Analize

Një anti-ruse në Shqipëri!

Donald Lu do të mbahet mend si një nga ambasadorët më aktivë në politikën shqiptare, por pas një mandati intensiv, zoti Lu duket se do të zëvëndësohet nga një femër mjaft e njohur në politikën e jashtme amerikane.

Sipas një vendimi të njoftuar ditën e djeshme, Presidenti amerikan, Donald Trump ka përzgjedhur Kathleen Ann Kavalec ai Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Pas nominimit të shefit të Shtëpisë së Badhë, ajo do të marrë konfirmimin nga Senati, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, ku e pret një tjetër sfidë e vështirë.

Kavalec aktualisht shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Ajo ka më shumë se tre dekada përvojë në diplomacinë amerikane dhe ka shërbyer më parë si drejtoreshë e Zyrës së Punëve Ruse, zëvendës shefe e misionit të SHBA-ve në UNESCO-s në Paris, zëvendës koordinatore në Byronë Evropiane dhe drejtoreshë për parandalimin e konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtimin dhe Stabilizim.

Kathleen Ann Kavalec

Kush është Kavalec?

Nxënëse e shkëlqyer në të dyja universitetet që ka ndjekur, Kavalec flet rrjedhshëm gjuhën frënge, rumune, ukrainase, spanjolle portugeze dhe ruse. Kjo e fundit duket se ka ardhur si nevojë e punës, pasi diplomatja amerikane ka punuar vazhdimisht me përfaqësuesit rusë në Europë dhe SHBA. Si zyrtare e lartë në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Kavalec ka ngritur disa herë alarmin mbi ndërhyrjen e Rusisë në Europë, veçantërisht në Ballkan. Ajo u bë një zë i njohur në SHBA, pas ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane, duke theksuar në atë kohë se Shtetet e Bashkuara ishin ende të hapura për një dialog me Rusinë, por se marrëdhënieve dypalëshe midis Moskës dhe Uashingtonit ishin përkeqësuar ndjeshëm.

Më 9 shkurt të këtij viti, zyrtarja e lartë amerikane duket se mori përgjegjësinë kryesore për marrëdhëniet SHBA-Rusi, duke vizituar Këshillin rust ë Çështjeve Ndërkombëtare. Gjatë takimit Kavalec diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, zgjidhjen e krizës në Ukrainë, perspektivat për eliminimin e armëve bërthamore në gadishullin Korean dhe mundësinë e ndryshimit të sanksioneve amerikane kundër Rusisë.

"Unë u takova me zyrtarët në Ministrinë e Jashtme ruse, biseduam për çështjet dypalëshe, diskutuam nevojën për të stabilizuar marrëdhëniet tona ... Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për të pëmirësimin  e ketyrë marrëdhënieve," deklaroi Kavalec gjatë vizitës.

Donald Trump dhe Vladimir Putin 

Një anti-ruse në Shqipëri?

Vendimi  i Trump për nominimin e Kavalec, vjen pas shtyrjes së hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe pas një sërë alarmesh të vazhdueshme nga ana e eskpertëve për ndërhyrjen e Rusisë dhe Kinës në rajon.  Më shumë se një diplomate karriere, duket se shefi i Shtëpisë së Bardhë ka zgjedhur një përfaqësuese që mund të t’i vërë fre ndërhyrjeve të Moskës dhe Pekinit, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Ballkanin.

Zvarritja e konflikteve politike mbi problemet etno-fetare mes kombeve ballkanike, kërcënon vazhdimisht të çojë në kriza të mëdha kombëtare dhe rajonale, duke e bërë rajonin shënjestër kryesore për ndërhyrjen nga fuqitë e huaja. Kombinimi i qeverisjes së dobët, stanacionit ekonomik dhe institucioneve të dobëta demokratike ka bërë Shqipëria dhe i gjithë rajoni të mbesë shumë prapa fqinjëve të tyre europianë. Të gjithë këto probleme, e vënë rajonin në shënjestër të organizatave terroriste dhe ndërhyrjes së fuqive të huaja, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, rajoni duket se është lënë në harrëse edhe nga demokracitë që ishin dikur të rëndësishme për Ballkanin. Duke besuar se e ardhmja demokratike e Ballkanit ishte anëtarësimi në BE, Shtetet e Bashkuara ia dorëzuan Brukselit përgjegjësinë për zhvillimin politik, institucional dhe ekonomik të rajonit. Megjithatë, inercia politike brenda Bashkimit Evropian, e la Shqipërinë dhe rajonin duke pritur në “derën e shtëpisë”.

Kavalec duke diskutuar mbi ndërhyrjen e Rusisë në Europë

Por zgjedhja e Trump, një kritik i njohur i Bashkimit Europian, tregon se gjërat kanë ndryshuar dhe mund të sinjalizojë se Uashingtoni do të jetë më i përfshirë në rajon. Kavalec duket se ka ardhur në momentin e duhur, për të ndaluar destabilizimin e rajonit dhe për të mbajtur Tiranën, në rrugën e duhur drejt anëtarësimit europian. Duke parë arritjet e saj në diplomacinë amerikane , ka të ngjarë që Kavalec të jetë edhe më e përfshirë se Lu në çështjet e politikës së jashtme shqiptare dhe më shumë mundësi do të paraqesë një tjetër fotografi të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ardhja e diplomates amerikane në Shqipëri përkon gjithashtu me vendimin  e Ministrit Gjiknuri për t’i dhënë dritën jeshile një kompanie të lidhur me Gazpromin rus (Transoil Group AG) për marrjen me koncesion të tre fushave të naftës në jug të Shqipërisë, pas një tenderi të përndjekur nga akuzat për konflikt interesi dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve, një lajm i pasqyruar disa herë në mediat amerikane. Zgjedhja e Trump, vendimi i dytë i drejtëpërdrejtë i Presidentit amerikan mbi Ballkanin, sinjalizon se SHBA-ja ka vendosur të rikthehet si një lojtar i fuqishëm në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë