do t'i kthejnë bankës një shumë më të vogël se çfarë kanë marrë.

Për ta shpjeguar normën -0.5% në terma më të thjeshtë: Nëse blen një shtëpi për 1 mln dollar dhe e paguan kredinë për 10 vite, do t'i kthesh bankës vetëm 995,000 dollarë.
Por vihet re se edhe me normë interesi negative, bankat shpesh u adresojnë klientëve tarifa për t'u paguar të lidhura me huanë, që do të thotë se kredimarrësit do t'i kthejnë bankës më shumë se ç’kanë marrë.

"Është një tjetër kapitull në historinë e kredisë," tha për një TV danez Jyske Bank Mikkel Høegh, ekonomisti që merret me kredinë për banesat.

"Disa muaj më parë, ne do të thoshim se kjo nuk do të ishte e mundur, por përsëri jemi befasuar, dhe kjo çel një mundësi të re për pronarët e shtëpive. Norma negative e interesit të Jyske Bank është ngjarja më e fundit në këtë sektor në radhën e ofertave të normave ekstremisht të ulta të interesitnga bankat daneze për blerje shtëpie".

Nordea Bank, huadhënësi skandinav më i madh, ka deklaruar se do të ofrojë kredi me normë fikse interesi për 20 vite dhe norma do të jetë 0%. Ndërsa banka të tjera daneze janë shprehur se ofrojnë kredi me interes fiks 0,5% për një periudhë 30-vjeçare.

Është vënë re gjithashtu se normat negative janë ofruar për kredi afatshkurtra në Danimarkë që prej muajit maj.

"Nuk ka qenë kurrë kaq lirë për të marrë një kredi," është shprehur Lise Nytoft Bergmann, analist kredie në Nordea's Home Finance në Danimarkë.

Mund të duket kundërintuitive për bankat që të huazojnë para me norma kaq të ulta interesi — por ka një arsyetim pas kësaj.

Tregjet financiare janë të luhatshme, të pasigurtë. Faktorët përfshijnë luftën tregtare SHBA-Kinë, Brexit, dhe një ulje të përgjithshme të ritmit të rritjes së ekonomisë globale, veçanërisht në Europë.

Shumë investitorë i druhen një krize në të ardhmen e afërt. Për këtë, disa banka po urojnë të japin hua me norma interesi negative, duke pranuar humbje të vogla më mirë se sa të rrezikojnë humbje të mëdha duke dhënë kredi me norma të larta interesi që klientët nuk mund t'i përballojnë.

"Është një mendim i parehatshëm ai që disa investitorë që po japin para hua për 30 vite me një normë interesu 0.5%," tha Bergmann.

"Kjo tregon se sa të frikësuar janë investitorët nga situata aktuale në tregjet financiare dhe se ata mendojnë që do të duhet një kohë shumë e gjatë përpara se gjërat të përmirësohen".

*Burimi: World Economic Forum


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë