Irena Beqiraj

Një argument pro rritjes së pagave edhe risqet e buxhetit!


Pesëqind vjet më parë, vendet më të pasura të botës – shtetet e Evropës Perëndimore – ishin vetëm dy herë më të pasura, se vendet më të varfra– një hendek modest, afërsisht i krahasueshëm me atë mes Zvicrës së sotme dhe Portugalisë. Me fillimin e revolucionit industrial, dy shekuj më parë, raporti i të ardhurave për frymë u bë tre me një. Tani është 20 ose 30 me një, apo edhe më shumë.

Këto fakte meritojnë një shpjegim. 

Shpesh, ekonomistët vënë në dukje rëndësinë e institucioneve të tilla si gjykatat që funksionojnë mirë, apo qeveritë e afta të cilat janë në gjendje të vendosin taksa të arsyeshme dhe të shpenzojnë paratë në infrastrukturën e duhur.

Por në fakt përgjigjja duket se është tek teknologjia. 

Historiani ekonomik Robert Allen ka studiuar pse revolucioni industrial filloi në Mbretërinë e Bashkuar dhe jo, të themi, në Kinë. Allen lë mënjanë shpjegimet kulturore dhe institucionale dhe fokusohet në stimujt ekonomikë.

Në agimin e revolucionit industrial, puna ishte e shtrenjtë në MB dhe energjia në formën e qymyrit ishte e lirë.

Pagat britanike ishin të larta falë suksesit të perandorisë tregtare britanike.  Kjo ishte më pak e vërejtur në Evropën kontinentale dhe e kundërta ishte e vërtetë në Kinë dhe Indi, të cilat kishin fuqi punëtore të lirë dhe energji të shtrenjtë. 

Shpikësit kinezë kërkonin mënyra për të kursyer energji. Shpikësit britanikë kërkonin mënyra për të kursyer punën, sepse fitimi nga zëvendësimi i fuqisë së muskujve me fuqinë e avullit ishte i qartë. Sipas llogaritjeve të Bob Allen-it, në MB, norma vjetore e kthimit ishte pothuajse 40 për qind nëse puna do të zëvendësohej me makineri.  

Ky është një shpjegim bindës për vendndodhjen e revolucionit industrial, sepse këndvështrimi i Bob Allen për inovacionin tregon se pagat e larta çojnë në investime në teknologji të cilat kursejnë  fuqinë punëtore;ky proces rrit produktivitetin e punës dhe tenton të rrisë më tej pagat. 

Siç vëren Allen, Kina apo India për shekuj nuk arritën të zhvillonin një sektor prodhimi; ata ishin prodhues me paga të ulëta, industritë vendase të të cilëve u shkatërruan nga konkurrenca e industrisë britanike shumë të automatizuar. 

Ato vende që arritën të riktheheshin në kushte të barabarta me Mbretërinë e Bashkuar, e bënë këtë me politika industriale aktiviste dhe tarifa tregtare për të mbrojtur industrinë e tyre foshnjore. 

Ky shpjegim historik mund të jetë një argument në favor të rritjes së pagave,përveç argumentit legjitim të indeksimit të tyre me rritjen e çmimeve , indeksim ky që në kushte ideale duhet të kishte ndodhur çdo vit me kohë.

Kryeministrit padyshim do t’i pëlqente një ekonomist  vetëm  "me një anë" sikurse Presidenti Turman i lodhur nga shprehja e ekonomistëve " por nga ana tjetër ",kërkonte një ekonomist me një anë. Por ekonomia sikurse medalja fatkeqësisht ka dy anë.

E pra, nga ana tjetër situata nuk është kaq optimiste.

Që rritja e pagave buxhetore të transmetohej edhe në rritje të pagave të sektorit privat duhet të kishim sot një politikë të qartë aktive industriale e cila do të ndihmonte biznesin të rriste produktivitetin. Pa këto, çdo rritje e sforcuar e pagave do të transferohet në rritje të mëtejshme të çmimeve.

