Irena Beqiraj

Miti i përfitimeve që vijnë nga kapitali i huaj!


Në publik, sa herë flitet për investime me kapital të huaj, një ngazëllim i shfrenuar buron jo vetëm nga komentuesit por fatkeqsisht edhe nga ekonomistët.

Teorikisht, flukset hyrëse të kapitalit të huaj përdoren për të balancuar investimet. Ekonomitë që kanë normë më të ulët të kursimit krahasuar me normën e investimit (pra kanë deficit kursimesh) kanë nevojë për kapitale të huaja.

Së dyti, kanë nevojë për flukse hyrëse të kapitalit të huaj ekonomitë që kanë deficite tregtare (importet janë më shumë se eksportet).

Së treti, përveç plotësimit të deficiteve, flukset e huaja të kapitalit pretendohet se sjellin edhe teknologji e njohuri të klasit botëror.

Megjithatë, ndërsa kalojmë nga tekstet ekonomike tek politikat dhe zbatimit të tyre, vërtetohet shprehja se nga "e thëna në të bërë është në mes një det i tërë"

Ndërsa ekonomitë me deficit në investime edhe deficit tregtar u hapën ndaj flukseve hyrëse të kapitalit të huaj, ato u përballën me shumë probleme, pasi flukset hyrëse të kapitalit të huaj ndikuan në forminim e ekonomive jokonkurruese, edhe të varura nga investimet e huaja.

Në fund të viteve 1950, ekonomia e Holandës zbuloi burime të reja nafte, të cilat çuan në një rritje të flukseve hyrëse të kapitalit.  Flukset e larta nga ana e tyre çuan në mbivlersimin e monedhës vendase, e cila nga ana tjetër bëri që ekonomia të drejtohej nga eksportet jokonkurruese.  Po ashtu ekonomia shqiptare investimet e huaja i ka përqendruar kryesisht tek shfrytëzimi i burimeve natyrore ndërtimi dhe turizmi, duke i lënë sektorët e tjerë të ekonomisë tërësisht jokonkurrues.

Miti se një investim mjafton të jetë i bollshëm edhe i huaj edhe automatikisht  është i mirë për ekonominë i takon shekullit të kaluar.

Edhe FMN-ja e cila deri para 2012 ka pasur një qasje shumë liberale ndaj flukseve të kapitalit duke sugjeruar shmangjen e çdo lloj kontrolli mbi kapitalin e huaj, e ka abandonuar  tanimë atë. Në vitin 2022 Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi  një seri politikash të titulluar "Rishikimi i pikëpamjes institucionale mbi liberalizimin dhe menaxhimin e flukseve të huaja të kapitalit", ku njeh risqet që vijnë nga përdorimi pa kriter e i pastudiuar i kapitalit të huaj. Aty parashtrohet se zhvillimi i nxitur nga kapitali i huaj ka pasoja.  Një ndër to është se fitimet transferohen jashtë vendit pritës, duke dobësuar aftësinë e firmave vendase për të "përparuar",  duke lënë kështu pak përfitime reale në ekonomi.

Trasferimi i përfitimeve jashtë vendit është edhe më i dukshëm kur investimi i huaj bëhet në sektorë ku vendet e punës kanë produktivitet e paga të ulta, apo ku qeveria ofron prona publike edhe lehtësime fiskale  duke e lënë vendin pritës thuajse duarbosh. Ndaj,  jo çdo investim i huaj duhet brohoritur, e aq më pak duhet pranuar si fat i madh!  

Sot pyetja që të gjithë ekonomistët duhet të shtrojnë e më pas të argumentojnë është: a kemi nevojë për më shumë ndërtim të cilit për ta zbukuruar e për ta shitur si zhvillim i veshim kostumin turistik, ndërsa ta bërë me rentabël për investitorin i vendosim si bizhu kazinotë?

Qeveria krenohet sepse përtej publikut fatkeqsisht shumë ekonomistë kanë mbetur peng i mitit të shekullit të kaluar.  Sot ky mit duhet të bjerë!


Copyright © Gazeta “Si”