Së dyti, rritja e prezantuar e pagave shoqërohet me rreziqe po të kemi parasysh kontekstin makroekonomik shqiptar. Ky rrezik do të shtohet sidomos pas 2025 kur rritja e pagave të japë efektin e saj të plotë.Reziku me i madh është rritja e mëtejshme e raportit të borxhit.

Raporti i Borxhit edhe pse duket se ka rënë, kjo nuk ka ardhur si rezultat i rritjes reale ekonomike apo si rezultat i mirëmenaxhimit të qeverisë por për dy arsye krejt të tjera:

1. Rritja e çmimeve në ekonomi, ka çuar në rritjen nominale të PBB-së , por jo në rritjen reale te saj , (mjafton që të përmendim që deflatori i PPB-së pritet  të jetë më shumë se 10% për 2022). Kjo rritje e PBB-së në vlera nominale si rezultat i rritjes së çmimeve ul matematikisht raportin e borxhit .

Ndërkohë qeveria shqiptare nuk nguroi të përfitonte nga normat e ulta të interesit edhe nga disponibiliteti i lartë i fondeve në tregjet europiane pa u menduar dy herë për efektet afatgjata të rritjes së borxhit në monedhë të huaj përtej nivelit 18% që rekomandonte Ricardo Haussman në analizat e tij.

Sot borxhi në monedhë te huaj është gati 50% e portofolit. Ky ekspozim kaq i lartë ndaj borxhit në monedhë të huaj do të rriste risqet makrofiskale sapo inflacioni të trokiste në derë, edhe leku të zhvlerësohej.

Por sërish zgjidhjet gjeniale afatshkurtra nuk munguan. Sot qeveria detyrohet të lejojë të futet para e bardhë edhe e zezë, madje të ofrojë edhe amnisti me qëllim që të mbajë lekun të vlerësuar edhe kuptohet nivelin e borxhit nën kontroll.

Nëse nuk do të lejohej (apo do marrë fund)  ky injektim parash nga jashtë, leku për shkak të inflacionit do ishte i nënvlerësuar edhe raporti i borxhit nuk do të ishte ky, me të cilin krenohet qeveria.

Ndërkohë nëse rakordon shifrat e buxhetit për rindërtimin, ka një tjetër flamur  te kuq. Vetëm angazhimet e ndërmarra nga çudibërësi i rindërtimit ,që nuk janë paguar akoma, rezultojnë rreth 40 mld lek. Pagesat e PPP janë po ashtu angazhime të cilat  sëbashku me ato të rindërtimit apo pagesa të tjera të prapambetura ulin hapsirën për manovër për çdo qeveri pas 2025.

Dikur ishte herezi kur thoja që parashikimi i të ardhurave të buxhetit ishte/ është edhe do të jetë ëndrra e një nate vjeshte.

 Qeveritë janë gjithmonë më optimiste seç duhet në parashikimim e të ardhurave. Ky optimizëm në parashikim rrit shanset për mosrealizimin e tyre duke çuar në rritjen e borxhit ose në rritjen e taksave, ose në lujen e fondeve të investimeve.

Thënë të gjitha këto, mendoj që në fund të fundit, ministrja e Financave ka bërë shumë mirë që ka pranuar të rrisë pagat.

Fundja një vajzë që ka studiuar ne Bocconi makroekonominë e di që është më mirë të rritet konsumi edhe sadopak mirëqenia e klasës së mesme, sesa të harxhohen para për investime super të  shtenjta që nuk u dihet përfitimi në ekonomi.

Dilema është sa e zonja do jetë "Gruaja e Bocconit" t’i rezistojë "pushtetit" të anëtarëve të tjerë të qeverisë të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë atë çfarë ministrja e Financave e kupton më mirë nga të gjithë në atë tryezë.


Copyright © Gazeta “Si”